1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politikë e re në Nato me Obamën - Ministrat e mbrojtjes së Natos takohen në Krakov të Polonisë

Christoph Hasselbach 19 Shkurt 2009

Në Krakov të Polonisë mblidhen (19.02) në një takim jozyrtar ministrat e mbrojtjes të vendeve të NATO-s. Tema qendrore është se si mund të ndryshojë politika nën drejtimin e presidentit të ri të SHBA-së, Obama.

https://p.dw.com/p/Gwbq
Asambleja e përgjithshme e NATO-sFotografi: picture-alliance/ dpa

Gjatë konferencës së Mynihut për Sigurinë zv-presidenti amerikan, Joseph Biden, e përmblodhi duke shkelur pak syrin me këto fjalë politikën e re të qeverisë Obama në lidhje me NATO-n: „Amerika do të bëjë më tepër. Ky është lajmi i mirë. Lajmi i keq është se Amerika do të kërkojë më tepër edhe prej partnerëve tanë.“

Aleatët po përgatiten për kërkesën për të vënë në dispozicion trupa shtesë për misionin në Aganistan. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz-Josef Jung, do që në këtë mes të mos lihet pas dore aspekti civil, në të cilin Gjermania përqëndrohet në mënyrë të veçantë: „Pa siguri nuk ka zhvillim, po pa zhvillim nuk ka as siguri. Ne nuk mund të kemi atje sukses vetëm me mjete ushtarake.“

Afghanistan Bombenanschläge in Kabul und Umgebung auf NATO und Polizei
Autokolonë e NATO-s në AfganistanFotografi: AP

Ndryshimi nga Bushi te Obama mund të sjellë vërtet një balancim të ri mes aspektit ushtarak dhe atij civil të shkollimit në misionin e Afganistanit. Interesant është fakti se pikërisht ministri i Mbrojtjes, Robert Gates, i cili e mbajti këtë post megjithë ndryshimin e qeverive, është ai, që hodhi së fundi idenë e një ndryshimi në qëndimin amerikan. „Shqetësimi im është se afganët na konsiderojnë ndërkohë më tepër ne si problem se sa si zgjidhje të problemeve të tyre. Po të jetë kështu kemi humbur.“

Partnerët nuk duhet t'i lënë në baltë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, është e rëndësishme, që çfarëdolloj qëndrimi, që të mbajnë partnerët, ata nuk duhet t'i lënë në baltë Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Në lidhje me stacionimin e sistemit të mbrojtes kundër raketave atomike në Poloni dhe Çeki pritet të ketë një lloj ndryshimi. Rusia vazhdon t'i quajë si kërcënim këto plane. Ndërkohë që zv-presidenti amerikan Joseph Biden tha në Mynih se puna për sistemin e raketave do të vazhdojë për të qënë të përgatitur ndaj kërcënimit iranian në rritje, por kjo varet nga teknika dhe shpenzimet. Po ashtu ai theksoi se për këtë do të vazhdojnë bisedimet edhe me partnerët e Natos dhe Rusinë.

Robert Gates
Sekretari amerikan i mbrojtjes Robert GatesFotografi: AP

Përmendja e teknikës dhe e shpenzimeve duhet të kuptohet të paktën si shtyrje e projektit dhe toni kooperativ ndaj Rusisë duket se po sjell rezultatet e para. Qeveria ruse ka lënë të kuptohet se ndoshta do të heqë dorë prej raketave me rreze të shkurtër veprimi në zonën e Kaliningradit, të cilat kanë si objektiv NATO-n, gjë për të cilën ishte shprehur si reagim ndaj planeve amerikane për sistemin e mbrojtjes ndaj raketave. Po ashtu duket se bashkëpunimi në lidhje me transportimin e mallrave joushtarake të Natos për në Afganistan përmes territorit rus po merr forma konkrete. Tani që rrugët e transportit përmes Pakistanit po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme, NATO-ja është shumë e kënaqur për mundësinë e rrugëve alternative.