1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plani i Serbisë - Nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake në Kosovë

Cani, Bahri15 Janar 2008

Qeveria e Serbisë ka hartuar një plan veprimi, që do të aktivizohet në rast se Kosova shpall pavarësinë. Plani trajtohet si sekreti më i lartë shtetëror, por disa gjëra megjithatë kanë dalë në shesh.

https://p.dw.com/p/Cpsw
Ministria e mbrojtjes në BeogradFotografi: AP Photo

Serbia nuk do të përdorë ushtrinë, në rast se Kosova shpall pavarësinë, por do të ndërmarrë masa të tjera kundër saj dhe të gjitha vendeve që e njohin këtë pavarësi. Burimet e informuara mirë thonë se Beogradi ka vendosur që t'i rishikojë raportet diplomatike me vendet, që do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Do të ketë demarshe, tërheqje ambasadorësh e madje edhe ngrirje të raporteve diplomatike.


Këto burime pohojnë se masat më të ashpra të Beogradit do të ndërmerren ndaj vendeve fqinje. Disa media serbe njoftojnë se Beogradi ka vendosur që kundër Kosovës të aplikojë edhe bllokadën ekonomike. Mirëpo ka dhe zëra të tjerë, që pohojnë se me këto masa, më së shumti do të dëmtohej popullata serbe. Prandaj është kontestuese nëse masat mund të aplikohen në mënyrë selektive.

Rezolta: Kosova dhe Metohia pjesë e pandashme e Serbisë

Boris Tadic und Vojislav Kostunica EU-Abstimmung
Presidenti Boris Tadic dhe kryeministri Vojislav Kostunica në parlament më 26 dhjetor 2007Fotografi: AP Photo/Darko Vojinovic


Në kumtesën zyrtare të lëshuar pas takimit të qeverisë thuhet se plani i veprimit bazohet në rezolutën e kuvendit të Serbisë, të miratuar më 26 dhjetor të vitit të kaluar. Kuvendi ka kërkuar që të shpallen të pavlefshme të gjitha dokumentat për pavarësinë e Kosovës si dhe njohja e saj prej vendeve të tjera. Prioriteti kryesor i rezolutës është, siç thuhet, "mbrojtja e Kosovës e Metohisë si pjesë e pandashme e Serbisë, deri në arritjen e kompromisit në bazë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së".


Krerët e Serbisë kanë pohuar se do të përdorin të gjitha mjetet juridike "për mbrojtjen e Kosovës". Disa këshilltarë të kryeministrit Koshtunica nuk e kanë përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes së ushtrisë. Mirëpo, ministri i mbrojtjes, Dragan Shutanovac, thotë se realisht nuk ekziston mundësia e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë. "Kfori pohon se 16.500 ushtarët e tyre janë të mjaftueshëm për sigurimin e paqës dhe stabilitetit në Kosovës", deklaroi Shutanovac, për gazetën "Dnevnik", e cila botohet në Novi Sad. Futja e ushtrisë serbe në Kosovë, sipas tij, mund të ketë kuptim vetëm në qoftë se Kfori nuk është në gjendje ta kontrollojë situatën dhe e fton ushtrinë serbe për ndihmë. Ministri i mbrojtjes pohon se ushtria serbe në një rast të tillë nuk do të konfrontohej me Kforin dhe askend tjetër, por vetëm me ata të cilët duan të shkaktojnë konflikte të përmasave më të gjëra.