1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit me këto tema: Airbus 380 sukses i evropianëve, Irani në shënjestër të SHBA

VFB19 Janar 2005

Top-temë në gazetat e sotme të Gjermanisë është prezantimi i avionit më të madh të ndërtuar ndonjëherë për pasagjerë Airbus 380. Ky është një projket gjerman-francez-britanik-spanjoll i prodhuesit evropian të avionëve Airbus. Jo më pak e kometnuar në shtypin e sotëm është edhe deklarata e presidentit të SHBA, Xhorxh Bush, se nuk e përjashton goditjen ushtarake ndaj Iranit, në rast se ky vend nuk jep informacione të detajuara për programin e armëve bërthamore.

https://p.dw.com/p/Arx7
Airbus, A380
Airbus, A380Fotografi: Airbus S.A.S. 2005

Lidhur me Airbus 380 gazeta "OFFENBACH POST" shkruan: "Kjo ditë do të hyjë në histori, sepse për zhvillimin e gjigandit të ajrit, konstruktorët kanë arritur deri në kufijtë e mundësive teknike duke përdorur lëndë të reja dhe elektronikë novatore. Por duhet të kemi parasysh, nga shpresa për suksesin e gjigandit evropian asnjëherë tjetër nuk janë shpenzuar kaq shumë para taksash sa këtë radhë. Pritet të mësojmë, nëse marrëzia e përmasave të tilla do të jetë e kalkulueshme", komenton "OFFENBACH POST".

Me nota të ndryshme e komenton këtë temë e përditshmja "REUTLINGER GENERAL-ANZEIGER": "Eshtë e sigurtë që A380 qysh tani jep shkas për të festuar. Ky superjet është jo vetëm projekti më i madh industrial i Evropës, por me këtë avion Evropa për herë të parë thyen monopolin e SHBA në prodhimin e avionëve të distancave të gjata. Tashmë jumbo amerikan është e shkuara, e ardhmja i përket A 380. E kush mendonte para pak vjetësh që një gjë e tillë është e mundur?", shtron pyetjen "REUTLINGER GENERAL-ANZEIGER".

Një citat nga artikulli i gazetës "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG": "Duhet ta vëmë në dukje, ndonëse në heshtje, që në radhë të parë kemi të bëjmë me një objekt prestigji, arësyeja dhe rentabiliteti i të cilit ende nuk është provuar. Francezët e konsiderojnë kryesisht si të vetin triumfin e Airbus-it. Ndonëse po vetë francezët një herë arritën të ndërtojnë avionin më të bukur, më modern dhe të të gjitha superlativave, por që nga pikëpamja financiare ky gjigand ishte një bllof dhe që sot vlen vetëm për t´u vendosur në muzeum, është fjala për supersonikun Concorde. Ndonëse janë bërë paraprakiasht 149 porosi për blerjen e A380, kjo është shumë pak për të vlerësuar rentabilitetin e tij. A do të jenë vallë pasagjerët po aq entuziastë nga superlativat dhe trafiku masiv ajror sa edhe teknikët? Ndoshta mund të ndodhë që tek e fundit njësi më të vogla të jenë më joshëse dhe më rentabël. Pikërisht me këtë spekulon tashmë konkurrenti i Airbus-it në Siatëll Boing, që me siguri ka menduar edhe në këtë drejtim në planet që ka bërë për të ardhmen e vet", tërheq vëmendjen "SÜDDEUTSCHE ZEITUNG".

Lidhur me Iranin tashmë në shënjestër të SHBA, gazeta "OSTSEE ZEITUNG" analizon: "Pasojat e një shkallëzimi të tillë të luftës do të ishin të paparshikueshme për rajonin. Megjithëse pothuasje çdo brigadë luftarake e SHBA është angazhuar aktualisht në Irak e madje edhe rezervistët si dhe garda kombëtare po i tejkalojnë kapacitetet e tyre, ndërhyrja në Iran nuk përjashtohet më. Kjo pasi fiksimi ideologjik dhe tendenca që karakterizon administratën e Bushit për aventura ushtarake nuk preferojnë zgjidhje diplomatike. OKB-ja dhe Evropa duhet të insistojnë që SHBA të kërkojnë zgjidhje paqësore të grindjes për çështjet bërthamore me Iranin. Nuk duhet që sërish të fitojë arroganca e pushtetit", vëren "OSTSEE ZEITUNG".

Me të njëjtat tone e komenton këtë temë edhe e përditshmja "BERLINER KURIER": "Teherani, Bushiri, Isfahani, Ghomi dhe të tjera qytete iraniane do të jenë destinacionet e ardhëshme të presidentit të SHBA, Xhorxh Bush, të cilit i pëlqen lufta. Pas Irakut ai ka vënë në shë njestër Iranin, kështu dëgjojmë tani nga Uashingtoni. Le të shpresojmë që ky është një thashethem, sepse unë nuk dua ta besoj këtë. Kundër kësaj mund të ketë vetëm një politikë të vendosur: Gjermania ashtu si edhe në luftën e Irakut duhet të thotë jo, dhe ndryshe nga rasti i Irakut duhet të përpiqet t´i mbajë të GJITHA vendet evropiane në linjën e vendosur "jo luftës". Bushi nuk duhet ta zhysë botën sërish në një luftë të re, kurrë më!", thekson "BERLINER KURIER".