1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Proces për një masakër të Luftës së Dytë - I akuzuari e hedh poshtë akuzën

Tim Aßmann / Mynih (BR)16 Shtator 2008

Në Mynih filloi të hënën (15.9.) një proces kundër krimeve të luftës. Eshtë fjala për një masakër ndaj civilëve italianë gjatë luftës së dytë botërore.

https://p.dw.com/p/FJ9F
I akuzuari Josef S. ngre dorën para gjyqtarit, 15 shtator 2008. Ai akuzohet të ketë marrë pjesë në vrasjen e 14 civilëve italianë në qershor 1944.
I akuzuari Josef S. ngre dorën para gjyqtarit, 15 shtator 2008. Ai akuzohet të ketë marrë pjesë në vrasjen e 14 civilëve italianë në qershor 1944.Fotografi: AP

I akuzuari, një ish oficer 90 vjeçar i Wehrmachtit, e ka kundërshtuar akuzën. Në qershor 1944 ai duhet të ketë marrë pjesë në vrasjen e 14 civilëve italianë.

I mbështetur në një patericë i akuzuari Josef S. hyri në sallën e gjyqit, pastaj 90-vjeçari ndoqi i shtangur leximin e akuzës. Meqenëse mezi dëgjonte mbante në veshë kufje. Për prokurorinë e Mynihut ky njëri në bankën e të akuzuarit është fajtor për vdekjen e 14 vetëve..

Lojtnanti Joseph S. drejtonte në vitin 1944 një kompani në Toskana. Sipas akuzës, kur partizanët vranë dy nga ushtarët e tij, oficeri urdhëroi të hakmerren. Pranë qytezës së vogës Falzano u vranë katër vetë, pastaj ushtarët gjermanë futën dhjetë robër, burra dhe gra, në një shtëpi dhe e hodhën atö në erë. Vetëm një 15-vjeçar mbijetoi, thotë kryeprokurori i gjykatës së Mynihut, Anton Winkler: "Akuza mbështetet në njërën anë tek dëshmia e këtij djali, i cili jeton ende dhe që mund të dalë dëshmitar. Nga ana tjetër kemi dëshmitarë të asaj kohe. Po ashtu kemi informacione për shkak të dënimit në La Spezia."

Atje një gjykatë ushtarake italiane dënoi në mungesë në vitin 2006 ish oficerin e Wehrmachtit me burgim të përjetshëm. Për dorëzimin e tij nuk bëhej fjalë në bazë të së drejtës gjermane. Tani ne fillimin e procesit në Mynih i akuzuari nuk dha asnjë dëshmi. Mandanti i tij i kundörshton të gjitha akuzat, flet në vend të tij Christian Stünkel, njëri nga mbrojtësit e 90-vjeçarit.

"Ai as nuk ka njohuri për ndonjë urdhër dhe as nuk ka dhënë urdhër për të hedhur në erë ndonjë shtëpi me civilë. Ai as është në dijeni dhe as i kujtohet e gjithë çështja."

Urdhëri duhet të ketë ardhur nga një instancë më e lartë, thotë mbrojtësi Stünkel. Procesi 64 vjet më vonë i shërben vetëm një qëllimi politik-historik.

"Qëllimi i këtij procesi nga pikëpamja e mbrojtësve i shërben zbardhjes të ngjarjeve në luftën e dytë botërore. Edhe për arsyen se unë jam i bindur për pafajësinë e mandantit tim dhe për shkak të gjendjes së dosjeve e konsideroj një çështje, që duhet sqaruar nga historianët dhe jo nga juristët."

Mandanti i tij nuk është në gjendje të përballojë procesin. Ta ballafaqosh 90-vjeçarin Joseph S. me ngarkesat e procesit është e papërgjegjshme, akuzon mbrojtja gjykatën.

Prokuroria do ta dëshmojë me një rradhë dëshmitarësh përgjegjësinë e të paditurit për masakrën. Janë si dëshmitarë italianë, ashtu edhe ish pjesëtarë të njësisë së atëhershme pioniere gjermane. Që paraqitja e fakteve do të jetë e vështirë pas 64 vjetësh tregon edhe fakti se gjashtë prej atyre, që ishin parashikuar të dëshmonin kanë vdekur ndërkohë. Procesi vazhdon pas dy javësh