1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra javore e shtypit ndërkombëtar

Herbert Peckmann5 Gusht 2006
https://p.dw.com/p/Aroa
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Përpjekjet ndërkombëtare për paqe në Lindjen e Mesme dhe përfundimi i krizës disamujore për krijimin e qeverisë në Ukrainë ishin tema në qendër të vëmendjes së shtypit ndërkombëtar të kësaj jave.


"Luxemburger Wort" tërheq vëmendjen për rreziqet e një anagzhimi ushtarak të BE-së në Libanin e Jugut:

"Që prej fillimit të prezantimit të përbashkët në arenën ndërkombëtare në fillim të viteve 70-të Evropa e ka pasur në qendër të vëmendjes vatrën e krizave në Lindjen e Mesme. Deri tani BE-ja e ka bërë një gjë të tillë si partnere e re e SHBA-ve. Tani BE-ja po përpiqet që ta zgjerojë në mlnyrë substanciale angazhimin e vet. Por BE-ja duhet të jetë e ndërgjegjshme se deri ku shkon angazhimi ushtarak, Në Lindjen e Mesme Evropën e pret një fushë vërtet e minuar dhe ajo duhet të përllogarisë me humbje jetësh."

"Le Figaro" thekson se Franca gjendet para një përgjegjësie të madhe në rast se merr përsipër drejtimin e trupës multinacionale.

"Shumica e vendeve që duan të marrin pjesë në aventurën e një trupe multinacionale presin prej Francës që si vend drejtues të marrë përsipër komandën dhe të vërë në dispozicion edhe kontigjentin më të madh të trupave. Libani dhe qeveria e tij si dhe Izraeli i kanë varur shpresat tek Parisi. Këto shpresa e vënë Francën përpara përgjegjësish të vështira."

Gazeta spanjolle ABC kritikon qëndrimin e OKB-së në konfliktin në Liban:

"OKB-ja dëshmoi edhe një herë se nuk është në gjendje të sigurojë paqen dhe ligjet ndërkombëtare. Qëkurse Izraeli filloi të mbrohej me dhunë kundrejt sulmeve terroriste të Hizbolahut, me mosndërmarrjen e asgjëje OKB-ja mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për ato që kanë ndodhur."

Gazeta vjeneze "Kurier" shprehet me zemëratë për qëndrimin e botës arabe:

"Lidhja Arabe, e përbërë prej 22 shtetesh, ia kaloi pas nxjerrë asnjë tingull përgjegjësinë për Libanin, OKB-së. As konferenca urgjente e Organizatës Konferenca Islamike, nuk solli ndonjë surprizë. Aty u dënua qëndrimi i anëshëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe u kërkua armëpushim i menjëhershëm, kuptohet prej Izraelit dhe jo prej Hizbollahut. Po kritika ndaj këtyre kriminelëve që e provokuan të gjithë këtë marrëzi ku mbeti?"

Kalojmë në temën tjetër. Pas muajsh të tërë krize qeveritare më në fund si kryeministër i vendit u zgjodh pro-rusi Viktor Janukoviç. Gazeta zviceriane "Tagesanzeiger" e quan këtë një shok për të gjithë ukrainasit:

"Me kthimin në pushtet të gardës së vjetër në sytë e ukrainasve quhet e humbur lufta për një vend demokratik me orientim perendimor. Përfshirja e Janukovicit në qeveri me gjithë rreziqet përmban edhe shance. Kryeministri përfaqëson lindjen rusishtfolëse të vendit, të cilën pushtetmbajtësit portokalli e kishin lënë pas dore."

Gazeta britanike "Financial Times" shkruan:

"Ukraina do të përfitonte në rast të dy Viktorët do të bashkëpunojnë me njëri-tjeritn. Si Brukseli edhe Moska do të bënin mirë që ta lejonin një gjë të tillë. Shumicës së ukrainasve nuk interesojnë aq çështje të tilla si anëtarësimi në NATO apo marrëdhëniet me Rusinë, por në radhë të parë e ardhmja e tyre ekonomike."

Gazeta ruse "Nesavisimaja Gazjeta" mendon se ata që kanë dalë të humbur janë zgjedhësit:

"Ajo që ndodhi së fundi në Ukrainë mund të quhet kapitullim i madh. Presidenti Jushçenko i shiti idealet e revolucionit portokalli duke i sheshuar kundërshtarit të tij më të madh Janukoviç rrugën për postin e kryeministrit. Me kompromisin e tij edhe Janukovici i ka tradhëtuar interesat e zgjedhësve të vet. Përfundimi, zgjedhësit humbën dhe politikanët fituan."

Kompromisin e arritur në Ukrainë gazeta italiane "Corriere della Sera" e komenton:

"Ukraina do të vazhdojë rrugën e afrimit me BE-në, edhe pse në Evropë askush nuk flet për ndonjë anëtarësim në një të ardhme të afërt. Po ashtu vendi do të vazhdojë të orientohet drejt NATO-s. Nga ana tjetër do të kemi një riafrim më të fortë me Moskën sidomos në drejtim të bashkëpunimit ekonomik."