1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëPoloni

Polonia para ndërrimit të pushtetit

17 Tetor 2023

Shenja për ndërrim pushteti në Poloni. Pas zgjedhjeve parlamentare, PiS mbetet partia më e fortë, por lideri opozitar proevropian Donald Tusk mund të rikthehet në pushtet, nëse krijon koalicion të tre partive opozitare.

https://p.dw.com/p/4Xcjt
Donald Tusk
Donald Tusk Fotografi: Kacper Pempel/REUTERS

Shenja për ndërrim pushteti në Poloni. Komisioni i Zgjedhjeve në Poloni bëri të ditur rezultatin përfundimtar dhe konfirmon suksesin elektoral të opozitës në Polini. Aleanca e tre partive të opozitës ka shumicën e vendeve, PiS qeverisëse deri më tani mbetet partia më e fortë, por nuk arrin shumicën absolute.

"Ne ia dolëm, vërtet," bërtiti lideri i opozitës liberale polake Donald Tusk pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën në mbrëmje. "Kohët e këqija kanë kaluar, qeveria e PiS ka mbaruar." Menjëherë pas publikimit të parashikimeve në Poloni, kryetari i Platformës Qytetare (PO) u shfaq i bindur për fitoren: "Demokracia dhe liria kanë fituar. Ne i larguam ata (PiS - shënim i redaktorit) nga pushteti". Ai shtoi: "Unë jam njeriu më i lumtur në botë”.

Parashikimi i parë u konfirmua me korrigjime të vogla edhe në mëngjesin pas zgjedhjeve nga figura të reja të institutit të kërkimit të opinionit IPSOS. Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS)e Jaroslaw Kaczynskit, e cila ka qeverisur vendin për tetë vjet, fitoi 36.6 për qind të votave. Ajo mbeti forca politike më e fortë në Poloni, por nuk arriti një shumicë absolute. Katër vjet më parë, PiS fitoi 43.6 për qind të votave dhe 235 vende.

Koalicioni qytetar KO i kryesuar nga Tusk, i cili përveç PO-së së tij përfshin edhe dy parti më të vogla ka arritur 31 për qind. Partnerët e tyre të mundshëm të koalicionit - Rruga e Tretë Kristiandemokratike dhe E Majta e Re - fituan 13.5 përqind dhe 8.6 për qind.

Kjo do të thotë setre partitë që kishin bërë tashmë fushatë për një qeveri të përbashkët në fushatën zgjedhore do të kishin një shumicë prej 248 vendesh në dhomën e ulët, nga 460 dhe mund të zëvendësonin PiS.

Donald Tusk mund të rizgjedhet në postin e kryeministrit
Donald Tusk mund të rizgjedhet në postin e kryeministritFotografi: REUTERS

Sipas kësaj llogaritjeje, PiS e Kaczynskit do të kishte vetëm 198 vende. Partneri i saj i vetëm i mundshëm i koalicionit, Konfederacja Wolnosc i Niepodleglosc (Konfederata e Lirisë dhe Pavarësisë) e ekstremit të djathtë, fitoi 6.4 përqind të votave dhe mund të presë 14 vende, e kjo nuk mjafton për krijimin e koalicionit të ri.

Jaroslaw Kaczynski do të mbetet në pushtet

Pavarësisht shifrave të pafavorshme, Kaczynski fillimisht nuk ishte i gatshëm të pranonte humbjen. Natën e zgjedhjeve në Varshavë, 74-vjeçari u shfaq luftarak. Ai e përshkroi rezultatin e zgjedhjeve si një "sukses të madh" për partinë e tij. Ishte "fitorja e katërt e PiS në zgjedhjet parlamentare", theksoi politikani nacionalist i krahut të djathtë.

"Ne nuk do të lejojmë që Polonia të tradhtohet, nuk do të lejojmë që Polonia të humbasë atë që është më e vlefshme në historinë e kombit - të drejtën për të vendosur vetë fatin e saj," u tha ai mbështetësve të tij, duke shtuar një vërejtje që u kuptua nga opozita si një kërcënim: "Para nesh kemi ditë lufte dhe tensioni”.

Megjithatë, Tusk nuk u frikësua nga deklarata të tilla dhe njoftoi se së shpejti do të fillonte bisedimet për formimin e një qeverie koalicioni "sapo të konfirmohen rezultatet e zgjedhjeve". Lideri i PO është "kandidati natyror” për postin e kryeministrit, tha kolegu i tij i partisë Cezary Tomczyk.

Politikani 66-vjeçar, i cili drejtoi me sukses vendin nga viti 2007 deri në vitin 2014, ka arsye të mira për të qenë krenar për arritjet e tij. Rezultati i mirë zgjedhor i PO është mbi të gjitha suksesi i tij personal. Vitin e kaluar ai u kthye nga Brukseli, ku së fundi drejtoi Partinë Popullore Evropiane (EPP). Në atdheun e tij, ai riorganizoi partinë e cila ishte në një krizë të thellë dhe organizoi një fushatë të furishme zgjedhore. Atij iu desh t'i rezistonte presioneve brutale nga PiS, e cila shpifte se ai ishte një "bashkëpunëtor gjerman" dhe "i kontrolluar nga Berlini dhe Brukseli".

Presidenti Andrzej Duda e ka radhën

Krerët e partisë PiS me duartrokitje presin rezultatin e zgjedhjeve
PiS fitoi zgjdhjet por mund të humbë pushtetinFotografi: Czarek Sokolowsk/AP/picture alliance

Tani të gjithë sytë janë te presidenti Andrzej Duda. Ai duhet të thërrasë seancën e parë të parlamentit të ri brenda 30 ditëve. Më pas, brenda dy javësh, duhet të emërojë një politikan sipas zgjedhjes së tij për të formuar qeverinë. Ndërsa kandidati ka 14 ditë kohë që të marrë miratimin parlamentar për kabinetin e tij. Nëse kandidati dështon, procesi kalon në parlament, i cili mund të përdorë shumicën e tij për të zgjedhur një kandidat tjetër për kryeministër. Procesi mund të zvarritet deri në fund të vitit. Në paraqitjen e tij të parë pas zgjedhjeve, presidenti nuk u përcaktua: "Ne jemi duke pritur në heshtje për rezultatet".

Disa politikanë të opozitës i bënë thirrje Dudës që të kalojë mandatin për krijimin e qeverisë tek tre parti opozitare në vend që të luajë me kohën dhe t'ia japë mandatin partisë PiS. Por Duda është i lidhur me PiS. Ai u emërua nga kjo parti për zgjedhjet presidenciale në vitin 2015 dhe ka mbështetur hapur politikat e partisë Kaczynski vitet e fundit. Me veton e tij ai mund t'ia vështirësojë jetën qeverisë së re. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të mbahen në vitin 2025.

"Polonia rikthehet drejt BE-së"

Flamuri i Polonisë dhe BE
Polonia deo të afrohet prapë me BEFotografi: Beata Zawrzel/NurPhoto/picture alliance

Opozita demokratike e sheh si një detyrë të rëndësishme riorientimin e marrëdhënieve të Polonisë me BE-në. "Qëllimi i qeverisë liberale do të jetë rivendosja e shtetit ligjor në mënyrë që paratë e ngrira të BE-së nga fondi i rindërtimit të mund të rrjedhin më në fund në Poloni," tha për DW Piotr Buras nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR). "Nën Tusk, qeveria polake do të bëhet një lojtar konstruktiv në BE, duke përmirësuar marrëdhëniet me partnerët e saj më të rëndësishëm dhe duke rivendosur besimin në qëndrimin pro-evropian të Polonisë”, tha politologu. "Polonia po kthehet në rrugën evropiane," siguron Rafal Trzaskowski, kryebashkiak i Varshavës dhe një i besuar i ngushtë i Tusk.

Zgjedhjet u pritën me interes të madh në Poloni. Pjesëmarrja në votime ishte 72.9 për qind - një rekord i lartë në historinë polake që nga tranzicioni demokratik 34 vjet më parë. Në qershor 1989, kur polakët vendosën të shfuqizojnë regjimin komunist, 62.7 për qind e votuesve me të drejtë vote dolën në votime. Edhe pas mesnate, shumë njerëz ende prisnin përpara disa qendrave të votimit në qytetet kryesore për të votuar. Disa qendra votimi në Krakov dhe Wroclaw nuk u mbyllën deri herët në mëngjes. "Ishte një festë e demokracisë. PiS duhej të pranonte se nuk mund të blesh gjithçka me para," komentoi sociologu Jerzy Flis. Ai theksoi në veçanti mobilizimin e madh të votuesve të rinj nga mosha 18 deri në 29 vjeç, të cilët kontribuan ndjeshëm në fitoren e opozitës. Tani pritet që rezultatet të konfirmohen nga Komisioni Zgjedhor dhe të zbatohen në jetë.

Jacek Lepiarz, një burrë i thinjur me golf të zi dhe xhaketë ngjryë jeshile që shikon drejt e në kamera
Jacek Lepiarz Gazetar i redaksisë polake të DW, me fokus të veçantë në çështjet polako-gjermane