1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit te Kosovës

Agim Zogaj17 Nëntor 2003
https://p.dw.com/p/As4D
"Zëri" në komentin redaksional duke vëne theksin në ndryshimin rrënjësor të politikës kosovare, vëren se:"Thënë në përgjithësi, zyrtarët shqiptarë nuk po tregojnë që e kanë kuptuar peshën e përgjegjësisë dhe barrën e obligimeve që dalin prej Planit për Operacionalizimin e Standardeve. Ta zëmë, nëse nuk gabojmë, asnjë të vetmen herë ata nuk kanë theksuar një fakt tepër brengosës i cili është zënë në gojë së paku tre herë nga mark Grosman, nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike". Gazeta i rikujton lexuesit se "Sipas Grosmanit, nëse kosovarët nuk shënojnë një përparim thelbësor në përmbushjen e tetë standardeve të UNMIK-ut dhe të Perëndimit, statusi nuk do të hapet në vitin 2005 por do të shtyhet për më vonë".

Nisur nga kjo, gazeta konstaton se "Mund të merret me mend se çfarë do të thotë për të gjithë ne nëse statusi nuk zgjidhet me dinamikën tashmë të përcaktuar të Grupit të Kontaktit. Zyrtarët shqiptarë duhet të flasin hapur për këtë rrezik të madh, sepse në këtë mënyrë do të mund të motivojnë shumë më tepër të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare në realizimin e obligimeve na plani i përmendur i standardeve. Ata, së paku deri më tash nuk e kanë shqiptuar këtë rrezik, sepse sipas të gjitha gjasave, ende nuk e kanë kuptuar që tani gjenden para një sprove të re, që nëse duan ti kalojnë të gjitha pengesat në përmbushjen e standardeve, rendi është të ndryshojnë rrënjësisht organizimin e tyre dhe vetë qasjen e tyre politke".

"Bota Sot" duke bërë një paralele mes 17 nëntroit 2001, datë kjo e zgjedhjeve të para politike të Kosovës me njohje të plotë ndërkombëtare dhe 17 nëntorit të vitit 2003, analizon se "Vota e 17 Nëntorit 2001 ishte votë e deklaruar hapur dhe botërisht e popullit të Kosovës për konsolidimin e shtetit të pavarur dhe sovran të popullit të Kosovës për konsolidimin e shtetit të pavarur de sovran të Kosovës, të orientuar drejt integrimeve veriatlantike, ishte votë për institucionet qendrore shtetërore të Kosovës, të cilat autorizoheshin dhe u jepej besimi i plotë gjithëpopullor për të marë në duart e tyre fatin e Kosovës, ishte votë për moskthimin e Kosovës në të kaluarën e saj, ishte votë e kompensimit të kohës së humbur të Kosovës".

Gazeta nënvizon se " Sot, më 17 nëntor 2003, gjithkush mund ti dallojë qartë shtrembërimet dhe shmangiet, imponimet dhe trysnitë kundër përcaktimit të votës së popullit të Kosovës të dhënë më 17 Nëntor 2001, në mënyrën më shembulore, siç u vlerësua njëzëri dhe nga bashkësia ndërkombëtare".

Kurse "Kosova Sot" në editorialin e numrit tërhe vërejtje me konstatimin se " Megjithëse haptazi askush në Bruksel nuk përkrah pavarësinë e Kosovës, tashmë është më se q artë se ede BE-ja është e interesuar që ky problem të zgjidhet dhe një shtet i ri të lindë në Ballkan. Nëse familja evropiane do të dësihrojë një stabilitet në këtë rajon, atëherë duhet të njohë realitetin e ri dhe të pranojë pavarësinë e Kosovës".

Por, sipas "Kosova Sot", "natyrisht se ky pranim nuk do të bëhet brenda një dite. Zyrtarët evropianë do të përballen me kërkesat serbe për mbajtjen e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë. Lufta diplomatike me Beogradin nuk do të jetë aq e lehtë, sepse dihet se çfarë qëndrimi të ngurtë ka Serbia për Kosovën".

Prandaj, gazeta konkludon se "Në raportet BE- Serbi, do të nevojitet edhe ndërhyrja e politikës amerikane, për të detyruar palën serbe të pranojë zhvilimet e reja në rajon dhe humbjen përfundimtare të Kosovës".