1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polenc: BE dhe Gjermania do ta ndihmojnë Kosovën

Bahri Cani10 Janar 2008

Intervistë me kryetarin e Këshillit për politikë të jashtme në Bundestag, Ruprecht Polenz i cili krijimin e qeverisë kosovare me bazë të gjerë e cilëson si sinjal të mirë. Po a do ta pranojnë BE dhe Gjermania pavarësinë?

https://p.dw.com/p/CnNr
Ruprecht PolenzFotografi: ZB - Fotoreport

"Arritja e një baze të gjerë parlamentare në Prishtinë është sinjal i mirë, kur dihen sfidat që Kosovën e presin edhe në vitin 2008", pohon Rupreht Polenc (Ruprecht Polenz) duke shtuar se "ende duhet pritur të shikohet nëse ajo është në gjendje t'u përgjigjet këtyre sfidave."

DW: Mirëpo Kosova edhe në të ardhmen, pa marrë parasyshë krijimin e koalicionit të madh, do të ketë nevojë edhe për prezencën dhe ndihmën ndërkombëtare.

Polenc: "Pa dyshim. Do të jetë shumë me rëndësi që parlamenti i Kosovës ta bëjë të qartë se ka nevojë për ndihmën e mëtejshme të bashkësisë ndërkombëtare, si në aspektin e prezencës ushtarake, ashtu edhe juridike dhe policore."

DW: Një prej sfidave më të mëdha në të ardhmen do të jetë siguria e minoriteteve dhe angazhimi për çtensionimin e gjendjes tek popullata serbe, e cila nuk do të jetë e kënaqur me pavarsinë e Kosovës. Çfarë duhet të bëjë Qeveria e re e Kosovës, në këtë drejtim?

Polenc: "Është shumë me rëndësi që secila qeveri e Kosovës, të gjitha punët t'i koordinojë mirë me planin e Ahtisarit. Në radhë të parë sa i përket mbrojtjes së minoriteteve. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me sigurinë e pasurive kulturore, por minoriteti serb duhet të ketë të drejtat e njëjta sikur edhe shumica shqiptare. Është kjo një prej pikave esenciale ku do të shihet edhe nëse Kosova po shkon përpara drejt proceseve integruese evropiane apo jo."

DW: Megjithatë pika qendrore dhe më e rëndësishmja për Qeverinë e re të Kosovës do të jetë statusi. Kosovarët mendojnë se nuk ka mbetur ndonjë zgjidhje tjetër, përveç shpalljes së pavarësisë. A do ta mbështesin Gjermania dhe BE këtë pavarësi?

Polenc: "Në qoftë se KS nuk është në gjendje që ta miratojë një rezolutë të re, të gjithë hapat duhet të koordinohen shumë ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare dhe duhet të përputhen me propozimet e Ahtisarit. Kjo do të thotë se, për shembull, shpallja e pavarësisë së Kosovës do të duhej të përfshinte edhe dëshirën për prezencën ushtarake ndërkombëtare, kërkesën për ndihmë juridike dhe policore si dhe garancën se do të zbatohen sugjerimet e Ahtisarit për minoritetet. Këto duhet të jenë pjesë e secilit dokument me të cilin kërkohen ndryshimi i statusit të Kosovës."

DW: A do të thotë kjo se nën këto kushte Gjermania dhe BE janë të gatshme ta njohin pavarësinë e Kosovës?

Polenc: "Në BE ndërkohë ekziston një gatishmëri e gjerë që të veprojë së bashku dhe t'i ndihmojë Kosovës për zgjidhjen e problemeve të veta. "