1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

Helmut Schmitz12 Mars 2004

Temë qendrore në shtypin e sotëm gjerman këtë të premte është sulmi terrorist i kryer dje në kryeqytetin spanjoll. Poashtu në të përditshmet gjermane komentohet miratimi i reformës së pensioneve në Bundestagun gjerman.

https://p.dw.com/p/As1s
Shtypi mbarëbotëror sot mirret me sulmin terrorist të kryer në Madrid
Shtypi mbarëbotëror sot mirret me sulmin terrorist të kryer në MadridFotografi: AP


Lidhur me sulmin terrorist në Spanjë gazeta DIE WELT e cila botohet në Berlin shkruan:

"Si përsëriten pamjet! Pothuajse 200 të vdekur, qindra të plagosur dhe një qytet në kaos: A përjetoi Spanja 11 shtatorin e saj?. Kurrë më parë terrori në kontinent nuk ishte kaq katastrofal. Në formë brutale ai dëfton se sa pak jemi në gjendje që të mbrojmë veten dhe qytetet tona prej terrorit, këtij lloji asimetrik të strategjisë së luftës. Kush fshihet saktë pas dhunës nuk mund të thuhet ende. Dyshimi bie njëjtë si mbi El Kaidën ashtu dhe mbi organizatën baske ETA. Të dy këto grupe mund të jenë përgjegjëse për këtë vepër terroriste", lexojmë në DIE WELT.

Ndërkaq në gazetën HANDELSBLATT e cila botohet në Dyseldorf thuhet:

"Ne i shohim pamjet por në të vërtetë nuk mund ta kuptojmë: një sulm terrorist me afro 200 të vdekur por kësaj radhe jo në Bagdat po në qendër të një metropoli evropian. I kryer jo prej fanatikëve islamik por nga spanjollë, pjestarë të Organizatës ilegale baske ETA. Qarku u ithtarëve të Etas përfshin prej radikalëve të majtë deri te katolikët konservatorë. Ata luftojnë për një vend etnikisht të pastër bask. Spanja ka nevojë për mbështetjen në luftë kundër terrorizmit. Të gjitha qeveritë evropiane duhet të tregojnë shumë më qartë sesa në të kaluarën që Bashkimi Evropina nuk do të toleroj shpërbërjen e një shteti të tij antarë nga seperatistët", nënvizon Handelsblatt.

Ndërsa e përditshmja NÜRNBERGER NACHRICHTEN mendon:

"Në krejt Evropën ky akt i neveritshëm u kuptua si sulm ndaj fundamenteve të demokracisë dhe u dënua ashpër: me plotë të drejtë, terrori gjithmonë është një mohim i të drejtave të njeriut, parimit të tolerancës, kartës së Kombeve të Bashkuara e cila obligon të gjitha kombet që konfliktet të zgjidhen me mjete paqësore. Një grupim popullor apo një udhëheqje e vetshpallur e tij që fut në përdorim bombat për të arritur me dhunë deri tek pavarësia nuk duhet të llogaris në solidaritetin e vendeve evropiane", thekson NÜRNBERGER NACHRICHTEN.

E përditshmja e Regensburgut MITTELBAYERISCHE ZEITUNG komenton:

"Përderisa viktimizohen njerëzit plotësisht të pafajshëm mund të thuhet se keqbërsit e paskrupulltë duan para së gjithash të minojnë ndjenjën e sigurisë të qytetarëve në demokracinë perëndimore. Por pa marrë parasysh se sa e tmerrshme është masakra e Madridit, terroristët e pajisur me një shkallë të lartë të intelegjencës kriminale e dinë shumë mirë se një shtet funksional demokratik nuk mund të shkatërrohet aq lehtë me bomba në vagona të trenave. Ato drejtohen më tepër ndaj psiqikës së qytetarëve. Këto sulme mundësisht duhet të shkaktojnë frikë të përgjithshme. Kush është në radhë nesër, Londra apo Parisi, Berlini apo Mynihu?, lexojmë në
MITTELBAYERISCHE ZEITUNG.

Ndërrojmë temë dhe kalojmë në gazetën FRANKFURTER RUNDSCHAU e cila sot mirret me reformën e pensioneve të miratuar në Bundetsgaun gjerman me shumicë absolute të votave:

"Ky ligj me një formë të ripërshtatur paraqet piketat për stabilizimin afatgjatë të kuotës së pagesave me 22 përqind. Çmimi për këtë është i lartë: konkretisht qytetarët duhet të llogarisin me heqje dorë nga një e pesta e sigurisë aktuale të standardit të jetesës së pensionistëve" thuhet në FRANKFURTER RUNDSCHAU.

Përfundimisht në OSTSEE-ZEITUNG e cila botohet në Rostock lexojmë:

"Ky ligj është një veprim qesharak. Dhe kush i beson atij duhet të jetë i marrë. Dje me rekomandimet e qeverisë u vendos që deri në vitin 2030 niveli i pensioneve nuk guxon të bie nën 46 përqind. Koalicioni qeveritar kuq e gjelbër u hodhi qytetarëve hi syve dhe u sqaroi se përkundër shkurtimeve radikale pensionet e tyre do të jenë të mjaftueshme në pleqëri", nënvizon OSTSEE-ZEITUNG.