1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse jo një koalicion të madh për Gjermaninë ... ?

25 Shtator 2005

Tema qendrore e komenteve të shtypit ndërkombëtar të kësaj jave ishin zgjedhjet për parlamentin gjerman dhe sidomos pasojat e mundshme për BE.

https://p.dw.com/p/Arte
... po cili do të drejtojë?
... po cili do të drejtojë?Fotografi: AP

"Humbëse e këtyre zgjedhjeve që përfunduan në mënyrë të pakënaqshme është e gjithë Evropa" komentonte gazeta "Daily Telegraph", që botohet në Londër.

Kurse gazeta e Parisit "Le Figaro" shkruante se "politika evropiane, e cila është në krizë që prej jo-së së francezëve për referendumin për kushtetutën e BE-së, kërcënon tani që të paralizohet më shumë se kurrë."

Në gazetën spanjolle ABC lexojmë: "Kriza politike e shkaktuar në Gjermani prej zgjedhjeve parlamentare përbën fundin e Kushtetutës evropiane. Presidenti i Komisionit të BE-së, Hoze Manuel Barroso, kishte theksuar se ratifikimi i Kushtetutës evropiane do të shtyhet për të paktën dy ose tre vjet. Kjo mund të vlerësohet edhe si një certifikatë vdekjeje për këtë kushtetutë. Pas lajmeve të këqia nga Berlini do të ishte e këshillueshme që ky proces, i cili kishte ngecur në vend pas jo-së së francezëve dhe të holandezëve, të mos ndiqej më tej. Edhe Britania e Madhe nuk duket se ka ndonjë interes të madh që të ofrojë si presidente e radhës e BE-së ide për të gjetur një rrugdalje nga qorrsokaku."

Gazeta e Nju-Jorkut "Wall Street Journal" zgjodhi si titull për komentin e saj fjalën gjermane "Stillstand" (bunacë). Nga kjo gazetë citojmë: "Përfundimi i koklavitur do të thotë se Gjermania nuk do ta reformojë për një kohë shtetin e saj social tepër të rënduar. Po ky lloj shteti ka kontribuar edhe për një përqindje papunësie në masën 11% si dhe për një rritje ekonomike në nivelin zero. Kjo s'do të ndikojë për mirë për botën, ku Gjermania është vendi i tretë në radhën e vendeve të industrializuara dhe zë edhe 30% të vëllimit ekonomik të BE-së. "I sëmuri i Evropës" ndoshta do të vazhdojë të qëndrojë edhe për disa kohë në shtrat."

Ndërsa gazeta "Neue Zürcher Zeitung" e komenton gjendjen me këto fjalë: "Evropa po fërkon sytë me habi. Paqëndrushmëri politike në Gjermani? Askush nuk dëshiron që të merret seriozisht me një skenar të tillë dhe fantazma nuk po shihen ende. Rezultati që do të dalë pas pokerit politik në Berlin është ende i hapur. Megjithatë kujt i kujtohet koha e bashkimit të Gjermanisë dhe strategjitë e kancelarit Helmut Kohl për ta çimentuar vendin e tij në BE dhe në NATO duke nxitur njëkohësisht bashkimin edhe më të ngushtë të vendeve të BE-së, atij do t'i bëhet e qartë se sa të koklavitura janë parakushtet për vazhdimin e një politike të tillë. Sido që ta kthesh, shpallja e zgjedhjeve të parakohshme ishte një manipulim prej të cilit opozita u gënjye nisur prej të dhënave të sondazheve që tingëllonin të favorshme."

Shumica e komentatorëve të huaj e shohin daljen nga kriza në krijimin e një koalicioni të madh mes socialdemokratëve dhe demokristianëve. Ja se ç'shkruan për këtë gazeta daneze "Politiken": "Parë thjesht politikisht një koalicion i tillë mund ta çonte më tej dhe ta thellonte politikën ekonomike reformatore që filloi para disa vjetësh por që nuk arriti ta përfundonte kancelari Shrëder. Socialdemokratët në radhët e një koalicioni i tillë mund t'u japin qytetarëve një farë sigurie, sepse ata nga njëra anë i duan reformat, por nga ana tjetër kanë frikë prej tyre për shkaqe të kuptueshme. Një koalicion i madh do ta nxirrte Gjermaninë nga paraliza, e cila kërcënon në mënyrë të vazhdueshme përpjekjet për reforma të thella. Askund tjetër në botë, me përjashtim ndoshta të SHBA-ve, nuk ka një shpërndarje kaq të gjërë të pushtetit në disa qendra të shoqërisë. Një koalicion i madh, do të arrinte që me një goditje ta reduktonte numrin e kundërshtarëve dhe ta bënte zërin e Gjermanisë më të besueshëm në botën e jashtme."

Një mendim të ngjashëm gjejmë edhe në gazetën "New York Times": "Përfundimi më i mundshëm do të jetë një koalicion mes partisë së Merkelit dhe të Shrëderit. Një koalicion i tillë ka jashtë Gjermanisë namin e keq se është krejtësisht i paqëndrueshëm dhe i paaftë për t'u bashkuar për një kurs të përbashkët, por në rang landesh koalicionet mes këtyre partive kanë funksionuar mirë. Në rast se i lënë mënjëanë rivalitet atëhere të dyja partitë do të konstatojnë se janë të një mendjeje sa u përket reformave urgjentisht të domosdoshme, si p.sh. për uljen e shpenzimeve anësore për rrogat, fleksibilizimin e tregut të punës apo thjeshtimin e sistemit të tatimeve."