1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prokuroria në Gjermani po zhvillon hetime mbi guvernatorin e Bankës Qëndrore gjermane Ernst Velteke për shkak të skandalit Adlon

Rolf Wenkel7 Prill 2004

Prokuroria e Frankfurtit ka hapur një proçedurë hetimore kundër presidentit të Bankës Qëndrore gjermane Ernst Velteke. Ekziston dyshimi se Velteke ka shfrytëzuar pa të drejtë fonde jo private gjatë qëndrimit të përfolur në hotelin Adlon, bëri të ditur një zëdhënës i prokurorisë së Frankfurtit.

https://p.dw.com/p/Ar6y
Presidenti i Bankës Qëndrore gjermane Ernst Welteke
Presidenti i Bankës Qëndrore gjermane Ernst WeltekeFotografi: AP

Revista informative gjermane "Der Spiegel" informoi kohët e fundit se presidenti i Bankës Qëndrore gjermane Ernst Velteke kishte prenotuar në festën e Vitit të Ri 2001 një suitë për katër netë për vete dhe bashkëshorten në hotelin luksoz të Berlinit Adlon. Prenotimi ishte bërë edhe për një dhomë dyshe për djalin e tij 25-vjeçar dhe të dashurën e cila ishte atëherë edhe kujdestarja e djalit tjetër trevjeçar të Veltekes. Shpenzimet prej 7.662 eurosh ishin paguar nga banka gjermane Dresdner Bank me argumentimin se Velteke kishte marrë pjesë në festimet me rastin e futjes së monedhës së re euro.

E gjithë kjo histori la që në fillim një shije të keqe. Një festë me rastin e futjes së euros mund të pranohet si shërbim zyrtar por nuk shkon të kalosh katër ditë me familjen me shpenzimet e të tjerëve, aq më tepër kur bëhet fjalë për një manaxher të rangut të lartë si Velteke i cili fiton rreth 350.000 euro në vit. Jehona që historia pati në shtyp ishte natyrisht e madhe dhe me pasoja të rënda.

Zëdhënësi i ministrisë së financave, Jërg Myler tha të enjten e kaluar se letra anonime kishin mbërritur në shumë adresa të ministrisë. Për burimin e informacioneve ende nuk mund të thuhej asgjë, por nëse do të rezultojë që ato kanë ardhur nga autoritetet financiare të Hesenit siç flitet atëherë bëhet fjalë për shkelje të sekretit fiskal. Ministria e financave në Hesen ka hedhur ndërkohë poshtë përgjegjësinë për bërjen publike të informacionit për skandalin Adlon.

Por gabimin më të madhe vetë Velteke e bëri të hënën. Në një deklaratë ai foli për keqkuptime por nuk shprehu asnjë lloj keqardhjeje apo ndjenjë faji. Shuma e faturës së hotelit është paguar ndërkohë gjysma nga Velteke e gjysma nga Banka Qëndrore. 61-vjeçari Velteke pranoi në deklaratën për shtyp "keqkuptimet" por jo gabime në sjelljen e tij. Kjo nuk u prit aspak mirë nga shtypi gjerman i cili foli për sjellje të papeshuar dhe pa instinkt në stilin e të tjerë manaxherëve të përfolur gjermanë. "Që këta njerëz nuk kanë skrupuj të vendosin për shpërblime në shuma disa miliardëshe e të pranojnë sponsorizime për qëndrime në hotele luksoze bashkë me familjet nuk mund të kuptohet në këtë kohë kur nga qytetari i thjeshtë gjerman kërkohet të pranojë shkurtimet në shërbimet sociale e pensione". Me këto fjalë komentoi psh gazeta e Pforzheimer-it duke pasqyruar kështu atmosferën mbizotëruese në Gjermani.

Ministri gjerman i financave Hans Ejhel tha të hënën në Berlin se një "ajo çfarë ka ndodhur nuk përputhet me rregullat tona të sjelljes". Por ministri theksoi edhe se pasojat nga kjo ngjarje duhet të trajtohen brenda vetë Bankës Qëndrore.

Shoqata e taksapaguesve gjermanë ka kërkuar dorëheqjen e Veltekes. "Ashtu si për çdo nëpunës shtetëror edhe për zotin Velteke vlen rregulli për mospranimin e shpërblimeve dhe dhuratave", u shpreh presidenti i kësaj shoqate Karl Hajnc Deke për gazetën "Kölner Express". Mandati i Veltekes duhej të zgjaste deri në shtator 2007. Deputeti i CDU-së Hartmut Shauerte kritikoi faktin që Velteke ka pranuar ftesën e një banke të cilën institucioni që ai drejton ka detyrë t'a mbikqyrë dhe kontrollojë pasi Banka Qëndrore kryen funksionin e mbikqyrjes bankare në Gjermani. "Z.Velteke nuk mund të qëndrojë më në post" tha Shauerte.

Zëdhënësi i Ejhelit Jërg Myler kishte thënë më parë se një sjellje e ngjashme nga anëtarë të kabinetit qeveritar do të ishte e papranushme. Por ka vazhuar Myler Banka Qëndrore e Gjermanisë është një autoritet i pavarur. Në këtë rast janë instancat e saj që duhet të vendosin për çështje të tilla.

Shumë deputetë kristiandemokratë e akuzuan Velteken se ka vepruar në kundërshtimin me kodin etik të Bankës Qëndrore Evropiane.

Edhe sekretari i përgjithshëm i partisë kristian sociale Markus Sëder ka kërkuar dorëheqjen e presidentit të Bankës Qëndrore Ernst Velteke. Banka Qëndrore sipas tij është një institucion që ka gëzuar gjithnjë besim të madh në Gjermani, u shpreh Sëder në Mynih duke shtuar se njeriu në krye të këtij institucioni duhet të justifikojë këtë besim. "Velteke nuk mund ta bëjë më këtë" tha Sëder.