1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Obama për vizitë në Rusi

6 Korrik 2009

Edhe pse në dukje më moderne strategjia e re e sigurisë e Rusisë e vulosur prej Medvedjevit në thelb nuk ka ndryshuar shumë.

https://p.dw.com/p/Ihtr
Simbol i marredhenieve USA Russland
Fotografi: DW

Vizita e presidentit Obama në Rusi është një nga temat e sotme të shtypit gjerman:

Gazeta "Handelsblatt" komenton:

"Përfytyrimi se pas përfundimit të tensioneve verbale amerikanët dhe rusët do të bien në krahët e njëri - tjetrit dhe do të gjejnë kompromise të qëndrueshme, është një iluzion. Medvjedev mund të jetë vërtet më i ri dhe më liberal se parardhësi i tij, por në politikën e jashtme deri tani ai nuk ka mundur të shkëputet prej hijes së Vladimir Putinit. Strategjia e re e sigurisë e Rusisë, e vulosur prej tij, ndonëse përmban një nënshkrim dukshëm më modern - në thelb nuk ka ndryshuar shumë. Shumë politikanë rusë e madje edhe një pjesë e madhe e popullsisë janë skllavë të mendësisë së vjetër: ashtu si në kohët e luftës së ftohtë ato e shohin kërcënimin kryesor të sigurisë kombëtare tek Perëndimi – e kryesisht tek NATO-ja e drejtuar prej amerikanëve.“

Gazeta "Berliner Zeitung" shkruan:

"Mënyra se si elita politike e Rusisë sillet ndaj SHBA-së jep material për një roman psikologjik. Thuajse nuk kalon asnjë ditë pa i ndjellur kapitullimin Amerikës, fundin hegjemonisë ushtarake të saj dhe humbjen e rëndësisë së dollarit. Por sa më shumë që ndillet kapitullimi i rendit unipolar botëror, aq më shumë rritet dyshimi, se në kokat e elitës ruse është i ngulitur unipolarizmi. Në hartat botërore të vizatuara në kokat e tyre duket sikur SHBA-ja i eklipson të gjitha fuqitë e tjera. Uashingtoni është bërë obsesion."

Autor: Vilma Filaj-Balvora
Redaktoi: Pandeli Pani