1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta në Francë

Artan Kutra16 Maj 2006

Projektligji i ri mbi imigracionin në Francë ka ngjallur reagime të forta në rradhët e gjithë emigrantëve të kombësive të ndryshme që jetojnë e punojnë në Francë

https://p.dw.com/p/ArB4
Të rinj që protestojnë në Francë
Të rinj që protestojnë në FrancëFotografi: AP

Projekt - Ligji i ri mbi imigracionin në Francë ka ngjallur reagime të menjëhershme e të forta në radhët e gjithë emigrantëve të kombësive nga më të ndryshme që jetojnë e punojnë në Francë, por që janë të pa pajisur me dokumentat e nevojshme, të cilat shërbejnë për të rregulluar gjendjen e tyre ligjore në vend.

Java që lamë mbrapa ka qenë e shoqëruar me protesta ndaj këtij projekt-ligji. Në protesta nuk janë ngritur vetëm imigrantët, por në krah të tyre janë rreshtuar edhe një numër i konsiderueshëm sindikatash, përfaqësues të opozitës së majtë franceze, organizata jo qeveritare që punojnë në fushën e të drejtave të njeriut, si edhe një sërë organizatash të krishtera që shpesh herë organizojnë strehimin e këtyre emigrantëve.

Protestat e tyre janë shprehur me demonstrime të një pas njëshme gjatë gjithë këtyre 10 ditëve të fundit, jo vetëm në Paris por edhe në qytete të tjera të Francës.

Projektligji është cilësuar nga opozita franceze dhe nga sindikalistët si "Teksti Ligjor" më i ashpër që është hartuar gjatë këtyre 20 viteve të fundit. Ky projektligj parashikon vështirësimin e procedurave për marrjen e kartës së rezidentit në Francë, vështirëson procedurat për bashkimet familjare dhe parashikon reduktimin e vizave për "studentët fallco", që dëshirojnë të vijnë në Francë për të kryer studime universitare me karakter të gjatë kohor.

Gjatë javës së kaluar në Paris dhe në qytete të tjera të Francës janë shënuar një numër manifestimesh kundër projekt-ligjit mbi imigracionin, i cili të mërkurën e ardhëshme do të hidhet në votë në Kuvendin Kombëtar të Francës.

Në Paris policia ka vlerësuar se në manifestimin e organizuar ditën e shtunë ka pasur rreth 15 000 vetë, ndërsa organizatorët pretendojnë se në sheshe të ndryshme të kryeqendrës së Francës kanë protestuar rreth 35 000 vetë.

Ndërkaq në orët e mbrëmjes, një grup imigrantesh të paligjshëm kanë pushtuar për disa ore katin e parë të Kullës Eifel, duke lëshuar trakte në shenjë proteste ndaj projekt-ligjit dhe mënyrës se si ata trajtohen.

¨Në sheshin e "Republikës" në Paris, emigrantët e paligjshëm dhe mbrojtësit e tyre të shoqatave joqeveritare ishin mbledhur të shumtë në numër, me flamuj e pankarta duke protestuar kunder projekt ligjit të ri mbi imigracionin i cili pritet të miratohet në parlament këtë të mërkurë.

Ja si shprehet njeri prej protestuesve: "Unë quhem Mikel Kalini dhe vij nga Senegali. Prej 5 vjetësh jetoj e punoj në Francë por nuk më japin asnjë dokument. Unë paguaj të gjitha taksat, taksë mbi banimin, taksë mbi transportin, taksë mbi të ardhurat vjetore, por një herë që u sëmura e kisha nevojë për asistencë, institucionet përkatëse më
thoshin se emri im nuk figuronte asgjëkundi dhe se me fjalë të tjera quhesha klandestin e i paligjshëm në Francë.“


Projektligji i ri mbi imigracionin është hartuar nën kujdesin e veçantë të Ministrit të brendshëm francez, Nikola Sarkozy.

Nga ana tjetër ky projekt ligj është vlerësuar nga opozita e majtë franceze si më i ashpri ndër ligjet e mëparshme të kësaj fushë të imigracionit. Ministri i brendshëm është shprehur se synon të garantojë një imigracion të kontrolluar dhe jo spontan. Sipas tij Franca ka nevojë për trurin dhe idetë, e jo më për krahë të lirë pune.

Vlen të theksohet se kortezhi i protestuesve ditën e shtunë ishte 2 herë më i madh se në protestat e tjera.

Ja si shprehet Nathalie një banore e Parisit, përfaqësuese e opozitës, e cila gjendej në radhët e protestuesve: “Kam dalë në shesh për të protestuar sepse gjykoj se është e padrejtë që këta emigrantë që ndodhen këtu e që punojnë ndershmërisht të flaken jashtë kufijve vetëm e vetëm se u mungon një dokument legalizimi në xhep. Duhet që qeveria të korrigjojë ligjin.”


Gjatë këtij parakalimi në rrugët e Parisit rreth orës 18.00 një grup prej 40 vetësh u shkëput nga kortezhi i përgjithshëm dhe u drejtua për tek monumenti i famshëm që spikat në Paris, tek Kulla Eiffel. Aty protestuesit u ngjitën deri në katin e parë të kullës Eifel dhe prej andej lëshuan rreth 5 mijë fletushka në formë traktesh, teksti i të cilave ishte kundër projektligjit mbi imigracionin në Francë e kundër ministrit të brendshëm, ideator i këtij projekt ligji.


Ky grup manifestuesish arriti deri aty sa të shpaloste në lartësitë e Kullës Eiffel edhe një banderolë të madhe në të cilën shkruhej, Sarkozy, ky bir emigranti duhet të gjejë zgjidhe të drejta e jo të largojë emigrantët. (sqarojmë se edhe vetë ministri i brendshëm nuk është me origjinë të mirëfilltë franceze)

Rreth orës 21.00 forcat e policisë i evakuuan protestuesit nga Kulla Eifel pa shkaktuar incidente. Projekt-ligji mbi emigracionin në Francë pritet të hidhet në votë të mërkurën në kuvendin kombëtar, përpara se të kalojë për shqyrtim përfundimtar në Senat më 6 dhe 7 qershor."