1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pjatalarës me diplomë – Ligji i ri migracionit u krijon mundësi diplomuesve të gjejnë punë në Gjermani, por sa e përballon këtë ligj tregu i punë?

S.Padori/A.Shuka13 Shkurt 2005

Nga cikli i Dojçe Veles – Migracioni në Gjermani (3)

https://p.dw.com/p/Ar4d
Studente ne provim
Studente ne provimFotografi: AP

Studentët e huaj në Gjermani kanë filluar të marrin frymë lirisht. Me ligjin e ri të migracionit, kanë të drejtë të rrinë një vit për të kërkuar një punë në zanatin ku janë diplomuar. Kjo ka si pasojë që të paktën të jenë më të qetë kur të marrin diplomën. Por sa realist është ky rregull në Gjermani, ku 12 për qind e popullsisë aktive është e papunë? Anila Shuka dhe Silvera Padori informojnë:

Filip Joveski studjon elektronikë në universitetin e Berlinit. 26vjeçari maqedonas sapo ka përfunduar vitin e tretë. Mbas dy vjetësh ai shpreson të diplomohet. Dëshira e tij është të qendrojë në Gjermani. Me ligjin e ri të migracionit e ndjen veten më qetë, thotë Joveski.

“Deri tani të rinjve u është dashur të gjejnë mënyra të ndryshme për të qendruar në Gjermani. Kush kishte fat, regjistrohej në një fakultet të ri. Tani të gjithë shpresojnë se do të gjejnë ndonjë punë.”

Që nga një janari i këtij viti çdo student që përfundon shkollën e lartë, ka të drejtë të qendrojë një vit për të kërkuar punë, shpjegon Michael Hampel nga zyra e të huajve në Berlin.

“Sigurisht jo si pjatalarës”, shton më pas nëpunësi gjerman. "Puna duhet të ketë të bëjë me shkollën."

Kush ka fat dhe gjen punë fiton një leje qendrimi. Por edhe kjo është e kufizuar, po aq sa edhe kontrata e punës. Atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera e kanë të vetkuptueshme, pra mbajtjen në vend të fuqisë puntore të kualfikuar, Gjermania arriti ta ankoronte me ligj vetëm me fillimin e vitit 2005. Më mirë kështu se më parë, vlerëson Hampel.

“Më parë të privilegjuar ishin vetëm antarët e vendeve të Bashkimit Evropian, të Marrëveshes së Tregtisë së lirë. Tani të paktën ekziston mundësia për një filipinas apo indonczian, të kërkojë punë për një vit, dhe që në qoftë se gjen të qendrojë në vend.“

Por, edhe pas këtij ligji shkaqet për të qenë optimist janë të pakta. Jo vetëm që mungojnë vendet e reja të punës – në Gjermani ka mbi pesë milionë të papunë – por ato janë fillimisht të rezervuara për shtetasit e Bashkimin Evropian. Joveski nuk është shumë optimist.

“Unë i njoh risitë e ligjit dhe jam i gëzuar. Ato dëgjohen bukur, por nuk e lehtësojnë edhe aq pozitën tonë. E vërteteta është se ne mund të qëndrojmë një vit dhe të kërkojmë vend pune, por megjithatë për punë përparësi kanë gjermanët dhe vendet e vjetra të BE-së, pastaj anëtarët e rinj dhe në fund na vjen rradha neve.”

Ndoshta ndonjë diplomuesi, si puna e Joveskit, do t’i duhet të kërkojë punë me të vërtetë një vit duke larë pjata, e pastaj të paktojë valixhet, për një vend tjetër. Por shpresa shuhet e fundit.

Pas nje jave: Migracioni në Gjermani (4): Shkencëtarë, mirë se të vini, por me rrogë të majme! - Në bazë të ligjit të ri të migracionit të kualifikuarit kanë të drejtë të marrin lejen e përhershme të qendrimit.

Pyetjet mund te na i dergoni ne adresen:
Deutsche Welle
Albanische Redaktion
53110 Bonn
Email: shqip@dw-world.de

ose fax: 0049-0228-429-4690