Pranimi i akuzës do ta përshpejtonte dukshëm procesin
10 Qershor 2009Pas një ndërprerjeje disa orëshe të seancës për konsultime të martën (09.06.2009) avokatët e të akuzuarve të të ashtuquajturit Grupi i Sauerland-it, deklaruan para Gjykatës së Lartë në Dyseldorf, se klientët e tyre janë të gatshëm të deponojnë në detaje, lidhur me akuzat. Më parë i akuzuari A.Y. nxitoi duke deklaruar, se do të japë një dëshmi të detajuar. "As nuk dua t' ia di se sa do të më dënoni, 20 apo 30 vjet. Unë dua vetëm që kjo këtu të marrë fund." Është e mërzitshme, tha i akuzuari Y. në seancën e 15 të procesit. Ai shtoi gjithashtu, se nuk dëshiron që ditën e Ramazanit të jetë në gjyq. Y. kërkoi që të bisedojë edhe me të akuzuarit e tjerë.
Trupi gjykues mundësoi menjëherë bisedën e Y. me të akuzuarit e tjerë në prani të dy nëpunësve të Zyrës Federale të Kriminalistikës (BKA). Edhe Prokuroria e Përgjithshme pranoi. Zëdhënësi i Gjykatës së Dyseldorfit, Ulrich Egger, deklaroi të martën për televizionin N-TV: "Për të parandaluar rënien eventualisht dakord për gjëra të palejushme, në sallën ku zhvillohen bisedimet do të jenë të pranishëm edhe dy nëpunës të Zyrës Federale të Kriminalistikës. Ata do ta dëgjojnë bisedën dhe në rast nevoje mund të ndërhyjnë. Kryegjyqtari sqaroi, se nëpunësit e BKA-së nuk do të merren në pyetje si dëshmitarë lidhur me përmbajtjen e bisedës."
Me sa duket në këtë bisedë u ra dakord për një linjë të përbashkët, pas distancimit të Y. Deri më tani të akuzuarit refuzonin të depononin në procesin për terror. Në një seancë pushimi në proces avokatja mbrojtëse e të akuzuarit Y., Ricarda Lang deklaroi, se klineti i saj nuk e përballon dot më procesin. Ai mërzitet dhe do që përmes deponimit ta shkurtojë atë. Ajo që është më kryesorja në shtator, në kohën e festës së Ramazanit, ai nuk do të jetë në gjyq.
Katër të pandehurit gjermanë dhe turq akuzohen, që verën e 2007 kanë planifikuar një seri sulmesh me makina bombë, me përmasa shkatërrimtare. Sipas akuzës, ata donin që të vrisnin njëkohësisht sa më shumë amerikanë nëpër diskoteka dhe në bazën e aviacionit ushtarak të SHBA-së, në Ramsshtajn. Me sa duket me këto sulme ata synonin që të influenconin vendimin që pritej të merrej nga Bundestagut (parlamenti gjerman), për shtyrjen e mandatit të misionit në Afganistan. Tre të akuzuarit u arrestuan më 4 shtator 2007, kur ndodheshin në Obershledorn të Sauerland-it dhe i katërti u arrestua në Turqi, më vonë.
Procesi gjyqësor për terror është një ndër më voluminozët qysh prej kohës së grupimit të së majtës ekstreme, Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe (RAF) në Gjermani. Pranimi i akuzës do ta përshpejtonte dukshëm procesin. Në rast të shqiptimit të dënimeve të akuzuarit i kërcënojnë dënime afatgjata me deri në 15 vjet burg.
Autor : DW - World / Vilma Filaj -Ballvora
Redaktoi : Aida Cama