1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Bamir Topi: "Viti 2009 me sfida të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët"

Arben Muka (ERA)1 Janar 2009

Në mesazhin e tij publik për vitin e ri, presidenti Bamir Topi, ka theksuar nevojën e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në mes të 2009-s

https://p.dw.com/p/GQAh
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir TopiFotografi: AP

Sipas Presidentit të Republikës Bamir Topi, "gjatë vitit 2008 përjetuam së bashku emocionet dhe gëzimet e dy ngjarjeve të mëdha historike për kombin tonë, pavarësinë e Kosovës dhe ftesën për anëtarsimin e Shqipërisë në NATO. Të gjithë shqiptarët ndjenë gjatë vitit që kaloi më shumë krenari. Ata e ndjenë veten më afër me njëri-tjetrin, por sidomos më afër demokracisë dhe demokracive perëndimore".

Por kreu i shtetit nuk la pa përmendur dhe ngjarjen e Gërdecit të 15 marsit, që tronditi thellë opinionin në Shqipëri me 26 viktima, rreth 300 të plagosur dhe dëme të jashtëzakonshme materiale. "Duke u bërë pjesë e shqetësimit dhe dhimbjes qytetare, uroj që ngjarje tragjike si ajo e Gërdecit e fatkeqësi të tjera njerëzore, apo natyrore dhe fenomene negative të mbeten vetëm kujtime dhe mësime të një viti që po largohet".

Duke ju referuar zhvillime të pritshme, Presidenti Bamir Topi, e përshkroi 2009-n si një vit të sfidave të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët. "Anëtarësimi me të drejta të plota në NATO është momenti historik, që duhet vlerësuar me përgjegjësi dhe realizëm. Kjo fitore ju takon juve, kontributit tuaj në vite, mundit dhe djersës së të gjithë shqiptarëve, përpjekjeve të të gjithë atyre që nuk u bënë asnjëherë pjesë e diktaturës dhe instrumentave të saj, por pjesë e vizionit perëndimor dhe dëshirës për të jetuar të lirë".

Presidenti ka veçuar dhe ngjarjen e pritshme më të rëndësishme politike që ka të bëjë me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në mes të 2009-s." Vota e lirë dhe zgjedhjet e pakontestuara janë themelet dhe parimet e botës së qytetëruar, të cilës të gjithë ju dëshironi t'i bëheni pjesë e pandarë! Zgjedhjet parlamentare të vitit që vjen duhet të përgatiten për t'u festuar e jo për t'u ndeshur! Askush nuk ka të drejtë të prishë këtë festë tuajën, këtë festë të demokracisë dhe të lirisë", tha mes të tjerave në mesazhin e tij për festën e vitit të ri Presidenti i Republikës, Bamir Topi.