1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Philip Gordon inkurajon nisjen e dialogut

12 Maj 2010

Ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Philip Gordon, inkurajoi autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë që të bëjnë përpjekje për nisjen e dialogut për çështje teknike. Pas qëndrimit në Kosovë ai do të vizitojë edhe Serbinë.

https://p.dw.com/p/NMSr
Prishtina
PrishtinaFotografi: Zulfija Jakupi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të marrin rolin e lehtësuesit në bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kështu tha në Prishtinë ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Philip Gordon, gjatë një vizite, që po realizon në Kosovë. Këtë mesazh diplomati amerikan do ta përcjellë edhe në Beograd.

“Nëse përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të Serbisë përgatiten të ulen së bashku dhe fillojnë të ballafaqohen me këto çështje teknike, kjo është diçka e mirë dhe ne do t'i përkrahim duke ofruar edhe ndihmën amerikane në rolin e lehtësuesit të këtyre bisedimeve”, tha Philip Gordon. Qeveria e Kosovës tashmë është shprehur hapur në favor të fillimit të bisedave teknike me Serbinë, mirëpo që këto të zhvillohen vetëm në cilësinë e dy shteteve fqinjë.

Diplomati i lartë amerikan tha se vendi i tij mbështet integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Mirëpo kur është fjala për Serbinë, ai tha se fillimisht Serbia duhet t'i zgjidhë dallimet në lidhje me Kosovën, para se t'i bashkohet Bashkimit Evropian.

“Serbia mund të hyjë në Bashkimin Evropian vetëm atëherë, kur t'i përfundojë dhe të zgjidhë dallimet, që ka me Kosovën. Edhe Bashkimi Evropian ka qenë i qartë dhe ka dhënë sinjale për zgjidhjen e kontesteve kufitare dhe nevojën e bashkëpunimit rajonal. Në këtë po bazohem që Serbia duhet të zgjidhë dallimet me Kosovën para se të hyjë në Bashkimin Evropian”, tha Philip Gordon.

Ndihmëssekretari amerikan i shtetit viziton Kosovën, në kohën kur këtu ka një tendosje raportesh ndërmjet misionit evropian EULEX dhe institucioneve të Kosovës, pas bastitjes dhe hetimeve për korrupsionin nga ana e EULEX-it në Ministrinë e Telekomunikacionit. Philip Gordon tha se Shtetet e Bashkuara janë pjesë e misionit EULEX-it dhe ato do ta mbështesin këtë mision në luftimin e dukurive negative, siç është krimi i organizuar dhe korrupsioni.

“Korrupsioni nuk ka vend në këtë shoqëri. Nuk dua të përqendrohem në ndonjë rast specifik. Por në përgjithësi, ne qëndrojmë pas EULEX-it, si mision që ka për qëllim të sigurojë sundimin e ligjit në Kosovë”, tha Filip Gordon.

Diplomati amerikan gjatë qëndrimit në Prishtinë takoi me dyer të mbyllura presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaci, mirëpo asnjëri nga udhëheqësit kosovarë nuk u paraqit para mediave. Konferencën për medi, Philip Gordon e mbajti së bashku me minsitrin kosovar të punëve të jashtme, Skënder Hyseni.

Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi