1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Politika gjermane dhe homoseksualiteti

Vladimir Myller26 Korrik 2004

Kryetari i liberalëve Guido Vestervelle pranon publikisht se është homoseksual

https://p.dw.com/p/Ar6A
Guido Vestervele dhe i dashuri i tij Michael Mronz
Guido Vestervele dhe i dashuri i tij Michael MronzFotografi: dpa

Për këtë është përfolur një kohë të gjatë - ndërkohë që tani dihet edhe zyrtarisht: shefi i partisë së vogël liberale gjermane në opozitë, Guido Vestervelle është homoseksual. Ai më në fund e pranoi një gjë të tillë. Para dhjetë vitesh një gjë e tillë ndoshta do të shihej si një skandal. Sot jo më. Përkundër disa diskriminimeve të vijueshme në jetën e përditshme dhe në punë homoseksualët gjermanë gëzojnë shumë tolerancë mendon Vlladimir Myller në komentin e tij.

Kjo nuk ishte fshehtësi. Ka vite që flitej e shkruhej, jo vetëm në shtyp por edhe nga vet Vestervelle. Kush donte ta dinte më saktë mund ta takonte shefin e liberalëve në paradat e homoseksualëve të cilat për çdo vit organizohen në qytet e mëdha gjermane. Gjithashtu edhe një leksikon ka futur Vestervellen në mesin e 500 homoseksualëve dhe lezbikeve më të njohura, gjë që nuk u kundërshtua nga shefi i FDP-së.

Edhe pse lajmi u dha me kryetitull të madh në faqen e parë të gazetës më të madhe bulevardeske gjermane prapëseprapë nga shumica e gjermanëve kjo nuk u pa si një skandal. Shtrohet pyetja pse?. Thjeshtë: kryeqyteti Berlin ka vite që drejtohet nga një kryebashkiak homoseksual, socialdemokrati Klaus Voverajt. Nga ana tjetër kryebashkiaku kristiandemokrat i Hamburgut Ole van Bojst arriti të siguroj shumicën absolute në parlamentin e qytetit pasi që foli hapur për orientimin e tij seksual.

Me këtë rast qetësia e treguar nga gjermanët lidhur me orientimin seksual të personelit të tyre drejtues nuk mund të jetë e vetkuptueshme. Jo më larg se në fund të viteve të 70-ta kancelari i athershëm Helmud Shmit pat refuzuar që të shfuqizoj përfundimisht paragrafin 175 për homoseksualët. Dhe gjithashtu në vitin 1983 u largua nga posti një gjeneral i ushtrisë gjermane Bundesvehr për shkak se akuzohej për kontakte me skenën e homoseksualëve.

Fillimisht ishte sëmundja e Sidës e cila kryesisht u paraqit tek burrat homoseksual ajo që ndikoi të bëhet një kthesë në vetëdijësimin kolektiv gjerman. Në diskutimet publike mbi sëmundjen e Sidës për herë të parë në media homoseksuelët filluan të trajtohen si njerëz krejtësisht normal.

Mund të thuhet se tani Guido Vestervelle është lehtësuar kur ka lexuar kryetitutullin në gazetën bulevardeske. Kjo për faktin se ai ka plane për të ardhmen: nëse pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2006 liberalët krijojnë koalicionin qeveritar me kristiandemokratët, shefi i liberalëve mund të bëhet ministër i jashtëm. Në një post të tillë ai nuk mund të fshihet më pas formulimit se jeta private është çështje private.

Një politikan homoseksual natyrisht se nuk është një politikan homoseksual në kuptimin e lobistit. Dhe është e kuptueshme se nga Vestervelle tani nuk pritet ndonjë fushatë e posaçme për më tepër të drejta për homseksualët. Dhe si përfaqësues i liberalëve nuk ka nevojë për një gjë të tillë: ata ishin të parët në Gjermani që ngritën zërin dhe luftuan kundër diskriminimit të homoseksualëve.

Megjithatë çështja e barazisë nuk është kapitull i mbyllur në Gjermani. Gjermania ende nuk ka inkorporuar në të drejtën kombëtare vijat orientuese të dhëna nga Bashkimi Evropian për antidiskriminimin. Ndoshta për Vesterfvellen dhe njerëz tjetër prominent ky ligj mund të duket si i tepërt. Por shumë homoseksualëve në Gjermani një ligj i tillë do tu ofronte mundësinë që të mbrohen më mirë nga diskriminimi në jetën dhe punën e përditshme.