1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prokuria e Tribunalit të Hagës paraqit pretencën ndaj ish-udhëheqësve politikë, ushtarakë dhe policorë serbë, të akuzuar për krime në Kosovë

Bahri Cani21 Gusht 2008

Prokuroria kërkoi dënime të larta, ndërkohë që mbrojtja kërkon lirimin e tyre. Pas vdekjes së Millosheviqit, është ky procesi më i rëndësishëm në Hagë për krimet serbe në Kosovë.

https://p.dw.com/p/F2UN
Ish-presidenti serb Milan Milutinovic
Ish-presidenti serb Milan MilutinovicFotografi: AP

Prokuroria është e bindur se ka dëshmuar në tërësi fajin e ish-presidentit të Serbisë Millan Millutinoviq, ish-zëvendëskryeministrit jugosllav Nikolla Shainoviq, shefit të shtatmadhorisë së ushtrisë jugosllave Dragoljub Ojdaniq, si dhe gjeneralëve Nebojsha Pavkoviq, Vlladimir Llazareviq dhe Sreten Llukiq për krimet kundër shqiptarëve në Kosovë.

Prokurori Tom Hanis tha se gjatë gjykimit, që ka filluar para dy vitesh, janë paraqitur prova të mjaftueshme për krimin e organizuar me qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe vendosjen e dominimit të përjetshëm serb. Pala serbe ka synuar që largimin e shqitparëve të Kosovës ta arrrijë përmes një fushate sistematike të terrorit dhe dhunës masive kundër shqiptarëve. Millutinoviq dhe të tjerët akuzohen për dëbimin e rreth 800.000 shqiptarëve, vrasjen e mijëra civilëve të pafajshëm, keqtrajtimet seksuale dhe dhunime masive si dhe plackitjen dhe shkatërrimin e vendbanimeve shqitpare dhe objekteve fetare.

Prokuroria pohon se planet e Serbisë për spastrimet etnike janë zhvilluar për një kohë të gjatë, pasi që më parë dështuan planet për realizimin e qëllimeve përmes heqjes së autonomisë apo shtimit të reprezaljeve. Hanis citoi edhe gjeneralin gjerman Klaus Nauman, i cili gjatë procesit kundër Millosheviqit dëshmoi se ish - presidenti i Serbisë jozyrtarisht kishte paralajmëruar se në pranverën e vitit 1999 do t'i mblidhte shqiptarët e Kosovës dhe do t'i vriste si dikur në vitin 1946 në Drenicë. Këto krime të paralajmëruara prej Millosheviqit i kanë kryer ushtria, policia dhe forcat tjera serbe, në mars dhe prill të vitit 1999. Gjenerali Pavkoviq në kohën e procesit kundër Millosheviqit pohonte se përgjegjësinë për zhvillimet atje e kishin ata vetë.

Millosheviqi nuk më ka thirrur kurrë të më urdhërojë të kryejë ndonjë vepër për të cilën akuzohet në Hagë. Ai më thirriste çdo të dytën ditë dhe më pyeste për moralin dhe gjendjen në ushtri, më ofronte ndihma dhe sugjeronte të mos shetisim nëpër Kosovë se do të na vrasin. Ndërkohë që përgjegjësia komanduese në sistemin tonë juridik nuk ekziston.

Refugjatë kosovarë në Maqedoni
Refugjatë kosovarë në MaqedoniFotografi: AP

Mirëpo prokuroria pohon se ka nxjerrë prova të mjaftueshme për të dëshmuar se të gjitha veprimet e ushtrisë, policisë dhe forcave tjera, janë komanduar prej të akuzarave që ishin në një shtab të përbashkët, i cili komandohej prej të akuzarve.

Prokuroria i hodhi poshtë pohimet e mbrojtjes se ekzodi i shqiptarëve ishte pasojë e bombardimeve të NATO-s. Fushata serbe realizohej në Kosovë përmes një modeli të përpunuar mirë: Së pari ushtria granatonte vendbanimet shqiptare, pastaj futej policia dhe i ndiqte i bastiste, plaçiste dhe digjte shtëpitë, ndërkohë që banorët dëboheshin apo vriteshin. Gjatë kësaj fushate ka pasur edhe vrasje masive të familjeve, civilëve dhe fëmijëve, sic ishin rastet e familjeve Berisha apo Çaka. Si dëshmi konkrete e krimeve masive u theksua edhe vrasja dhe trasportimi i qindra të vrarëve shqiptarë në afërsi të Beogradit.

Si dëshmi kundër ish-presidentit të Serbisë, Millan Millutinoviq u paraqitën edhe obstruksionet e tij gjatë konferencës paqësore në Rambuje. Ajo kërkon që Millutinoviq dhe pesë bashkëpuntorët e tij të dënohen në kohëzgjatje prej 20 vjetësh e deri në burgim të përjetshëm. Ndërkohë që mbrojtja është e mendimit se pala kundërshtare nuk ka paraqitur dëshmitë e duhura për dënimin e të akuzuarve. Avokatët pohojnë se Millotuniviqi dhe Shainoviqi nuk kanë komanduar me forcat ushtarake dhe policore, por janë angazhuar për zgjidhjen e problemeve me mjete politike. Fjala e mbrojtjes përfundon ditën e premte (22.08), ndërsa vendimi do të merret më vonë.