1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pesë hapa për kapërcimin e "konjukturës së vështirë"

Niko Anagnosti/ Athinë20 Nëntor 2007

Ministrja e jashtme greke Dora Bakojani, i paraqiti Këshillit të Ministrave të jashtëm të BE-së një paketë idesh me 5 masa konkrete për vendet e Ballkanit Perëndimor.

https://p.dw.com/p/CPE7
Ministrja e jashtme greke Dora Bakojani dhe kolegu maqedonas, Milososki
Ministrja e jashtme greke Dora Bakojani dhe kolegu maqedonas, MilososkiFotografi: MIA

Në konferencën për shtyp me gazetarët grekë, Dora Bakojani e cilësoi konjukturën aktuale të këtyre vendeve " veçanërisht të vështirë" dhe se ajo çka u duhet është një objektiv i qartë, që s’ mund të jetë tjetër veçse "vizioni evropian". "Qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian por edhe Komisioni Evropian kanë mundësinë që mbi bazën e propozimeve greke të bëjnë lëvizje konkrete të cilat do të përcjellin në mënyrë kredible këtë mesazh ndaj gjithë popujve të Ballkanit Perendimor" theksoi Bakojani, e cila për çështjen e Kosovës tha se me gjithë përshtypjen "jo aq optimiste" që dominoi u shpreh vendosmeria e të gjithëve në "mbështetje të troikës" gjatë tri javëve që mbeten deri më 10 dhjetor.

Por cilat janë këto masat konkrete, sipas zëdhenësit të ministrisë së jashtme greke?

Së pari, përshpejtimi i procedurës së nënshkrimit të Marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit me Serbinë dhe Bosnjë-Herxegovinën.

Së dyti, inkurajimi i proçesit të dhënies së statusit të vendit kandidat për vendet e Ballkanit Perendimor që kanë nënshkruar marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit. Për këtë Komisioni Evropian të paraqesë mendimin e tij në shtator të vitit 2008 dhe Këshilli Evropian të vendosë në dhjetor.

Së treti, të merret në vazhdim një vendim për datën e fillimit të negociatave të integrimit konform zbatimit të kritereve.

Së katërti, heqja e vizës për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perendimor dhe

Së pesti, Bashkimi Evropian të akordojë fonde shtesë për këto vende.

Reagimet e para ndaj propozimit grek, sipas zonjës Bakojani e cila informoi sot dhe kryeministrin Karamanlis, ishin pozitive si nga ana e homologëve të saj evropianë po kështu edhe nga ana e komisionerit për zgjerimin Oli Ren. Një diskutim më i detajuar i tyre do të bëhet në samitin evropian të muajit të ardhshëm.