1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Gjermanisë

14 Nëntor 2004

Ofensiva e trupave amerikane ndaj qytetit Faluxha në Irak është një ndër temat ndërkombëtare të komentuara në gazetat e sotme (15.11.´04) të Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/Arxv
Bombardimet e SHBA në Faluxha
Bombardimet e SHBA në FaluxhaFotografi: AP

Gazeta "Fuldaer Zeitung" komenton: "Gënjeshtra, gjysmë të vërteta dhe mungesë informacioni. Makineria e propagandës së SHBA dhe aleatëve të tyre në Irak po punon me intensitet. Dhe sërish po bëhet e qartë, se sapo në një konflikt hidhen bataret e para nuk duhet t´u besohet deklaratave zyrtare, sepse opinioni injorohet sikur nuk kupton asgjë. Në Irak janë bërë përparime të mëdha në drejtim të paqes dhe demokracisë, njoftojnë tani presidenti amerikan, Xhorxh Bush, dhe kryeministri britanik, Toni Bler. Një pretendim mashtrues, që ka pë rqëllim të qetësojë popullin në këto dy vende si dhe në pjesën tjetër të globit."

Me të njëjtat tone i komenton zhvillimet në Faluxha edhe e përditshmja "Braunschweiger Zeitung": "Edhe pse amerikanët e kanë pushtuar plotësisht Faluxhën, ata e kanë humbur këtë betejë. Terroristët dhe vrasësit e pengjeve janë larguar turma turma dhe po i vazhdojnë tani luftimet në qytete të tjera. Një shembull ëhstë tani qyteti verior i Irakut Mosuli. Pamjet nga luftimet brutale ngjallin urrejtje të re kundër pushtuesve, e kjo jo vetëm në radhët e popullsisë civile të Irakut, por në të gjithë botën arabe. Ç´donin të arrinin amerikanët në Faluxha? Ata donin të krijonin kushtet për zgjedhje të lira në janar. Por kur hidhet hiri i luftës dalin në pah vetëm dhimbjet, rënojat dhe lotët. Më kot kërkohet entuziazmi për modelin amerikan të demokracisë."

Edhe gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shtron pyetjen, se sa i lartë është çmimi politik për këtë sukses të kufizuar? "Sunitët, që kanë frikë, se po e humbasin sundimin e dikurshëm të tyre në Irak, do t´i rezistojnë më me armiqësi rendit të ri në vend. Ndonëse amerikanët shpresojnë, sic deklaroi në një fjalim në radio presidenti Bush, se në janar pas zgjedhjeve do të kthehet qetësia, vendosja e qeverisë së përkohshme irakiane ishte një iluzion. Në Irak pështjellohen dhe shtohen konflikte të ndryshme: lufta guerrilase kundër pushtuesve dhe lufta për ndarjen e pushtetit në të ardhmen mes grupeve fetare dhe fiseve. Në këtë vend pa një rend të pranuar dhe pa tradita të zgjidhjes paqësore të konflikteve përgjakja do të vazhdojë gjatë."

Po mbi këtë temë edhe një citat nga komenti i "Tageszeitung": "Nga perspektiva e SHBA dhe qeverisë irakiane ofensiva në Faluxha ishte mjeti i fundit pas dështimit të bisedimeve. Megjithatë jo vetëm grupet terroriste por edhe pjesë të tëra të popullsisë të ndodhura kryesisht nën presionin e sunitëve nuk janë të gatshme të involvohen në procesin politik, ose i qëndrojnë larg atij prej frikës. Eshtë e nevojshme një iniciativë politiko-diplomatike në mënyrë që të involvohen edhe shtete fqinjë të Irakut. Për aq kohë sa Irani dhe Siria kanë frikë se mund të jenë në radhë në listën e amerikanëve për ndryshimin e qeverive në rajon, ato nuk mund t´i urojnë sukses SHBA në Irak. Edhe konflikti izraelito-palestinez i nxeh edhe më shumë të gjithë ata që janë për luftën e shenjtë. Një jetë në siguri, me reforma dhe zgjedhje të lira është e domosdoshme, por kjo nuk arrihet me bomba."

Së fundi edhe një pjes ënga komenti i "Handelsblatt" lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme pas vdekjes së udhëheqësit palestinez Jaser Arafat: "Pasardhësi i legjendarit Arafat i vetëm nuk do të jetë në gjendje që të marrë vendime të vështira. Madje ai do të jetë shumë i dobët për t´ua dalë mbanë organizatave radikale islamike. Këto të fundit mbështeten nga rreth 40% e popullsisë. Çarmatimi i Hamasit mund të dëashtojë. Ndaj duket se më e udhës do të jetë një përpjekje për t´i afruar grupet radikale në përgjegjësitë e qeverisë. Që kjo ëhstë një rrugë e mundshme këtë e dëshmon shembulli i grupit shiit të Hisbollasë në Liban. Qysh prej disa vitesh ata nuk e konsiderojnë më veten vetëm si milicë. Marrja e përgjegjësive ka influencuar që Hisbollah të bëhet më e matur. T ënjëjtën gjë duket se po përpiqet të bëjë edhe udhëheqësi i ri palesitnez Mahmud Abaz, i cili po negocion me Hamasin. Me këtë ai synon të parandalojë kaosin dhe t´i paraprijë luftës për pushtet që kërcënon brenda partisë. Pjesëmarrja e hamasit në qeveri do ta qetësonte gjendjen e tensionuar që nga Xhenini në Bregun Perëndimor të Jordanit e deri në Gazë në Jug."