1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit të Shqipërisë

21 Dhjetor 2003
https://p.dw.com/p/As3M
Ani Ruci/Tiranë Përpjekjet e kryeminsitrit Fatos Nano për të rikompozuar qeverinë edhe rezultatet e deritanishme te negociatave me partitë për këtë qëllim vazhdojnë të jenë tema me të cilën shtypi i Tiranës hap materialet e tij. Gazeta "Korieri"parashikon në titullin kryesor se Kryetari i PSD, Gjinushi ka gjasa të mbetet jashtë qeverisë së re. Kjo, sqaron gazeta, pasi negociatat mes dy palëve deri dje ne mbrëmje vazhdojnë të mbeten pezull. PSD refuzon të marrë pjesë në një koalicion partish ku janë edhe reformatorët opozitarë të Pollos. Gazeta" Korieri" njofton se sot PSD do të marrë vendimin përfundimtar ndërkohë që Nano po përgatit terrenin të formojë qeverinë edhe pa socialdemokratët duke u ofruar poste ministrore mbështetësve të lëkundur të ish kryeministrit Ilir Meta. Gazetat botojnë sot tekstin e plotë të një marrveshjeje që kryeministri Nano u ofron partive politike partnere për të bashkëpunuar në një qeveri të re te quajtur" Koalicioni për Integrim" në vend të "Aleanca për shtetin" siç u quajt, që nga viti 1997, qeverisja e majtë. Sipas kësaj marrveshjeje anëtarët e këtij koalicioni,theksojnë gazrtat, janë pjesë e vendimmarrjes se përbashkët në Parlament për të gjitha çështjet e rëndësishme. Gazeta" Koha Jonë" e konsideron këtë marrveshje pasojë të dështimit të kryeministrit Nano për t´u marrë vesh me partitë aleate. Dy forca politike, socialdemokratët dhe reformatorët janë shprehur se nuk pranojnë të firmosin një marrvershje të tillë. "Koha Jonë" boton sot edhe një intervistë me Nard Ndokën, kryetar i grupit parlamentar të reformatorëve në të cilën ai shpjegon se pjesëmarrja e forcës së tij politike ne qeveri ka si qëllim të fundit, rrëzimin e saj, përderisa kushti i vetëm i pjesëmarrjes është çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Gazeta "Panorama" njofton sot për një përçarje në rradhët e PSD lidhur me pjesëmarrjen ose jo në qeverinë e re. Sipas "Panoramës," kryeminsitri Nano i ka siguruar numrin e duhur të votave për të kaluar qeverinë e re në Parlamet edhe pa voten pro të socialdemokratëve. Kjo gazetë shkruan se disa mbështetës të ish kryeministrit Ilir Meta janë lëkundur dhe kanë kaluar në anën e Nanos. Gazeta përmend si të tillë Anastas Angjelin dhe Bashkim Finon, dy ish ministra në qeverinë Meta, që dhanë dorëheqjen para dy vitesh nën akuzat e Nanos,atëhere vetëm kryetar partie, për korrupsion dhe qëndrime abuzive me pushtetin. "Panorama" boton edhe përgënjeshtrimin e një kalimi të tillë, të mbështetur në burime nga grupi i Metës. Gazeta" Ballkan" njofton se javën e ardhshme kryeminstri Nano do të çojë emrat e ministrave të rinj tek Presidenti Alfred Moisiu për dekretim. Përveç dy posteve vakante te Ministrit të jashtëm dhe atij të brendshëm do të ketë ndryshime titullarësh edhe në shtatë ministri të tjera. Gazeta "Ballkan" përmend emrat e deputetëve socialistë Anastas Angjeli dheBashkim Fino si ministra në qeverinë e rikompozuar.