1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti gjerman Horst Köhler takohet me kancelaren Angela Merkel

Bernd Gräßler20 Dhjetor 2006

Eshtë pjesë e rutinës së politikës: biseda e rregullt mes presidentit dhe kancelares gjermane. Çdo 4 deri 6 javë takohen Horst Köhler dhe Angela Merkel dhe shkëmbejnë mendimet e tyre me njëri-tjetrin.

https://p.dw.com/p/AqyD
Presidenti gjerman
Presidenti gjermanFotografi: AP

Në shumicën e rasteve këto takime zhvillohen pas dyersh të mbyllura. Por takimi i kësaj rradhe ishte shumë interesant për gazetarët gjermanë.

Presidenti i Republikës duhet takuar gjithmonë me respektin më të lartë. Ky është një rregull i pashkruar jo vetëm në politikën gjermane, por edhe për gazetarët. Shumica e tyre iu përmbahen me kënaqësi këtij rregulli, sidomos kur presidenti shfaqet kaq shumë përpara mediave, duke zhvilluar vizita në vende të largëta dhe duke u dhënë dorën në kështjellën e tij në Bellevue ambasadorëve të huaj që punojnë në Gjermani. Por përsa i përket politikës gjermane, Horst Köhler ka shumë kritika. Si për shembull ndaj ligjit të ri kundër diskriminimit, i cili sapo u vendos nga koaliconi i madh qeveritar. Madje dhe taksën e rritur të vlerës së shtuar, presidenti i vendit e quan një gabim të madh. Köhler e paralajmëron rregullisht qeverinë, që të jetë më e hapur për reforma:

"Unë besoj se edhe presidenti duhet të ndihmojë, që problemet kyçe të vendit si papunësia, problemet në fushën e arsimit dhe integrimin e myslimanëve apo qytetarëve të tjerë të huaj, të zgjidhen sa më parë."

Mbi 70% e popullsisë gjermane e mbështesin ndërhyrjen e presidentit Köhler në politikën ditore. Ai gëzon reputacion të lartë. Përpara pak kohësh Köhler kërkoi që ndihma sociale për të papunët të konsiderojë edhe shumat e sigurimeve sociale dhe shëndetësore të tyre. Me këtë propozim ai ndërhyri në debatin partiak të CDU-së dhe kundërshtoi madje edhe mendimin e kryetares së kësaj partie, Angela Merkel.

Por kur presidenti nuk nënshkroi dy ligje ai u kritikua hapur nga koalicioni qeveritar. Ligji mbi informimin e konsumatorëve ka disa mangësi ligjore, vendosi përpara pak ditësh Köhler. Ligji do të shërbejë ndër të tjera për të evituar skandalet me ushqimin, si skandali me mishin e prishur përpara pak muajsh. Konsumatorët duhet të informohen më qartë mbi ushqimin. Për shkaqe të ngjashme Köhler nuk nënshkroi gjithashtu ligjin për pravatizimin e sigurisë së fluturimeve.

Qeveria duhet të punojë tani. Kryetarët e unionit dhe partisë SPD në parlamentin gjerman ishin aq të mërzitur me presidentin, sa e akuzuan atë hapur se po tejkalon kompetencat e postit që drejton. Por opozita e mbështeti plotësisht propozimin e Köhlerit. Pra takimi pas dyersh të mbyllura mes presidentit të shtetit dhe kancelares gjermane, do të ketë shumë tema për të sqaruar. Por sigurisht që konkluzionet e këtij takimi nuk bëhen publike. Madje këtë rradhë nuk u bë publik as vendi se ku do të zhvillohej takimi. Zëdhënësi i qeverisë Ullrich Vilhelm tha vetëm se: "Marrëdhëniet personale dhe bashkëpunimet mes presidentit dhe kancelares janë aq të mira dhe të ngushta, sa që do të vazhdojnë të mbeten të tilla edhe në të ardhmen."

Por a do t´i nënshkruajë Köhler këto dy ligje? Kjo është pyetja kryesore që po mundon qeverinë, e cila i kish miratuar me kohë ato.