1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Propozime të reja për një integrim më të mirë të të huajve në Gjermani

Monika Dittrich11 Gusht 2006

Në Gjermani jetojnë rreth 15 milionë vetë, që nuk kanë lindur këtu ose prindërit e të cilëve janë të huaj. Në zhargonin politik bëhet fjalë për njerëz me "sfond emigrimi". Ditët e fundit, politikanët e CDU/CSU-së dhe të SPD-së janë marrë sërish me plane për një politikë më të mirë integrimi dhe emigrimi.

https://p.dw.com/p/Aqon

Më 1 janar 2005 në Gjermani hyri në fuqi ligji i emigrimit. Ishte fundi i një debati të gjatë për atë se si duhet të veprojë Gjermania me emigrantët. Tani del në pah se ky ligj duhet të përmirësohet. Koalicioni i madh në pushtet në Gjermani ka që tani disa ide në tryezë.

Propozimi numër 1: kurset e integrimit duhet të përmirësohen. Ai që vjen në Gjermani, duhet të ulet këtu edhe njëherë në bankat e shkollës. 630 orë kurs integrimi janë sipas ligjit të ri të emigrimit në program: në këto kurse emigrantët duhet të mësojnë para së gjithash gjuhën gjermane, por të fitojnë edhe njohuri bazë për kulturën, historinë dhe rendin juridik në Gjermani. Këto kurse integrimi janë bërthama e politikës gjermane të integrimit. Por për fat të keq ato nuk sjellin suksesin e shpresuar: një ndër tre pjesëmarrës arrin ta marrë provimin vullnetar përfundimtar. Prandaj, në të ardhmen do të ketë më shumë mësim, si thotë deputeti socialdemokrat Dieter Wiefelpütz:

"Ne flasim aktualisht për një zgjerim të kurseve të integrimit: për shembull, sikur kurset nga 600 orë tani, t'i zgjerojmë në 800 ose 900 orë mësimi."

Unionistët e CDU-së dhe CSU-së duan në fakt që në fund të ketë një test të detyrueshëm, për të testuar përparimin e pjesëmarrësve të kurseve. Por ky propozim me sa duket nuk është më në tryezë, thotë Reinhard Grindel nga fraksioni unionist:

"Unë besoj se ka rëndësi, që sa më shumë pjesëmarrës që të jetë e mundur të kenë në dorë të kursit të integrimit një certifikatë, në këtë kuadër testet janë të dëshirueshme. Një detyrim ne shohim vetëm për ata që duan të marrin nënshtetësinë gjermane."

Ndoshta mund të shtohen edhe paratë e mësuesve, për të përmirësuar cilësinë e kurseve. Po se nga duhet të vijnë paratë për të gjitha këto vepra të mira, kjo është e paqartë.

Propozimi numër dy: refugjatët, që jetojnë prej shumë vitesh në Gjermani, të lejohen të qëndrojnë në mënyrë të përhershme. Bëhet fjalë për më pak se 200 mijë vetë, që kanë ardhur nga ish-Jugosllavia, nga Iraku ose Afganistani. Ata nuk kanë të drejtë të siguruar qendrimi, dëbimi i tyre vetëm është pezulluar, si thuhet në gjermanishten juridike. Kjo do të thotë, se ata nuk mund të dëbohen prej arsyesh të vërteta ose arsyesh juridike, dhe prandaj "durohen". Por ata i kërcënon megjithatë vazhdimisht dëbimi. Ministri i brendshëm gjerman, Volfgang Shojble ka sinjalizuar një zgjidhje "të arsyeshme" për këto raste të vjetra. Landi i Berlinit ka vendosur ndalimin e dëbimit për shumë të huaj, të cilët deri tani vetëm janë "duruar". Bëhet fjalë para së gjithash për familje me fëmijë.

Ndalimi i dëbimit në Berlin mund të bëhet shembull për të tjerët: në vjeshtë, ministrat e brendshëm të landeve duan të bien dakord për një rregullim të njësuar për refugjatët e luftës civile dhe azilkërkuesit e refuzuar.

Propozimi numër tre: forcave të kualifikuara të huaja mendohet t'u lehtësohet emigrimi në Gjermani. Vitin e kaluar, në Gjermani u shpërngulën vetëm 900 specialistë të huaj. Kjo, megjithëse firmat kërkojnë më këmbëngulje specialistë komunikacioni dhe informatike. Por ligji i emigrimit ua vështirëson punën personave tepër të kualifikuar: ai që dëshiron të marrë qëndrim të pakufizuar në Gjermani dhe nuk është qytetar i BE, duhet të gjejë një sipërmarrje gjermane, e cila t'i paguajë atij të paktën 85 mijë Euro në vit. Vetëm atëherë ai konsiderohet si tepër i kualifikuar. Por këtë kriter mund ta plotësojnë vetëm pak vetë. Por koalicioni i madh qeveritar në pushtet në Gjermani e ka kuptuar problemin, thotë Dieter Wiefelspütz:

"Një shkencëtar i ri shumë i aftë i shkencave natyrore nuk fiton ende 80 mijë euro në vit. Ai ka të ardhura më të pakta vjetore. Por ne duhet të kemi mundësi ta fitojmë atë edhe në këtë situatë për Gjermaninë. Këtu ne mund ta ulim kufirin."

Emigrimi i personave që fitojnë më pak para nuk ka qenë temë në këtë debat me shumë fjalë. Temë bisede ka qenë një sistem pikësh, i cili ua bën të mundur emigrimin në Gjermani këtyre personave, nëse ata plotësojnë kritere si njohuri të mira të gjermanishtes dhe një shkollim të kualifikuar profesional. Por kjo ide nuk do të kishte asnjë shans për t'u zbatuar, thonë të dy partnerët e koalicionit