1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

• Presidentit amerikan flet për gjendjen e kombit • Afrim mes SHBA-ve dhe Evropës • Gjermania mbështet prodhimin e makinave me filtër kundër blozës

4 Shkurt 2005

Temat që trajton shtypi i sotëm gjerman janë fjalimi i presidentit amerikan për gjendjen e kombit, marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Evropës si dhe ideja e hedhur në Gjermani për favorizimin e prodhimit të filtrave të gazrave për makinat që punojnë me naftë.

https://p.dw.com/p/Arws
Bushi duke folur për gjendjen e kombit
Bushi duke folur për gjendjen e kombitFotografi: dpa

Në lidhje me fjalimin e presidentit amerikan, George W. Bush, në gazetën "Süddeutsche Zeitung" lexojmë:

"Në fjalimin e tij për gjendjen e kombit, Bushi ritheksoi sërish se në lojën e tij me zarë ka ndër mend të angazhojë të gjithë kapitalin e vet politik. Po ashtu Bushi bëri të qartë se nuk ka ndër mend që të ndalet prej askujt, as prej demokratëve në opozitë, as prej opinionit botëror, as prej atyre anëtarëve në radhët e partisë së vet që kanë dyshime dhe në asnjë mënyrë prej atyre që thonë sondazhet. Amerika është vendi i ëndërrave të mëdha, tha Bushi, dhe është e vendosur ta çojë deri në fund ëndërrën e saj. Bushi ka ndër mend të përmirësojë botën dhe të krijojë një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe brezat e ardhshëm. Atyre që dëgjuan fjalimin u mbahej ndonjëherë fryma, gjë që nuk është për t'u çuditur, sepse asnjë president amerikan nuk iu është futur ndonjëherë kaq shumë projekteve të tilla titanike njëkohësisht."


Ndërsa gazeta "Westfälischer Anzeiger" është e mendimit se George Bushi e ka hequr për një moment korracën e luftëtarit.

"Sado që fjalimi i presidentit për gjendjen e kombit duhet t'i shërbejë forcimit të profilit të presidentit, ai i kësaj radhe i kishte tonet disi më të ulta. Për fat të keq Bushi e bën këtë, vetëm kur s'ka si t'ia bëjë ndryshe. Ushtria amerikane është përfshirë në një aksion vdekjeprurës në Irak, dhe një aksion i ngjashëm nuk mund të përsëritet në vende të tjera. Për këtë Bushi hoqi dorë me ndërgjegje kësaj radhe nga roli i presidentit të luftës, edhe pse këtë e bëri vetëm për një moment."

Gazeta "Südkurier" shpjegon se përse fjalimi i Bushit për gjendjen e kombit ndiqet me kaq interes edhe në botën e jashtme:

"Kur presidenti amerikan flet për terrorizmin apo për armët e shfarosjes në masë, bota dëgjon me vëmendje, sepse fillimit të luftës kundër Afganistanit apo Irakut u paraprinë pikërisht fjalimet "për gjendjen e kombit". Bushi e përdori tribunën e kongresit për ta përgatitur popullin amerikan për një matje tjetër forcash. Kësaj radhe Bushi u vuri damkën e aletëve të terrorit dy vendeve të tjera, Sirisë dhe Iranit. A është ky një sinjal për ndonjë luftë tjetër preventive? Krahasuar me retorikën e tij të mëparshme, Bushi kësaj radhe duket se i përzgjodhi fjalët me kujdes. Gjithsesi pjesa kryesore e fjalimit të tij u kushtohej çështjes së pensioneve dhe problemeve të tjera të politikës së brendshme. Pra nuk ka pse të shqetësohemi, sepse kush planifikon ndonjë ndërhyrje ushtarake, përdor një ton tjetër."

Kalojmë në temën tjetër, marrëdhëniet mes Amerikës dhe Evropës. Në lidhje me këtë në gazetën "Stuttgarter Nachrichten" lexojmë:

"Fakti që MPJ amerikane Cordoleezza Rice, e fillon detyrën e saj me një vizitë të hollësishme nëpër Evropë, nuk është vetëm një gjest demonstrativ, por edhe të kuptuarit e domosdoshmërisë, se duhen rregulluar një sërë gjërash. Pyetja është se çfarë karakteri do të ketë ky fillim i ri? Në një pikë skeptikët kanë të drejtë. Sjellja aktuale e amerikanëve ndaj evropianëve, dhe në radhë të parë ndaj Gjermanisë dhe Francës, duket më tepër si dhënie e një shanci të dytë dhe ndoshta të fundit. Qeveria amerikane nuk lë asnjë pikë dyshimi se ndarja e roleve, pra cili është kuzhinjeri dhe cili kamarieri, është e qartë dhe kjo s'është as e këndëshme dhe as e sjellshme."

Ideja e hedhur prej Ministrit gjerman të Ambientit për nxitjen e prodhimit të automjeteve me filtër për naftën, nuk është mirëpritur prej disa landeve federale, sepse shpenzimet për këtë duhet t'i përballojnë ato përmes një pjese të taksave për automjetet. Në lidhje me këtë në gaztën "Recklinghäuser Zeitung" lexojmë:

"Nisur prej rrezikut për përhapjen e kancerit që shkaktojnë grimëzat e blozës sidomos në qytet e mëdha, duhet vepruar sa më shpejt. Por vetëm nxjerrja e ligjit për pajisjen e të gjitha makinave me naftë me filtëra kundër blozës nuk mjafton, sepse shpenzimet do t'i rëndojnë shumë pikërisht ata që nuk kanë para për të blerë një makinë më moderne me katalizator. Për këtë rruga më e mirë është ajo e subvensionimit të makinave të reja. Ky subvensinim nuk është shumë i shtrenjtë, do të bëhet vetëm për një kohë të caktuar dhe është i arsyeshëm për shkak të asaj që pritet të arrihet."