1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Pastrimi i pejzazhit politik" - Në Rumani ish-punonjësit e sigurimit duhet të mbahen larg posteve drejtuese

Keno Versek20 Prill 2005

Më shumë se 15 vjet pas rëzimit të diktaturave komuniste e kaluara e vendeve të Evropës Lindore po shkakton dallgë të fuqishme. Në Poloni pak javë më parë dolën në pah në internet emrat e dhjetra mijë punonjësve të shërbimeve sekrete dhe të spiunëve. Në Sllovaki u zbulua e kaluara e ish-punonjësve të sigurimit të shtetit që janë tani funksionarë të lartë të kishës, në Hungari parlamenti ndërkohë po diskuton një ligj, nëse duhet të hapen plotësisht ose jo dosjet sekrete, pasi janë zbuluar lidhjet në të shkuarën me sigurimin e shtetit të një sërë personaliteteve të politikës.

https://p.dw.com/p/ArEg
Godina qeveritare dhe e parlamentit në Bukuresht
Godina qeveritare dhe e parlamentit në Bukuresht

Në fillim të marsit presidenti i Rumanisë Trajan Bashesku ia doli mbanë që arkivi i ish-sigurimit, sekuritates, t´i dorëzohet zyrës për hapjen e dosjeve. Qysh prej një jave parlamentit i është paraqitur i ashtuquajturi projektligji "i zbardhjes" për hapjen e dosjeve. Ky ligj parashikon që ish-antarët e nomenklaturës komuniste dhe ish-punonjësit e shërbimit sekret të përjashtohen nga poste të caktuara politike dhe publike.


Rumania është një ndër vendet e Evropës Lindore që ende nuk i kanë ndarë hesapet me të kaluarën komuniste. Ndërkohë kanë kaluar më shumë se 15 vjet qysh pas rëzimit të diktatorit Nikolae Çaushesku. Por edhe sot e kësaj dite shumë ish-kuadro të regjimit të Çausheskut vazhdojnë të jenë aktivë në politikë. Shembuj të njohur janë: ish-pinjolli Çausheskut dhe komunisti i mëvonshëm reformator Jon Iliesku, që ka qenë tri herë president i Rumanisë postkomuniste. Iliesku ka qenë një ndër poetët e "oborrit" të Çausheskut dhe spiun i sekuritates. Por ish-kuadrot gjenden sot jo vetëm në radhët e të gjitha partive papërjashtim, por edhe kudo në strukturat e aparatit shtetëror dhe në adminstratë.

Historiani dhe publicisti 38 vjeçar Adrian Shioroianu, deputet i partisë liberale-kombëtare në parlament, duke marrë shkas nga kjo situatë, ka përpunuar të ashtuquajturin ligji i zbardhjes. Nëpëmrjet këtij ligji synohet që ish-funksionarët e lartë si: antarë të Komitetit Qendror, apo ish punonjës të shërbimeve sekrete të mos kenë akses në poste të caktuara politike dhe në administratën publike. Këto figura nuk duhet të jenë më deputetë në parlament, ambasadorë, apo drejtues në sistemin e drejtësisë, të policisë, doganave dhe të administratës lokale.

"Këtu nuk është fjala për të cënuar ndonjërin personalisht. As nuk bëhet fjalë për ndonjë ligj Çaushesku apo për zbulimin e njerëzve të caktuar. I rëndësishëm në këtë mes është parimi. Ligji i zbardhjes nuk duhet të shkatërrojë fatin e dikujt, por duhet të mbajë të pastër pejzazhin politik", thotë publicisti Shioroianu.

Projektligji i tij nuk është tentativa e parë në parlamentin rumun për aprovimin e një ligji të tillë për dosjet. Në vitin 1990, vetëm pak muaj pas rëzimit të Çausheskut, demonstruesit kundër komunizmit në Timishoara kërkonin që ish-funksionarët të mos kandidonin për poste politike. Ndonëse qindra mijra vetë e mbështetën "prokamimin e Timoshoarës", ky nuk mundi të kalojë në parlament. Një projektligj i dytë u paraqit në parlament në vitin 1999, por ai asnjëherë nuk u diskutua në seancat plenare. Adrian Shioroianu tani ka marrë përsipër të kalojë për herë të tretë në parlament "Proklamimin e Timishoarës", ndonëse ai nuk llogarit me mbështetje të gjerë si në vitin 1990.

"Nuk është aspak befasues fakti që njerëzit tani kanë të tjera prioritete. Ata kërkojnë punë dhe duan të jetojnë më mirë. Por mendoj, se një ligj i tillë shërben në radhë të parë si test për partitë, aq më shumë tani që nëntorin e kaluar ndodhi edhe kthesa. Propozimi i një ligji për zbardhjen shërben edhe për testimin e reagimeve të elitës aktuale politike."

Ende nuk është e qartë, se kur do të debatohet ky ligj në parlament. Situata është disi e komplikuar edhe për faktin, se një tjetër ligj i ngjashëm i është paraqitur parlamentit me inciativën e deputetit Kosmin Gusa. Megjithatë ky i fundit nuk gëzon besimin e ish-revolucionarëve antikomunistë të Timishoarës. Kjo për arësye se ai ka ndryshuar disa herë partitë dhe ka qenë edhe anëtar i partisë ish-komuniste që deri nëntorin e kaluar mbante pushtetin. Para pak kohësh Gusa doli nga radhët e partisë demokratike të presidnetit Trajan Bashesku.

Bashesku nuk e vlerëson ligjin e dosjeve të ish-shokut të partisë së tij, kështu i ka pohuar ai vet në intervistë gazetarit të njohur rumun Karol Sebastian.

"Diskutimi për një ligj mund të jetë i rëndësishëm, nëse ai zhvillohet në parlament. Në rast të kundërt, ky diskutim është vetëm një mjet i disa politikanëve të dështuar që duan të ngrenë kokën për të treguar: "jam ende këtu."

Parimisht presidenti rumun do ta mbështeste një ligj transparence me të gjitha pasojat e tij.

Adrian Shioroianu dëshiron tani që nga të dy projektligjet e paraqitura në parlament të përpunojë një ligj të vetëm. Nëse ai do të miratohet ndonjëherë, për këtë ai nuk guxon të bëjë parashikime. Por një sërë kolegësh në parlament i kanë sinjalizuar atij mbështetje.

"Unë e di që presidenti do ta mbështesë një iniciativë të tillë. E di që edhe kolegët e partisë liberale-kombëtare dhe ata të partisë dmeokratike do ta mbështesin këtë ligj, madje edhe vet anëtarët e partisë socialdemokrate, pra ish-komunistët janë pro. Vërtetë unë njoh njerëz nga radhët e tyre që e duan një ligj të tillë, në mënyrë që partia së fundi të shpëtojë nga hija e së kaluarës. Për t´u kthyer edhe një herë tek presidenti Bashesku, mbështetja e tij ka peshë të veçantë."