1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman

16 Dhjetor 2003
https://p.dw.com/p/As3W

Temë mbizotëruese në komentet e të përditshmeve gjermane është kompromisi i arritur në komisionin ndërmjetësues midis dhomës së lartë dhe të ulët të parlamentit mbi planet e qeverisë për reforma. Gjithashtu komentohet gjendja në Irak pas arrestimit të Sadam Huseinit.

Fillimisht për komisionin ndërmjetësues. Gazeta Stuttgarter Nachrichten shkruan:

"Kompromisi nuk njeh fitues të padiskutueshëm. Ajo që vlen për qeverinë dhe opozitën vlen edhe për Gjermaninë. Ende reformat e miratuara nuk e çojnë vendin drejt kursit të suksesit, por ato mund të kontribuojnë në ndalimin e rënies së mërzitshme. Të gjitha partitë dëshmuan se kanë vullnetin dhe aftësitë për t'i nxjerrë në plan të dytë interesat e veta dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme. Edhe nëse suksesi i madh i reformave mungon, hapi i parë është hedhur. Të tjerë do të ndjekin, detyrimisht. Gjermania në dimër, ajo megjithatë lëviz."

Lidhur me këtë temë gazeta Die Welt shkruan:

"Ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte. Për muaj me radhë politikanët e majtë dhe të djathtë ia kalonin njëri-tjetrit me propozime lidhur me reformën fiskale, njëri model më radikal sesa tjetri. Për muaj me radhë njerëzit mund të prisnin shumë. Të krijohej përshtypja sikur nën bredhin e Vitit të Ri ishte një paket gjigante uljesh taksash. Paketa u kthye në paketëz, të cilën do të dëshironim ta kthenim menjëherë mbrapsht. Refuzohet pranimi!... Politika gjermane humbi një rast të madh, rastin për të rikthyer besimin e shtetasve tek politika... Zhgënjim i madh në vend të reformës së madhe."

Gazeta Berliner Kurier merret me arrestimin e diktatorit të rrëzuar irakian Sadam Husein nga trupat amerikane:

"Shohim pamjet e një kasolleje të varfër balte, mure të lagështa, pjata plastike, një krevat i thjeshtë prej druri. Siç ishte katandisur shtëpia ashtu ishte katandisur edhe banuesi. Flokë të gjata të parregulluara, mjekër e gjatë, shikim i dyshimtë. Në këtë gjendje u nxorr Sadami nga vrima në tokë. Thuajse mund të priresh të kesh keqardhje për këtë burrë të vjetër, por pamjet nuk mund të të gënjejnë për atë që njeriu dikur më i fuqishëm në Irak ka qenë despot, diktator dhe një vrasës në masë i pamëshirshëm. Pa pallate mermeri dhe pa peliçe gëzofi ai mund të ketë humbur dekorimin, por jo edhe mizorinë."

Gazeta Oberpfälzer Nachrichten shkruan:

"Fatkeqsisht hë për hë në Irakun e çliruar nuk ekziston ndonjë grup udhëheqës i aftë për të fituar. Përkundrazi vendi është i ndarë midis sunitëve, shiitëve dhe kurdëve, politikanëve mërgimtarë dhe atyre që qëndruan në vend. Struktura të qëndrueshme pushteti nuk dallohen. Vendi ka aq nevojë për udhëheqje politike përballë ndarjes së brendshme. Me arrestimin e Sadamit amerikanët arritën sërish një fitore etape, por mbi të ardhmen afatgjatë të Irakut, ndërtimin e tij politik, nuk është vendosur ende."

Ndërrojmë temë. Kongresi i Partisë Socialiste të Shqipërisë gjen pasqyrim edhe në shtypin gjerman. Kështu e përditshmja Neue Zürcher shkruan:

"Në kongres u vendos tani që në të ardhmen të përjashtohen nga fraksioni parlamentar socialist ata deputetë, të cilët nuk i përmbahen vijës së partisë. Megjithatë ka pak gjasa që ky vendim të frenojë opozitën ndaj drejtimit të kryeministrit Nano. Përveç luftës për pushtet grindja në radhët e socialistëve shqiptarë pasqyron edhe konfliktin midis tradicionales dhe nodernes. Siç mësohet rizgjedhja e Nanos ka qenë e sigurt që përpara kongresit. Nga dy kandidatët e tjerë, Meidani dhe Rama me respektivisht 61 dhe 41 vota nga gjithsej 563 delegatë, ishte kryesisht Rama ai që bëri thirrje për transformim rrënjësor. Megjithatë ai nuk zotëron ende fuqi të madhe në radhët e socialistëve dhe botëkuptimi politik perëndimor i tij është ende i huaj për shumicën e shqiptarëve jashtë Tiranës."