1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

President gjerman Këhler vendos kundër faljes së ish-terroristit Klar

7 Maj 2007

Kristian Klar duhet ta vuajë dënimin deri në fund. Ai mund te lirohet nga burgu vetëm në vitin 2009, kërkesa e tij për falje dhe lirim të parakohshëm u hodh poshtë.

https://p.dw.com/p/Aqwi
Hosrt Köhler / Christian Klar
Hosrt Köhler / Christian KlarFotografi: AP

Tri ditë pas takimit me Kristian Klar (Christian Klar), presidenti Horst Këhler (Horst Köhler) e refuzoi faljen dhe lirimin e parakohshëm për ish-terroristin e organizatës "Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe" shkurt RAF. «Presidenti ka vendosur, që të mos e marrë në konsideratë kërkesën për falje të zotit Kristian Klar", njoftoi të hënën (07.05) zyra presidenciale në Berlin.

Përpara marrjes së këtij vendimi politikanë të ndryshëm nga radhët e unionit demokristian ishin shprehur kundër takimit të presidenti Këhler me terroristin Kristian Klar dhe sidomos faljes së dënimit të tij.

Sekretari i përgjithshëm i partisë kristian-sociale, Markus Sëder tha: "Nuk duhet të ketë mëshirë për një të pamëshirshëm. Kristian Klar nuk ka treguar deri më sot asnjë pikë mëshire dhe për këtë mua personalisht më lë një shije të pakëndshme takimi i tij me presidentin e vendit."

Edhe pse mendimi i shumicës së ekspertëve është se presidenti nuk duhet të shpallte amnesti për terroristin Klar, ata gjithësesi mbrojnë tezën se ai nuk të ndikohet në veprimet dhe qëndrimet e tij nga mllefi i një pjese të unionit demokristian dhe të liberalëve. Sipas tyre paralajmërimi që kishin bërë disa politikanë unionistë se nuk do ta rivotonin presidentin Horst Këhler, në qoftë se do ta amnestonte ish -terroristin, Kristian Klar, nuk është vetëm mosrespektim i presidentit, por edhe përqeshje e institucionit më të lartë në vend. Sipas tyre një presion i tillë ndaj institucionit të presidentit, i cili duhet të marrë vendime të lira, është i patolerushëm"

I këtij mendimi ishte edhe kryetari i grupit parlamentar të unionit demokristian Volfgang Bosbach (Wolfgang Bosbach): "Ky është një vendim sovran i presidentit, i cili nuk duhet kometuar apo madje kritikuar. Horst Këhler nuk po merr lehtë këtë çështje, por u mundua që përpara marrjes së vendimit të peshonte të gjithat argumentet pro dhe kundër një faljeje."

Christian Klar është dënuar me burgim të përjetshëm për shkak të vrasjes së ish-prokurorit të përgjithshëm Sigfrid Buback (Siegfried Buback) dhe të tetë personave të tjerë. Në shkurt të vitit 1998 koha minimale e dënimit për Klar të dënuar qysh në vitin 1989 u përcaktua në 26 vjet dhe ai mund të lirohet me kusht në vitin 2009. Në vendimin e tij presidenti iu referua disa ekspertizave nga jashtë lidhur me Kristian Klar.