1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Gjermanisë

13 Tetor 2004

Nga shtypi gjermanofon vecojme sot komentet lidhur me votimin e komisionit të Parlamentit Evropian për politikën e brendëshme kundër kandidatit për postin e komisionerit të drejtësisë Roko Butilione. Ky i fundit nuk u votua prej deputetëve për shkak të deklaratave konservatore.

https://p.dw.com/p/AryC

Së pari një vështrim në komentin e gazetës "Finantial Times Deutschland": "Eshtë një nga vetitë e sistemit kushtetues evropian, që komisionerët të dëgjohen një nga një prej deputetëve të Parlamentit Evropian përpara se të marrin postin. Kjo bëhet në mënyrë që në fund parlamenti të votojë komisionin në tërësi. Në këtë mënyrë presidenti i emëruar i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, ka absolutisht të drejtë që ngurron ta kthejë fjalën që i ka premtuar italianit Roko Butilione duke ia refuzuar postin e komisionerit të drejtësisë, ndonëse komisioni parlamentar e konsideron atë të papërshtatshëm. Por procedura është një gjë dhe cështja politike është dicka tjetër. Me deklaratën e tij, se homoseksualiteti është mëkat, katoliku konservator Butilione ka zgjuar dyshime të mëdha tek europarlamentarët. Këta mendojnë, se ai nuk mund të jetë i përshtatshëm që të drejtojë postin e komisionerit që merret pikërisht me mbrojtjen e homoseksualëve që përndiqen në vendet jashtë BE-së. E pra si mund të vendosë në mënyrë bindëse një komisioner i drejtësisë lidhur me statusin e homoseksualëve të përndjekur, kur ai publikisht deklaron që homoseksualiteti është moralisht i papranueshëm? ...Barroso ka gabuar rëndë me vendimin për t´ia besuar këtë post një katoliku konservator. Por presidenti i Komisionit të BE-së, Barroso, do të bëjë një gabim të dytë edhe më të rëndë, në rast se nuk e korrigjon shpejt atë."

Në të përditshmen "Thüringer Allgemeine" lexojmë: "Asnjë shenjë lodhjeje, Parlamenti Evropian po tregon dhëmbët. Për herë të parë komisionet përkatëse nuk pranojnë kandidatët për postet e komisionerëve të ndarë midis vendeve antare. Në këtë mënyrë hapet menjëherë lufta për pushtet në të gjithë spektrin e qeverive, partive dhe besimeve fetare. Në këtë valë duket pothuajse sekondare risia, që ish-ministri i jashtëm hungarez, Llazlo Kovas, gjatë seancës së dëgjimit por postin e ardhshëm si komisioner i energjisë u rëzua si jo komptent. Aq më shumë janë ndezur emocionet tani që u hodh poshtë si shumë konservator dhe shumë katolik përfaqësuesi i Italisë. Në Romë Roko Butilione konsideorhet si viktimë e një fraksioni të majtë mbarëevropian kundër Berluskonit. Por të parët që ngrenë zërin janë ata, të cilët deri më sot kërkuan më kot që feja të përfshihet në kushtetutën evropiane. Sipas tyre tani feja është diskriminuar."

Nga komenti i gazetës "Frankfurter Rundschau" vecojmë:
"Jo, Roko Butilione, që mendon se gruaja e ka vendin në kuzhinë dhe homoseksualiteti është degjenerim i moralit, nuk është i përshtatshëm për të drejtuar sektorin e sigurisë, të lirisë dhe të së drejtës, mbi bazën e të cilave duhet të bashkohet Evropa. Natyrisht ai si katolik konservator ka të drejtë të mendojë ashtu sic mendon, por këto bindje nuk duhet të jenë pjesë e punës së tij politike. Këto bindje nuk mund t´i shërbejnë bashkimit të një Evrope moderne. Shumica e qeverive dhe e Parlamentit të BE-së karakterizohen prej konservatorizmit, ndaj ky parlament që demonstron tani një forcë që nuk e ka, do ta votojë komisionin e Barrosos në fund të tetorit. Ndoshta parlamenti mund të imponojë ndonjë korrekturë kozmetike, por më shumë se kaq ai as nuk mund të bëjë dhe as nuk mund të arrijë, sepse shtetet antare nuk duan sic duket një parlament të pushtetshëm."


Së fundi hedhim një vështrim edhe në kryeartikullin e së përditshmes austriake "Die Presse": "Roko Butlione është fetar, edhe Rexhep Taip Erdogan është fetar. Kandidati italian për komisioner të BE-së e shpall veten katolik, ndërsa kryeministri turk mysliman. Që të dy janë bërë simbol i debatit mbi vlerat në BE, sepse në politikën e tyre zënë vend mendimet fetare. Butilione akuzohet, se nuk është i përshtatshëm për postin e komisioenrit të drejtësisë, pasi ka deklaruar që homoseksualiteti është mëkat dhe gratë duhet të kthehen tek familja. Erdogan për pak do të kish dështuar me planin e tij për antarësimin e Turqisë në BE, sepse partia e tij donte të sanksiononte në ligj si akt penal tradhëtinë bashkëshortore. E pra morali dhe politika më shumë se kurrë duket se nuk e kapërdijnë njëra-tjetrën. Nisur nga tradita evropiane e laicizimit, diskutimi aktual është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Por ai turbullohet prej moralit të dyfishtë të atyre aktorëve, që nëpërmjet kësaj kontradikte duan të ndjekin fundamentalizmin e tyre: qoftë ata që janë kundër cdo qeverie me orientim të djathtë në Evropë, qoftë edhe ata që janë kundër gjithckaje që i përket një kulture tjetër. Nëse do të ishim rigorozë as Butilione dhe as Erdogan nuk i përshtaten imazhit të sotëm të liberalizmit evropian. BE-ja duhet të përpiqet që të mos humbasë kredibilitetin në debatin mbi liberalizmin dhe të qenit i hapur. Ndërkohë po lakohen në mënyrë inflacionare fjalët fundamentalizëm dhe ekstremizëm. E pra gjitcka ka të bëjë me një vendim delikat: Ndarja e fesë nga politika duhet të ndiqet me konseguencë. Në një rast të tillë Butilione duhet të shkarkohet që në castin që ai përpiqet të vërë në jetë idetë e tij konservatore duke përftiuar nga posti. Por nga ana tjetër duhet edhe të mos negociohet me qeverinë turke, që u servir idhtarëve islamistë projektligje me motive fetare. Ose infleunca fetare ndaj shtetit dhe bashkësisë do të pranohet si cdo ideologji tjetër. Nëse ndodh kështu atëherë duhet të pranohet edhe Butilione me përfytyrimet e tij, edhe bisedimet e antarësimit me Erdoganin, duke mos ngritur rezervat kulturore-fetare ndaj Turqisë. Me këtë pjesë nga artikulli i gazetës "Die Presse" përfundojmë pasqyrën e shtypit.