1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi gjyqësor i spiunëve afër fundit

13 Maj 2010

Procesi që po zhvillohet në Gjykatën e Lartë në Mynih kundër dy bashkëpunëtorëve të BND-së në Kosovë po i afrohet fundit. Në pleduajenë e lexuar të mërkurën (12.05.) Prokuroria Federale u tërhoq nga një pjesë e akuzës.

https://p.dw.com/p/NMlS
Dy të akuzuarit në sallën e gjyqit, 18.11.2009
Dy të akuzuarit në sallën e gjyqit, 18.11.2009Fotografi: AP

Prokuroria Federale mbajti të mërkurën (12.5) pleduajenë në procesin gjyqësor kundër ish-spiunit të Shërbimit të Fshehtë Gjerman (BND) dhe të dashurit të tij homoseksual. “Për të pandehurin K. prokuroria federale kërkon dënim me heqje lirie prej dy vjetësh dhe dhjetë muajsh, ndërsa për të pandehurin A. dënim me heqje lirie me kusht për një afat prej tre vjetësh”, i tha programit shqip të Deutsche Welle-s prokurori Michael Wachs.

Kur Wax më parë pat përfunduar pleduajenë e tij Murat A. kishte marrë frymë thellë, pasi akuza më e rëndë, ajo e spiunimit të informacioneve të fshehta kishte rënë: “Prokuroria Federale ka gjetur një sërë pikash që e mbështesin këtë akuzë, por ato nuk mjaftojnë si dëshmi, prandaj edhe i pandehuri u çlirua pjesërisht në këtë pikë,” - tha Wachs më tej.

Bie akuza për lidhje me krimin e organizuar

Në fillim të procesit gjyqësor, në nëntor të vitit të kaluar, prokuroria e kishte akuzuar 30-vjeçarin me prejardhje nga Maqedonia, por që ishte lindur e rritur në Gjermani, për lidhje me shërbime të tjera të fshehta në Ballkan si edhe me krimin e organizuar. Por gjatë seancave nuk u arrit të sillej asnjë dëshmi që fliste për këtë. Avokati i Murat A., Christian Stünkel e konsideron tërheqjen e prokurorisë një sukses të pjesshëm: “Kjo përrallë tani mori fund. Sigurisht që është një sukses i madh për mbrojtjen, kur një gjë e tillë pranohet para se të flasin avokatët”, i tha ai Deutsche Welles.

Për ish-agjentin e BND-së, K. prokuroria federale mbetet tek akuzat e saj. Sipas saj nënkoloneli 43-vjeçar, që ishte ngarkuar në Prishtinë me ngritjen e një rrjeti informantësh për BND-në, e ka tradhtuar sekretin e shtetit duke i krijuar të dashurit të vet akses në dokumente të fshehta. K. i hedh poshtë këto akuza dhe thotë se partneri i vet nuk e dinte që K. punonte për shërbimin e fshehtë gjerman, madje ai thotë se e ka shfrytëzuar prejardhjen e të dashurit të vet, si shqiptar i Maqedonisë, për të hyrë në kontakt me informantë. Anton Robert K. Hedh poshtë edhe një pikë tjetër të akuzës, që ka të bëjë me disa fatura me honorare të pajustifikuara në adresë të Murat A. Prokuroria në këtë rast i akuzon të dy të pandehurit për mashtrim ose bashkëpunim për mashtrim me qëllim përfitimi ekonomik në një shumë prej afro 15.000 Euro brenda një periudhë kohe prej tre vjetësh.

Dy të akuzuarit dhe avokati i tyre, 18.11.2009
Dy të akuzuarit dhe avokati i tyre, 18.11.2009Fotografi: AP

Ish-agjentin e kallëzoi e shoqja që ishte homoseksual

Dy të pandehurit ishin arrestuar në mars 2009 dhe ishin liruar pas gjashtë javë hetimesh. Hetimet e kanë zanafillën tek një denoncim, që i bëri e shoqja e Anton Robert K. të shoqit për lidhjen e fshehtë homoseksuale të tij me përkthyesin e vet, e cila sipas rregullave të BND-së duhej të lajmërohej në qendër. Nëna e tre fëmijëve të përbashkët u nxit për ta bërë këtë denoncim pasi i pat ardhur një letër nga shoqëria e sigurimit të të shoqit, ku shpjegohej se në rast vdekjeje, përfitimi financiar do të kalonte në adresë të Murat A. dhe jo të saj. Gjyqi kundër dy bashkëpunëtorëve të BND-së u hap fillimisht më datën 18 nëntor 2009 dhe pritet të përfundojë më 26 Maj të këtij viti. Të enjten e ardhshme (19 maj) janë paraparë të mbahen pleduajetë e palës mbrojtëse.

Autor: Anila Shuka/Berlin

Redaktoi: Auron Dodi