1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti palestinez Mahmd Abaz deklaron mbajtjen e referendumit për pavarësinë

Carsten Kühntopp10 Qershor 2006

Mahmud Abaz nuk do të heqë dorë nga kursi i tij, ndonëse dhuna izraelite vazhdon. Të shtunën, presidenti Abaz shpjegoi përpara mediave se i bën thirrje popullit të marrë pjesë në një referendum më datën 26 korrik. Qeveria e Hamasit e kritikoi këtë plan dhe deklaroi se do ta verifikojë atë edhe nga ana juridike.

https://p.dw.com/p/Aqpf
Abaz njofton mbajtjen e referendumit më 26 korrik
Abaz njofton mbajtjen e referendumit më 26 korrikFotografi: AP

"Hakmarrje, hakmarrje", thërrisnin disa njerëz. Të tjerë kërkonin: "Shkatërroni Izraelin, shkatërroni Amerikën!". Mijëra njerëz i dhanë lamtumirën familjes Ghalia. Kolona e njerëzve që shoqëronin arkivolet kaloi edhe nëpërmjet fshatit Beit Lahiya, në veri të Rripit të Gazës. Familja Ghalia u vra nga forcat izraelite në plazh, ku po pushonin. Dhjetëra njerëz të tjerë u plagosën rëndë - të gjithë civilistë.

Ministri izraelit i mbrojtjes Amir Perez i dërgoi presidentit palestinez Mahmud Abaz ngushëllimet e tij më të përzemërta. Perez deklaroi se qeveria e tij do të ndërmarrë çdo hap, që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Ushtria izraelite kish kërkuar që të premten në darkë falje.

Ministri izraelit i mbrojtjes ka kërkuar krijimin e një komisioni që do të hetojë rrethanat e kësaj ngjarjeje mizore në plazh. Por politikanë të tjerë izraelitë deklaruan se nuk duhet harruar që përgjegjësit kryesorë të kësaj situate janë ata që hedhin raketa në territor izraelit. Edhe Mark Regev, zëdhënës i ministrisë së jashtme izraelite shprehet:

"Armiku ynë nuk është populli palestinez. Ne bëjmë gjithçka që është e mundur për të evituar dëme ndaj civilistëve. Por ne përpiqemi gjithashtu që t´i ndalojmë terroristët dhe raketat që hidhen kundër vendit tonë."

Presidenti palestinez Mahmud Abaz foli mbi një masakër të përgjakshme dhe i kërkoi botës ndihmë. Ai telefonoi ndër të tjera me ministren e jashtme amerikane Condoleezza Rice dhe me të ngarkuarin e BE-së për politikën e jashtme, Javier Solana.

Presidenti palestinez nuk do të heqë dorë nga planet e tij për një referendum popullor. Të shtunën pasdite ai deklaroi se më datën 26 korrik, populli palestinez mund të votojë ndër të tjera për krijimin e shtetit Palestinë në rajonet që ka bllokuar Izraeli që prej vitit 1967. Kjo do të thoshte pranimin indirekt të Izraelit si shtet suvran.

Qeveria e Hamasit nuk e pranon referendumin, sepse për të kjo është një manovër e Fatahut për të ndryshaur rezultatet e zgjedhjeve parlamentare që u zhvilluan në fillim të këtij viti. Kryeministri Olmert tha se një referendum i tillë nuk do ta ndihmojë dialogun dhe se palestinezët duhet t´i përmbahen planit "Roadmap".