1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Gjermanisë

21 Tetor 2004

Rifillimi i punës në fabrikën e koncernit të automobilëve Opel në qytetin e Bohumit pas grevës një javore është një nga temat kryesore në komentet e gazetave të sotme gjermane.

https://p.dw.com/p/Ary6
Protetsta në Bohum
Protetsta në BohumFotografi: AP

Në të përditshmen "Süddeutsche Zeitung" komentohet: "Fundi i shoqërisë së punës, ç´gabim. Shtatë ditë hynë në grevë punëtorët e fabrikës së Bohumit. Grevistët ishin të ashpër kundër cdo lloj strategjie të sindikatave duke i tejkaluar kufijtë e arësyes. Indinjata e grevistëve tregoi, se ata nuk luftonin vetëm ndaj kërcënimit për humbjen e pagës, por edhe për humbjen e vlerës së vetvetes dhe të krenarisë për jetën e tyre. Puna ka pasur gjithmonë një vlerë në vetvete, duke përjashtuar këtu ndoshta vetëm punëtorët sezonalë që jepen pas punëve me paga të ulëta. Vetëm vlera e punës mund të shpjegojë faktin, përse shumë njerëz të përfshirë në masat e shtetit për hapjen e vendeve të punës, janë të pakënaqur, sepse ndonëse paguhen, ato nuk kryejnë ndonjë punë të arësyeshme. Vetëm kështu mund të shpjegohet që janë vetëm pak ata të papunë që thonë, unë marr një pagë të ulët duke pasur kohë të lirë, epo punëmadhe. I papuni nuk është pionier i kohës, që u përkushtohet me kënaqësi aktiviteteve të tjera të dobishme për shoqërinë. I papuni është i përjashtuar nga shoqëria, si dikush që ka damkën e njeriut që i trëmbet punës. Dita e tij kalon, por koha i ka mbetur në vend."

Në artikullin e "Schweriner Volkszeitung" shkruhet: "Askush të mos ketë iluzione: nga radhët e punëtorëve kërkohen viktima dhe shkurtimet masive të personelit nuk mund të shmangen. Ministri i ekonomisë Volfgang Klement pretendoi shumë, tek deklaroi, se nuk do të ketë shkurtime të detyrueshme prej situatës së ndërmarrjes. Këtë deklaratë ai e bëri i mbështetur edhe nga sindikata e metaliurgjisë. Nëse do të arrihej kjo do të fitohej shumë. Por për çështjen Opel edhe pse një gjë e tillë tingëllon mirë, në fund të fundit ata që duhet të negociojnë janë menaxherët, këshillat e ndërmarrjeve dhe sindikatat. Qeveria federale as nuk mundet dhe as nuk duhet të angazhohet, sepse ajo nuk është në gjendje të bëjë ndonjë mrekulli. Rasti i koncernit Karstadt dhe Opel, pavarësisht nga gabimet e bëra në menaxhim, gjë që coi deri në krizë, duhet ta bëjnë qeverinë dhe ministrin e ekonomisë që t´i vënë gishtin kokës e të jenë vetëkritikë ndaj politikës së tyre, ato duhet të mendojnë, se si mund ta shpëtojnë Gjermaninë si zonë ekonomike prej krizës."

Nga komenti i "Märkische Oderzetiung" vecojmë: "Natyrisht që e gjitha kjo mund të jetë vetëm fillimi drejt një ndërmarrjeje të aftë për të mbijetuar dhe që mund t´i ruajë fabrikat e saj në Gjermani. Por kjo presupozon që shumë fabrika të Opelit do të sigurojnë qëndrimin e tyre në vend duke e paguar atë me vendet e punës. Se me c´kushte për këtë duhet të negociojnë profesionistët e këshillave dhe të kryesisë së ndërmarrjeve. Për ata që do të mbeten do të ketë më shumë punë dhe më pak para. Më e rëndësishmja është që në kryesinë e General Motors në Evropë të punohet me arësye dhe të mos ketë kthim prapa në kohët e vjetra, kur shefat ndryshoheshin si trainerët e futbollit."

Gazeta bulevardeske e Këlnit "Express" vendimin e punëtorëve të Opelit në Bohum për t´u kthyer në punë e komenton: "Vota e punonjësve të Opelit për ta ndërprerë grevën e egër në fund ishte befasisht e qartë. Vazhdimi paafat i bllokimit të prodhimit në fund të fundit do ta përkeqësonte edhe më shumë situatën - pavarësisht se është e kuptueshme indinjata e punëtorëve ndaj menaxherëve, që me gabimet e tyre në drejtim shkaktuan krizën. Pas kërcënimit të vrazhdë të shefave tani mbetet të shpresohet që në tryezën e bisedimeve të gjenden zgjidhje të arësyeshme, në mënyrë që të mos nxirren në rrugë mijëra vetë që së bashku me familje te tyre mund të përfundojnë në skajet e shoqërisë. ... Nga ana tjetër është e kuptueshme që Opeli pa shkurtuime nuk do të jetë në gjendje t´i japë sërish gaz prodhimit për të tejkaluar humbjet."

Askush nuk e di se si do të jetë zgjidhja e arësyeshme, nënvizon komentatori i së përditshmes "Frankfurter Allgemeine Zeitung" duke shtuar: "Fakti që punëtorët preferojnë tani bisedimet në vend të konfrontimit të hapur ka shumë arësye. Ndoshta fitoi arësyeja, ndoshta është ky dëshpërim. Për grevën e egër punëtorët nuk paguhen as prej ndërmarrjes dhe as prej arkës së sindikatave. Shumë prej tyre tashmë e kanë kuptuar, se me protetstën e tyre ata fituan simpati në një pjese të madhe të popullsisë, por një atmsoferë e tillë e ndezur nuk mundëson bisedimet konstruktive. Këshilli i përgjithshëm i ndërmarrjeve të Opelit dhe kryesia e koncernit kanë premtuar se do të gjejnë zgjidhje. Kryesia madje deklaroi, se e sheh me besim punën e kolektivit. Por se si do të jenë zgjidhjet e arësyeshme dhe se besimin e kujt do të ë përmbushin ato, këtë nuk e di askush."