1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pjesë nga shtypi i sotëm gjerman

Elert Ajazaj6 Janar 2006

Përfundimi i jetës politike të kryeministrit izraelit Ariel Sharon është në qendër të komenteve të gazetave.

https://p.dw.com/p/Ars2
Fotografi: AP
Gazeta berlineze Tageszeitung komenton zhvillimet e fundit në Izrael: Ariel Sharoni ishte një Napoleon izraelit. Pikërisht tani ai ishte duke kapërcyer kufirin drejt pushtetit absolut, i cili do t'i mundësonte përmbushjen e ideve. Çfarë do të kishte bërë ai me këtë pushtet? Programi i tij njihej që prej vitesh. Bashkimi i më shumë se gjysmës së Bregut Perëndimor të lumit Jordan me Izraelin, enklava të pafuqishme palestineze në territoret e tjera të pushtuara, tërheqje e kolonëve nga këto territore të mbetura. E tëra kjo pa negociata dhe pa mirëkuptim me palestinezët, por në marrëveshje me amerikanët. Ora e tij kishte ardhur dhe papritur ajo merr fund. Pikërisht kur ai ishte duke plotësuar synimin e jetës së vet fati e ndali. Duke mbetur tek kjo temë në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung lexojmë: Jo vetëm Izraeli, nga tani bota do të duhet të jetojë pa politikanin Ariel Sharon, një burrë i cili vitet e fundit përshkoi udhën nga skaji i djathtë dhe u kthye në luftëtar të qendrës. Kjo do të thotë që fillimi i vitit të ri shoqërohet nga të panjohura të tjera në Lindjen e Afërme. Vitet e fundit Sharoni fitoi me politikën e tij edhe besimin e atyre izraelitëve, të cilët përndryshe nuk i pranojnë pikëpamjet e tij. A mund ta konsolidojë partinë e re të themeluar nga Sharoni Kadima Ehud Olmerti, i cili hë për hë ka marrë stafetën, dhe ta udhëheqë atë në fitore zgjedhore më 28 mars? Apo do të shfrytëzojë Netanjahu mundësinë e krijuar, për ta shkatërruar ndoshta këtë parti dhe për t'i rikthyer në gjirin e Likudit të ashtuquajturit Likudniks? Më tej në gazetën General-Anzeiger të Bonit: Kush shpreson që kreu i qeverisë në detyrë Ehud Olmert apo ndonjë pasues tjetër në postin e kryeministrit mund të hedhë hapat e synuara nga Sharoni në drejtim të zgjidhjes së konfliktit, ai ushqen iluzione. Pa Sharonin Izraelit i mungon burri i fortë të cilin kërkonin masat dhe i cili nevojitej dhe nevojitet për të vendosur për heqjen dorë nga territore, temë jopopullore kjo dhe e "dhimbshme". Praktikisht me largimin e Sharonit edhe izraelitët kanë mbetur pa udhëheqje si palestinezët, tek të cilët Mahmud Abbasi pas sukseseve të fillimit e ka humbur me kohë kontrollin. Në gazetën Berliner Zeitung ky opinion: Tani shihet që politika ndaj Lindjes së Afërme e presidentit Bush e mbështetur vetëm mbi dy faktorë nuk u mjafton aspak pretendimeve për udhëheqje të një fuqie botërore. Faktori i parë ishte lufta e Irakut, e cila synonte të sillte ndryshimin e gjendjes strategjike në favor të Perëndimit me anë të një demokratizimi hap pas hapi të rajonit. Kjo doli të ishte një goditje e gabuar. Por faktori i dytë ishte Ariel Sharoni, i cili e ndiqte në mënyrë ideale synimin e qeverisë amerikane për t'i ndihmuar pak palestinezët në arritjen e së drejtës së tyre pa kërkuar shumë nga izraelitët (dhe nga miliona zgjedhësit hebrenj në SHBA) dhe e gjitha kjo pa ndonjë angazhim të madh të amerikanëve. Tani ky mosangazhim i udhëheqjes amerikane po hakmerret. Në mbyllje nga gazeta Financial Times Deutschland mbi kompaninë Microsoft: Se në çfarë transformimi gjendet sektori këtë e tregon në panairin Consumer Electronic Show fjala e hapjes e themeluesit të Microsoftit Bill Gates, fjalimet vjetore të të cilit të kujtonin më parë fjalimet e Helmut Kohlit për vitin e ri. Kolosi qëndronte patundur, gjithçka ishte në rregull dhe përmirësohej, si gjithnjë. Kjo ka ndryshuar tani. Gates lëshoi dje goditje, sepse gjiganti nuk është më i pasulmueshëm dhe gjendet nën trysni nga shumë drejtime. Që Gates detyrohet të sqarojë nëse është IBM-ja apo Google-i konkurrenti kryesor i Microsoftit nxjerr në pah pak dobësi. Por Microsofti nuk është në mbrojtje në të gjitha fushat. Sulmohet Appel-i, Sony gjithashtu. Megjithatë në ritualin e Gatesit u dëgjua një tingull nervozizmi dje.