1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika e presidentit amerikan Bush e ka dëmtuar shumë reputacionin e SHBA-ve

Daniel Scheschkevitz14 Shtator 2004

Në sytë e evropianëve SHBA kanë humbur gjatë dy viteve të fundit shumë pikë. Ky fenomen vihet re edhe në radhët e atyre vendeve që deri dje ishin aleatë të SHBA-ve në luftën në Irak. Shkaku për këtë janë gjendja e pështjelluar në Irak si dhe politika e jashtme e presidentit aktual amerikan, Xhorxh Bush. Por politika e presidentit amerikan po ndesh gjithnjë e më tepër në kundërshtarë madje edhe në SHBA. Sipas të dhënave të një pyetsori të botuar së fundi në rast se popullsia e botës do të duhej të zgjidhte më 2 nëntor mes John Kerry-t dhe Bush-it, ky i fundit nuk do të kishte asnjë pikë shanci.

https://p.dw.com/p/ArSI
This Land is my Land!
This Land is my Land!Fotografi: Atomfilms

Ndër sondazhet që po zhvillohen në SHBA John Kerry renditet për momentin pas presidentit aktual amerikan, po sikur më 2 nëntor të kishin të drejtë të votonin të gjithë banorët e botës, atëhere ai s'kishte fare pse ta vriste mendjen për fitoren. Sipas të dhënave të institutit kanadez për demoskopinë "Globe scan" të zhvilluar në 35 vende të botës, demokrati Kerry do të fitonte në 30 vende shumicën e votave. Vetëm polakët, filipinasit dhe nigerianët do të votonin pro Bushit. Në Tajlandë dhe në Indi Bushi dhe Kerry morën të njëjtat vota.

Bie në sy se George Bush-i dhe politika e tij po ndesh gjithnjë e më tepër në refuzim edhe në radhët e vendeve tradicionalisht aleate. Në Gjermani, Norvegji, Francë, Holandë, Itali dhe në Kanada shumica e të pyeturve do të votonin për Kerry-n. Rasti i Polonisë shpjegohet me faktin se ky vend është një ndër partnerët e rinj të SHBA-ve.

Sa u përket shkaqeve të kësaj antipatie globale ndaj SHBA-ve, studiuesit erdhën në përfundimin se kjo ka të bëjë në radhë të parë me politikën e jashtme të presidentit amerikan dhe luftën në Irak. Krahasuar me të dhënat e sondazheve të para katër viteve simpatia ndaj SHBA-ve ka shënuar rënie dramatike. Në Gjermani p.sh. nga 83% në 46 %. Doug Miller punonjës i institutit "Globe Scane" vëren:

"Ne vëmë re se gjatë periudhës së presidentit Bush kurba e simpatisë për SHBA-të ka shënuar kudo - me përjashtim të Rusisë - rënie. Të gjitha të dhënat tona tregojnë se kemi të bëjmë me një fenomen të ri, që lidhet me politikën e jashtme të qeverisë së Bushit dhe që çon në një qëndrim anti-amerikan.

Këto tendenca vihen re edhe në sondazhet e tjera. Sipas të dhënave të fundit të një studimi të "German Marshall Fund" gjatë dy viteve të fundit po vihet re një humnerë mes vendeve të Evropës dhe SHBA-ve. 79% e evropianëve të anketuar janë kundër një roli drejtues global të SHBA-ve në politikë. Këtë vit kjo shifër është shtuar me 9%.

Megjithatë pavarësisht prej dallimeve në qëndrime shumica e amerikanëve dhe e evropianëve janë të mendimit se kanë vlera të mjaftueshme të përbashkëta për të bashkëpunuar për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare. Gjithsesi sipas të dhënave të "Globe scan" në botë po përhapet gjithnjë e më tepër paragjykimi se SHBA-të nuk interesohen për pjesën tjetër të botës.