1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti i Komisionit të BE viziton Tiranën

25 Shkurt 2018

Presidenti i Komisionit Europian Juncker: Ju vazhdoni reformat, ne vazhdojmë mbështetjen për të ardhmen tuaj europiane.

https://p.dw.com/p/2tHz3
Jean-Claude Juncker
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/V.Petrova

Me këtë mesazh Presidenti i Komisionit Europian (KE), Jean Claude Juncker nis të dielën ( 25 shkurt 2018) me Shkupin dhe Tiranën, turin e tij në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (BP). Si turi ashtu edhe dhe mesazhi janë paralajmëruar nga vetë Juncker, në fillim të këtij muaji, në fjalën e tij më 6 shkurt, kur KE shpalli strategjinë "Një perspektivë e besueshme zgjerimi dhe rritje e angazhimit të BE në Ballkanin Perëndimor”. 

"Do të udhëtoj në sejcilin prej vendeve të Ballkanit Perëndimor në fund të muajit me një mesazh të qartë: vazhdoni reformat, ne do të vazhdojmë mbështetjen për të ardhmen tuaj europiane" paralajmëroi Juncker në fjalën e tij të rastit.

Vijim i reformave të brendshme - motori i progresit drejt BE

Në prag të vizitës së Juncker në Tiranë,  komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn tha, se Shqipëria dhe Maqedonia mund të fillojnë së shpejti negociatat zyrtare të anëtarësimit pasi KE do të rekomandojë„ndoshta deri në verë që vendet anëtare të BE të fillojnë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë" mbështetur në reformat e rëndësishme,të cilat i kanë kualifikuar këto vende për hapjen e  negociatave. Në këtë kontekst reforma në drejtësi në Shqipëri ka marrë vlerësim të posaҁëm nga BE dhe sidomos kryerja e vettingut të gjykatësve dhe prokurorëve. Por Shqipëria ka përpara shumë reformat ë tjera, të mëdha, të brendshme, sidomos në sigurimin e shtetit të së drejtës dhe standardeve ekonomike.

Në diskutimin publik " Rigjallërimi i angazhimit Europian me Ballkanin Perëndimor" të zhvilluar ditët e fundit në Tiranë nga Këshilli Europian për Çështjet e Jashtme, me nismën e Institutit Shqiptar të Medias, Carl Bild, bashkëkryetar i Bordit të këtij Këshillli dhe ish-kryemnistër dhe ministër i Jashtëm i Suedisë theksoi, se  "Dera e BE për BP është e hapur, jo sot, jo nesër por kur të përmbushen kriteret dhe të arrihen standardet e BE. Ai vuri në dukje se  BP ka nevojë për investime që të zhvillohet ekonomikisht dhe të ecë drejt BE në arritjen e standardeve të BE. Sipas vlerësimit të Komisionit Europian,„ asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor aktualisht nuk mund të konsiderohet një ekonomi tregu funksionale dhe as të ketë kapacitet për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut në BE. Pavarësisht nga të gjitha përparimet në kryerjen e reformave, mbeten shumë çështje strukturore, të cilat ndikojnë në tregjet e punës dhe veçanërisht në mundësitë e punësimit për të rinjtë ". Për KE situata është e errët edhe për sa i përket lidhjes së shtetit me krimin e organizuar, korrupsionin në administratën publike, ngatërrimin e fortë të interesave publike me ato private, kontrollin e mediave.

Priorite mbrojtja dhe siguria

Vizita e Juncker në Tiranë dhe pesë kryeqytetet e tjera të vendeve të BP pritet të tregojë sesi BE do të mbështesë transformimin e rajonit për t'iu kundërvënë ndikimit të Kinës me investimet e saj strategjike, Rusisë  apo Turqisë edhe pse vazhdon të jetë donatori dhe investitori më i rëndësishëm në rajon. Po kështu edhe partneri më i rëndësishëm  politik, edhe partneri më i madh tregtar  me një vëllim tregtar vjetor prej rreth 43 miliardë eurosh. Kjo nuk mjafton që rajoni të arrijë standardet e BE para se të bëhet pjesë e tij. Për ta mbështetur në transformimin që duhet që rajoni të "hyjë në derën e hapur të BE”, BE në  strategjinë e re ka përcaktuar gjashtë fusha specifike: sundimin e ligjit, sigurinë, migracionin, zhvillimin social-ekonomik, lidhjen mes rajonit në transport dhe energji, axhendën digjitale, pajtimin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Për të ofruar në Strategjinë e Ballkanit Perëndimor dhe për të mbështetur një tranzicion të qetë përpara anëtarësimit, financimi adekuat është i domosdoshëm.  Por në prag të turit ballkanik të Juncker në Ballkanin Perëndimor, të premten ( 23.02.2018) Këshilli Europian, i drejtuar nga Donald Tusk mori vendimin që fondet më të shumta të BE të përdoren për mbrojtjen, sigurinë dhe frenimin e migracionit illegal. A do të sigurohen fonde për të mbështetur transformimin e BP kur BE ka prioritetet të tjera? Fondet për transformimin e Ballkanit mbeten në krye të faktorëve që e japin besueshmëri në angazhimin e ri të BE ndaj BP.

 

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana