1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

19 Dhjetor 2003
https://p.dw.com/p/As3N
Ish-kryetari i shtetit dhe të Partisë të Republikës Demokratike Gjermane, Egon Krenz doli nga burgu. Pas tri vjetësh dhe njëmbëdhjetë muajsh ai doli para kohe nga burgu i Berlinit, Plëcenze. Për shkak të të shtënave të kufitarëve ndaj refugjatëve të RDGJ ai u dënua me gjashtë vjet e gjysmë heqje lirie. Gazeta MANHAJMER MORGEN shkruan për këtë sot:

"Natyrisht që Gjykata e Lartë e Berlinit ka të drejtë me konstatimin e saj. Tek Egon Krenci nuk ekziston më rreziku i përsëritjes së aktit. Por këtij këndvështrimi i rri përballë Krenci tjetër. Luftëtari i përjetshëm i kuq, i cili nuk i pranoi kurrë gabimet dhe nuk e pranoi kurrë ndëshkimin e tij. Lirimin nga burgu, një njeri si ai nuk ja di për nder drejtësisë së një shteti demokratik, por e sheh si drejtësi të vonuar për një kundërshtar politik. Në këtë mënyrë, Krenci i plotëson vetëm pjesërisht kushtet për një lirim të parakohshëm."

Gazeta BERLINER CAJTUNG shkruan për të njëjtën temë:

"Krenci u lirua kondicionel, me kusht, si thotë termi juridik. Një hajdut nuk duhet të vjedhë më, një përdhunues të mos përdhunojë më dhe një mashtrues të mos mashtrojë më. Dhe një ish- funksionar i lartë i shtetit në një diktaturë, e cila mbajti përgjegjësi për represionin politik? Si mund t'i rezistojë ai provës? Ndoshta duke rishqyrtuar vështrimin e tij për historinë e sotme. Ai mund të ripërpunojë memuaret e tij, të cilat ai i hodhi në treg që në pranverë 1990 me titullin "Kur bien muret". Ai mund të mendohet nëse është i mjaftueshëm kërkimi i faljes për të shtënat në murin e Berlinit, por njëkohësisht refuzimi i përgjegjësisë për atë që ai gatoi në një funksion drejtues të partisë dhe të shtetit."

Dhe një vështrim në gazetën FRANKFURTER RUNDSCHAU:

"Ai i kujtohet ndokujt Egon Krenci? Vetëm atyre, që 30 vjet më parë, të dehur nga takimi i spartakiadës botërore të rinisë në Berlinin Lindor thërrisnin "ne jemi fensat e Egon Krenc-it"? Apo vetëm atyre, për të cilët qe lehtësim dënimi i tij më 1997 si komunist i karrierës për të shtënat vdekjeprurëse në Murin e Berlinit? A është një njeri si Egon Krenci në ndërgjegjen kolektive të gjermanëve? Ai duhet të jetë, sic është mbështetësi i tij Erih Honeker dhe paraardhësi i tij, Valter Ulbriht. Atyre u duheshin njerëz si Krenci, veprimtari profesionist i rinisë, për të ndërtuar aparatin e tyre të pushtetit në RDGJ. Dhe ata nuk duhet të harrohen, sepse në kushtet e luftës së ftohtë ata i shndërruan me dhunë idealet e antifashizmit dhe socializmit në një peizazh të përçudnuar të shtrembëruar."

Ndërrojmë temë: gazeta SHTUTGARTER NAHRIHTEN komenton planin për shkurtime në kuadër të ushtrisë gjermane:

"Cfarë nuk i duhet të heqë Bundesverit- është për t'u shqetësuar: me shumë se nga një angazhim në tjetrin (në botën e jashtme) ushtria gjermane rend nga reforma në reformë dhe dikur, është për të patur drojë, ajo do të dalë krejtësisht nga binarët. Megjithatë njeriu duhet të tregohet shumë i përmbajtur në dhënien e gjykimit për konceptin më të ri. Ai nuk do të jetë koncepti i fundit dhe ne kemi mësuar se modelet teorike mund ta humbasin shumë shpejt në praktikë vlerën e tyre. Pastaj ato përfundojnë në qoshet e sirtarëve."

Gazeta VECLAUER NOJE CAJTUNG shkruan për këtë:

"Sado pozitiv që të jetë detyrimi për të kursyer, vetëm me të kursyer nuk zgjidhen punët. Nëse do të kemi së shpejti një rritje konjukturore dhe si rrjedhim të ardhura më të mëdha nga taksat, duhet të përdoren sërish më shumë para për forcat e armatosura. Vetëm në një pikë, Shtruku nuk duhet të bëjë në asnjë mënyrë atë për të cilën po flitet: pikërisht, të heqë dorë nga ndarja klasike në forca të armatosura të këmbësorisë, forca ajrore dhe forca marinare. Me siguri që nuk ka ndonjë grup që të ndihet i lidhur sa ushtarët në këto tradita në fund të fundit qindravjecare."

Përgatitur nga Auron Dodi