1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtina përballë Beogradit muajin e ardhshëm në Vjenë

AG21 Dhjetor 2005

Diplomati finlandez, Marti Ahtisari dhe i dërguari special i OKB-së për statusin, është takuar me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan

https://p.dw.com/p/Aqrm
Vjena
VjenaFotografi: dpa

I dërguari special i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari ka paralajmëruar se muajin e ardhshëm në Vjenë do të mund të mbahet raundi i parë i negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit rreth decentralizimit.

Në një konferencë për media në selinë e Kombeve të Bashkuara ditën e martë në Nju Jork, Ahtisari ka thënë se në bazë të bisedave të cilat janë zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd çështja e decentralizimit do të mund të ofronte platformën për raundin e parë të bisedimeve të cilat do të mund të mbahen në gjysmën e dytë të janarit.

Mediat bëjnë të ditur, se diplomati i njohur finlandez, Marti Ahtisari ka takuar edhe sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Anan. Takimi ka pasur si bazë informimin e Kofi Ananit mbi takimet e zhvilluara deri tani në rajon nga ana e Ahtisarit.

Ahtisari ka thekuar rëndësinë e reformës së vetqeverisjes lokale në Kosovë. Ndër çështjet kryesore me të cilin do të merret ekipi i tij, ka thkasur Ahtisari do të jetë edhe mbrojtja e popullatës joshqiptare në Kosovë. Ai ka thënë poashtu se shqiptarët e Kosovës duhet t'a marrin këtë në konsideratë dhe duhet të inkuadrohen rreth kësaj çështjeje.

Ish presidenti finlandez, Ahtisari ka theksuar se kjo nuk mund të arrihet vetëm nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës. Ahtisari është shprehur se edhe gjatë bisedave me autoritetet e Beogradit, ai ju ka bërë këtë të qartë. Beogradi duhet të jetë realist dhe të inkurajojë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në procesin e decentralizimit.

Ekonomia do të jetë gjithashtu një temë tjetër prioritare gjatë negociatave të statusit të Kosovës, është shprehur Ahtisari.