1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit ndërkombëtar të javës

2 Prill 2005
https://p.dw.com/p/Arw6
Papa Gjon Pali i Dytë bën bekimin e fundit më 30 mars 2005
Papa Gjon Pali i Dytë bën bekimin e fundit më 30 mars 2005Fotografi: AP

Shtypi ndërkombëtar i javës që po përfundon bëri vlerësime për figurën e Papës Gjon Pali të Dytë që vdiq mbrëmë, pas qëndrimit për më shumë se një çerek shekulli në post.

Gazeta britanike THE TIMES ndër të tjera shkruan:

"Në vitin 1978, kisha katolike ndodhej në një krizë të heshtur. Detyra e ritit të vjetër latin i kishte zemëruar tradicionalistët, por nuk i kishte siguruar kishës idhtarë të rinj. Kisha ishte e izoluar. Paraardhësit e Papës Gjon Palit të Dytë thuajse nuk largoheshin nga Roma. Me të drejtë ai u përpoq ta zbatonte me këmbëngulje atë që ishte e rëndësishme për të. Ajo që të tjerët e dënonin si "dogmë", ai e kuptoi si detyrën më të rëndësishme. Ai veç kësaj qe edhe një forcë çliruese për Evropën Juglindore. Bashkimi i Evropës, i simbolizuar përmes zgjerimit në Lindje vitin e kaluar, ishte rezultati më i rëndësishëm i Papës në fushën laike. Ky burrë i habitshëm ishte Papa i gjithë Papëve."

Edhe gazeta ruse KOMMERSANT e vlerëson veprën jetësore të Papës:

"Ishte pikërisht Gjon Pali i Dytë ai që kërkoi falje për mizoritë e inkuizicionit mesjetar. Në mënyrë aktive ai kërkoi dialogun ndërfetar me hebrenjtë dhe myslimanët. Dhe Papa nuk ka luajtur rol të parëndësishëm në shkatërrimin e sistemit socialist. Pikërisht për këtë arsye ai u godit në vitin 1981 nga një atentat, pas të cilit, sipas pikëpamjes së ekspertëve perëndimorë, qëndronte KGB-ja. Në një kohë që Gjon Pali i Dytë bëri shumë gjëra për ripërtëritjen e pamjes së kishës katolike, ai mbeti në të gjitha çështjet parimore të doktrinës katolike dhe të jetesës një konservator."

Ndërsa në gazetën austriake DIE PRESSE lexojmë:

"Bota po ndahet këto ditë nga një Papë, që e përfaqësoi kishën në kuptimin e saj universal. Udhëtimet e tij, siguria e tij e pazakontë në kontaktin me mediet dhe kontakti i tij i drejtpërdrejtë me botën politike, e aftësuan atë, që të plotësonte si detyrën biblike të "ëngjëllizimit", ashtu edhe detyrën e ngarkuar nga Këshilli Papnor për rrënjosjen e kishës në një "botë të sotme", siç nuk e ka bërë asnjë kryetar kishe para tij."

Gazeta franceze LIBERATION thekson kontributin brendakishtar të Gjon Palit të Dytë:

"Ka qenë një nga sukseset e mëdha të Gjon Palit të Dytë, që i spostoi në anë të gjitha lëvizjet e protestës brenda kishës katolike, që nga fondamentalistët e djathtë deri tek e ashtuquajtura Teologji e Clirimit. Sepse ana tjetër e sharmës së Vojtilës ishte një centralizëm ideologjik dhe organizativ, siç nuk ishte parë më në këtë institucion prej më shumë se 1 mijë vjetësh...Kjo do ta lehtësojë punën e të caktuarit të ardhshëm të Zotit."

Gazeta britanike GUARDIAN flet për një Papë të përmasave të mëdha, por me kufizime:

"Aktori brenda tij ishte i mrekulluar nga manifestimet masive. Ai i ka përjetuar ato në një stil më të madh se sa cdo shtet totalitar i shekullit të 20-të.Papa Gjon Pali i Dytë ka shpallur të shenjtë më shumë njerëz se sa të gjithë paraardhësit e tij bashkë. Por megjithëse ai ndihmoi të shkatërrohej një sistem totalitar,ai vetë ishte autoritar. Katolikët aktivë, të cilët nuk e mbështesnin vizionin e rreptë dhe pesimist të botës së Papës, thuajse kërcënohen të shuhen."

I dyzuar është edhe bilanci i gazetës belge DE MORGEN:

"Jeta e këtij Pape mund të kishte qenë një histori suksesi, por synimet që i kishte caktuar vetes në krye të marrjes së postit ai nuk i arriti vërtet. Rilindja e madhe katolike nuk erdhi as me të, përkundrazi: për shumë, ky Papë përfaqëson një hap pas në histori...Edhe përfaqësuesi i Krishtit në tokë, në fund të fundit, është, sic u tregua, një fëmijë i kohës së tij."

Krejt ndryshe gjykon gazeta gjermane BILD AM SONNTAG në numrin e saj të së dielës:

"I respektuar në të gjithë botën dhe i marrë seriozisht, hjo vetëm nga katolikët besimtarë, këtë kapital i lë Papa pasardhësit të tij dhe kishës katolike. Brenda kësaj kishe vetë, pozicionet e tij nuk kanë qenë të lëkundura, për shembull refuzimi e mjeteve perservative. I padiskutueshëm është megjithatë ndikimi politik pozitiv që Papa i krijoi kishës. Ai refuzonte si komunizmin, ashtu edhe makutërinë e ftohtë të përfitimit të kapitalizmit"


Krejt ndryshe gjykon gazeta italiane CORRIERE DELA SERA:

"Profeti që largohet prej nesh, lë pas një doktrinë, e cila ndihet në të njëjtën masë edhe nga jo-besimtarët. Vojtila u lë edhe ateistëve nevojën për Zotin si dëshmitar. Mediet e pranishme në mënyrë më se të tepërt nuk e mbytën ndjerjen e pafajshme të dëshpërimit- edhe jo gjendjen e përgjithshme, të të mbeturit jetim."