1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

170809 Gendoping Leichtathletik-WM

18 Gusht 2009

Dopingu është në rend të ditës në Kampionatin e 12-të Botëror të Atletikës në Berlin. Federatës Botërore të Atletikës IAAF i janë paraqitur disa të dhëna analizash me profile të dyshimta të gjakut.

https://p.dw.com/p/JDM4
Analizë për Doping. Ne foto: nje laborante mban ne dore nje epruvete
Analizë për DopingFotografi: AP

'Atleti s'do të kishte pse të frikësohej për analiza pozitive, pasi EPO nuk mund të identifikohet'

Godina 1 e Institutit të Fizkulturës në Këln. Këtu punojnë disa nga ekspertët më të rëndësishëm të dopingut në Gjermani. Njëri prej tyre Patrick Diel, është ekspert për dopingun e gjeneve. Ai supozon, se ky lloj manipulimi për rritjen e aftësive përdoret prej kohësh. Kësisoj ai është i sigurtë, që lënda artificiale e dopingut EPO (Erythropoetin) është zëvendësuar prej kohësh nga një medikament, që stimulon gjenet për të prodhuar erythropoetin në trup.

"Ky është një nga kërcënimet më të mëdha, që kemi aktualisht përsa i përket dopingut të gjeneve. Momentalisht mund të them se më e mundshmja është që kjo të jetë një nga metodat që përdoret ndërkohë. Atleti, që do ta merrte në dorë në këtë moment këtë substancë do të kishte një avantazh të jashtëzakonshëm. Madje atleti s' do të kishte arësye të frikësohej se analizat mund të rezultonin pozitive, pasi kjo lëndë nuk mund të identifikohet. "

Në rastet e dopingut askush nuk është i interesuar për efektet dytësore

Në fakt ky medikament është zhvilluar për pacientë të sëmurë rëndë. Konkretisht për njerëz, të cilët vuajnë nga anemia dhe me ndihmën e këtij preparati prodhohen sërish eritrocitet (ruazat e kuqe), të cilat absorbojnë oksigjenin. Studimet e para klinike u ndërprenë për shkak të efekteve të ndryshme dytësore, por për sportistët profesionistë ky nuk vlen si argument, thekson biologu molekular Diel:

"Unë kam pasur të bëj shumë me specialistët e dopingut të gjeneve. Ata të gjithë thonë: në asnjë mënyrë, një medikament i tillë nuk duhet përdorur, sepse ka shumë efekte dytësore. Nuk është për të qeshur, por në fakt në rastet e dopingut askush nuk është interesuar për efektet dytësore. "

Kuptohet që ndërmarrjet farmaceutike nuk prodhojnë për tregun e dopingut, sepse kjo nuk do t' ia vlente në aspektin financiar, siguron Patrick Diel:

"Firmat nuk kanë ndërmend që t' u venë në dispozicion atletëve super-droga, por nëse një medikament është në fazën e zhvillimit klinik, atëherë ka njerëz që thonë: po marr nje herë disa nga këto tableta dhe po ia shes ato X apo Y, që më jep 20.000 apo 30.000 euro, gjë që ia vlen. Kuptohet me një shumë të tillë mund të blesh një makinë të re sportive. "

'Myostatina mund të luajë një rol të madh në tregun e dopingut'

Në mënyrë të ngjashme ka ndodhur edhe me Myostatinën. Myostatina është një proteinë, që pengon rritjen e muskujve. Nëse bllokohet gjeni përgjegjës për këtë lëndë, atëherë nuk prodhohet më Myostatin dhe muskujt rriten sa një mal.

"Kjo është provuar për herë të parë tek kafshët, tek të cilat është bllokuar në mënyrë artificiale gjeni përkatës. Tek minjtë është konstatuar rritja e muskujve dhe si rrjedhojë ato i kanë quajtur ‚minjtë Schwarzenegger'."

Ky medikament është zhvilluar për pacientët me dobësi muskujsh ose që u atrofizohen muskujt. Rezultatet e një studimi të parë klinik janë mjaft premtuese për atletët që potencialisht dopohen, sepse nuk kanë mundur të konstatohen efekte dytësore të dëmshme.

"Ndaj është e qartë, që Myostatina mund të luajë një rol të madh në tregun e dopingut. Këtë e dinë të gjithë. Nëse shkruani fjalën Myostatin dhe kërkoni në google do të shihni se çfarë gjeni atje. Interesi është i jashtëzakonshëm. "

Mbi 80% pranojnë të marrin doping për hir të suksesit në garë, edhe kur u rrezikohet jeta

E kush e vret mendjen, që kjo është e ndaluar, pyet thuajse me cinizëm Patrick Diel. Të gjitha lëndët e mundshme të dopingut si hormonet e rritjes apo çdo lëndë tjetër anabolike ofrohen në internet. Janë shumë të paktë atletët, që mund t' i refuzojnë preparatet e rritjes së aftësive, thotë Patrick Diel.

"Janë bërë anketime duke e vendosur atletin përballë alternativës: merr këtë medikament dhe e ke të garantuar një vend në podium në lojrat e ardhshme ompike dhe nga ana tjetër atij i vihet në dukje, se duke e marrë këtë medikament mund të vdesësh dhjetë vjet më shpejt. Rezultati tregon, se janë të shumtë ata që pranojnë ta përdorin medikamentin!"

Eksperti i dopingut Patrick Diel përmend madje edhe një shifër: janë mbi 80% që pranojnë.

Autor: Judith Hartl/ Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi