1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Kosovës

Agim ZOGAJ22 Dhjetor 2003
https://p.dw.com/p/As3K

Duke i hedhur një vështrim ndrrimit në kreun udhëheqës të NATO-së dhe përfundimit të mandatit të George Robertson në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, "Koha Ditore" shkruan se: "Nga NATO-ja javën që shkoi është larguar lordi Xhorxh Robertson, edhe një person kariera e deritashme e të cilit ishte e lidhur ngushtë edhe me Kosovën". Gazeta analizon se " Për lordin Robertson, Kosova është mburrje më e madhe, sepse ka qenë personalisht gjithmonë i përkushtuar për të, ndërsa Maqedonia suksesi më i madh i NATO-së dhe BE-së, sepse e ka parandaluar luftën më të përgjakshme. Me këtë, lordi Robertson bën të qartë se nuk ka kurrfarë hamendje se ajo që kanë bërë në Kosovë, sikur bombardimi për ta çliruar atë nga kriminelet e Milosheviqit gjatë kohës kur ishte ministër britanik i Mbrojtjes sikur edhe angazhimi i NATO-së për ta stabilizuar atë pas luftës, ka qenë vendim i duhur dhe i mirë". Më tej në editorialin e numrit të sotëm të "Kohës Ditore" theksohet se "e thotë atë në kohën kur ekzistojnë njerëz që vënë në pikëpyetje arsyeshmerinë e ndërhyrjes në Kosovë të vitit 1999". Temë tjetër me prioriet në shtypin e Kosovës vazhdon të ngel ajo lidhur me Standardet për Kosovën. Lidhur me këtë, "Zëri" në komentin redaksional që mban titullin ,"Optimizmi publik dhe pesimizmi intern për Standardet për Kosovën", ndër të tjera vëren se " si UMMIK-u ashtu edhe pushteti i Kosovës, nëse njëmend synojnë të kryejnë punë me Standardet, duhet të mundohen që në Grupet Punuese, qoftë në mënyrë direkte apo të tërthortë, të inkuadrojnë sa më shumë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë të cilët kanë dije përvojë në çështjet më delikate të planit të standardeve". "Natyrisht" që, sipas "Zërit", "në instancë të fundit, përgjegjësia për sukses dhe dështim do ti mbetet UNMIK-ut dhe Qeverisë së Kosovës e jo ekspertëveqë do të mund të angazhoheshin. Por pikërisht barra e përgjegjësisë kaq të madhe, e cila në rastin e pushtetit të Kosovës mund të ketë pasoja të rënda për procesin e zgjidhjes së statusit final, do të duhej ti shtynte autoritetet vendore të jenë shumë më aktive në këtë aspekt". "Bota Sot" ndërkaq numrin e qel me vlerësimin se "Ndërkombëtarët dhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta shikojnë çështjen e Kosovës në prizmin e interesave të Kosovës. Pra ta shikojnë çështjen e Kosovës nga prizmi i interesave të mrëfillta, i interesasve të vërteta, interesave reale, interesave jetike, interesave të përgjithëshme të Kosovës". Kjo, sipas "Bota Sot", "do të thotë që të mos e shikonë çështjen e Kosovës nga prizmi i interesasve të pjesëshme, madje tepër të pjesëshme, tepër të llastuara, tepër luksoze, tepër të sajuara, tepër jorealiste të një pakice të caktuar, siç është pakica serbe e Kosovës". Gazeta komenton se " Pakicës serbe të Kosovës, nga ana e ndërkombëtarëve, i duhet çuar mesazhi i qartë dhe i pa nëntekste, i padykuptimësi apo shumëkuptimësi, se kjo pakicë do ta gjejë veten në kuadrin e interesave të vërteta të Kosovës, në kuadrin e interesave të qytetarëve të Kosovës në përgjithësi".