1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prezantohet programi gjerman për integrimin e të huajve

9 Shtator 2010

Programi i qeverisë për integrimin u miratua të mërkurën. Ai përmban masa të shumta dhe rekomandime, por si risi shihet shtimi i mësuesve me prejardhje të huaj.

https://p.dw.com/p/P7HO
Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere (CDU)
Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere (CDU)Fotografi: DPA

Kur flitet këto ditë për integrimin, automatikisht bie fjala për Thilo Sarrazinin. Socialdemokrati me librin e tij të prezantuar javën e kaluar ndezi një valë të paparë debati në Gjermani, pasi aty ai spekulon për emigrantët myslimanë që, sipas tij, me gjasa bilogjikisht janë më pak inteligjentë. Kjo çon në uljen e nivelit të vendit, konkludon Sarrazini. Në një kohë që tezat e Sarrazinit, sipas anketimeve, mbështeten tek populli gjerman, nga shumica e politikanëve ato refuzohen si joshkencore dhe joserioze.

Ka pasur dështime në rrugën e integrimit

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière që prezantoi të mërkurën programin e qeverisë për integrimin pranoi se ka pasur dështime në rrugën e integrimit. Megjithatë ai tha, se duhet bërë fjalë për një imazh të diferencuar të realitetit, me propozime të diferencuara: "Ky program është në të njëjtën kohë edhe një kontribut për fakticitetin e debatit publik për integrimin."

Kush refuzon programet integruese, vetëizolohet, e mbetet vetëm brenda grupit të prejardhjes, ai refuzon integrimin
Kush refuzon programet integruese, vetëizolohet, e mbetet vetëm brenda grupit të prejardhjes, ai refuzon integriminFotografi: dpa

Është detyrë e politikës "të shërojë plagët dhe të mos derdhë qelb mbi to", shtoi Thomas de Maizière. Prandaj qeveria përpiqet që nga vitit 2001 për këtë. Një komision i drejtuar ish-kryetarja e parlamentit, Rita Süsmuth paraqiti në vitin 2001 rekomandimet për integrimin. Që kurset e gjuhës në këto rekomandime shiheshin si një instrument i rëndësishëm, për këtë nuk kishte dyshime as atëherë.

"Kjo është më e rëndësishmja, gjuha, gjuha edhe njëherë gjuha. Sa më herët aq më mirë. Kjo fillon me atë që të dimë si është niveli gjuhësor në kopshte, para klasës së parë, por edhe gjatë fillores. Kjo është një sfidë e madhe dhe e rëndësishme, me qëllim që t'i mënjanojmë herët deficitet", pohon Thomas de Maizière.

Albert Schmid, presidenti i Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët dhe i ngarkuari për programin e integrimit, tha se 600.000 migrantë ndërkohë kanë ndjekur kurset e gjuhës, ku kërkohet një nivel i lartë. Gjermanishtja mësohet si gjuhë kulture deri në 1200 orë mësimi. Synimi është tërhiqen në këto kurse gjuhe ata që jetojnë në Gjermani prej një kohe të gjatë, mendon Schmid: "Në kuptimin më të gjerë bëhet fjalë për përmirësime brenda një grupi migrantësh, të cilët kanë ardhur pa njohuri gjuhësore."

Shumë të huaj vizitojnë kurse gjuhe
Shumë të huaj vizitojnë kurse gjuheFotografi: picture-alliance/dpa

15% nuk duan të integrohen

Me këtë Schmid nënkupton të huajt që kanë ardhur para disa dekadash në Gjermani pa mësuar gjuhën. Shumë të tjerë kanë ardhur për shkak të bashkimit familjar. Përkundër përshtypjes së përhapur se turqit dhe arabët nuk duan të integrohen, ministri i Brendshëm, Thomas de Maizière theksoi se nuk gjenden refuzues të integrimit vetëm tek këto grupe. Ai përmendi një shifër 15% të atyre që refuzojnë integrimin shoqërinë gjermane."Këtu nuk janë vetëm myslimanët, por edhe azilantë të rinj. Një pjesë e popullatës bën fjalë gabimisht për rusët. Nuk janë rusë, por imigrantë. Dhe çfarë do të thotë 'të mos kesh dëshirë për t'u integruar'? Kur refuzon të marrësh pjesë në programet integruese, vetëizolohesh, mbetesh vetëm brenda grupit të tënd, dhe refuzon shtetin gjerman", tha ai.

Albert Schmid nga Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët kujton edhe gatishmërinë e madhe për integrim ndër të huajt. Më shumë se gjysma e tyre janë aktivë në organizata gjermane, klube futbolli apo sindikata.

"Kjo është gjithashtu një pjesë e mirë e pjesëmarrjes në shoqëri, që duket qartë në këtë formë. Dhe në tërësi ky program imtegrimi qëndron nën moton "Integrim përmes arsimimit".

Për ta përshpejtuar procesin e integtimit, tashmë po punohet që të përgatiten mësues nga familjet e emigrantëve. Interesi është i madh. Schmid shpreson që me këtë të arrihet efekti i duhur.

Autor: Marcel Fürstenau/Lindita Arapi

Redaktoi: Bahri Cani