PDK fiton zgjedhjet - LDK konteston rezultatin
14 Dhjetor 2010Komisioni qëndror i zgjedhjeve në bazë të rezultateve paraprake shpall fituese të zgjedhjeve PDK e udhëhequr nga Hashim Thaçi me 33.5 përqind të votave. E dyta radhitet LDK me 23.6 përqind e kryebashkiakut Isa Mustafa. Partia e tretë radhitet Lëvizja Vetvendosja me 12.2 përqind. Lëvizja Vetvendosja garoi për herë të parë në këto zgjedhje. AAK radhitet partia e katërt me 10.8 përqind të votave dhe AKR e biznesmenit Behxhet Pacolli, radhitet partia e pestë me 7.1 përqind të votave. Kryetarja e KQZ, Valdete Daka, thotë se ky rezultat ka dalë nga shumica e vendvotimeve të numëruara me një pjesëmarrje në votime prej 47.5 përqind.
Akuza për parregullsi
Lidhja Demokratike e Kosovës, e kryebashkiakut Isa Mustafa, konsteston rezultatet paraprake të zgjedhjeve të publikuara nga KQZ-ve, ku partia e tij radhitet e dyta pas PDK-së, e udhëhequr nga Hashim Thaçi.
Isa Mustafa, tha sot se ka dyshime të bazuara në përqindjen e lartë të prezantuar në favor të Partisë Demokratike e Kosovës. PDK-së sipas KQZ-së, fitoi 33.5 përqind të votave, ndërsa, LDK-së 23.6 përqind të votave. "Konsiderojmë që rezultatet paraprake të prezantuara nga KQZ-ve, me të cilat ilustrohet një përparësi e madhe e PDK-së kundruar LDK-së, është e habitshme dhe është e papranueshme për LDK-së", tha Isa Mustafa në një konferencë për media.
Komisioni për aneksa dhe parashtresa, deri tash ka marrë 171 ankesa të subjekteve të ndryshme politike për parregullsi në zgjedhje. Shumica e ankesave kanë të bëjnë me dy komuna, atë të Skënderajt dhe Drenasit, ku përqindja e daljes në votime ishte mbi 90 përqind dhe ku vëzhguesit e zgjedhjeve konstatuan parregullsi.
Rrjeti i organizatave joqeveritare Demokracia në veprim, që monitoroi zgjedhjet, tha sot se ka bazë për anulim të zgjedhjeve në Skenderaj dhe Drenas, mirëpo fjalën e fundit për këtë duhet ta thotë komisioni për ankesa dhe parashtresa.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Angjelina Verbica