1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putini kundër Putinit! Shtyhet komunikimi i vendimit gjyqësor kundër Kodorkovskit

Miodrag Zoric27 Prill 2005

Komunikimi për shtyrjen e vendimit kundër Michail Kodorkovskit, ish shef i koorporatës ruse të naftës, "Jukos" ka qenë i papritur. Fillimisht gjykata në Moskë do të bënte të ditur vendimin ditën e mërkurë. Nga qarqe të gjykatës përmenden arsye formale për shtyrjen e këtij vendimi deri më 16 Maj. Ndoshta publikimi i një vendimi të tillë nuk përshtatet plotësisht me axhendën kohore të presidentit rus, Putin

https://p.dw.com/p/ArPZ
Mikail Kodorkovski para gjyqit
Mikail Kodorkovski para gjyqitFotografi: dpa


Edhe presidenti rus Vladimir Putin ka nevojë për harmoni. Brenda një kohe të shkurtër, Kremlinin do t'a vizitojnë politikanë nga e gjithë bota, ndër ta edhe presidenti amerikan Xhorxh Bush, kancelari gjerman Shrëder rreth 50 kryetarë shtetesh nga ish vendet e Bashkimit Sovjetik dhe mjaft vende të tjera. Më 9 Maj ata përkujtojnë viktimat e Luftës së Dytë Botërore. Një ditë më vonë zhvillohet samiti Rusi-Bashkimi Evropian. Pra Moska do të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit botëror. Është e vetëkuptueshme, që mikpritësi Putin synon të tregojë vetëm pjesën e bukur të kopshtit nga vendi i tij. Pyetjet për fatin e miliarderit të arrestuar, Mikail Kodorkovski vetëm do të prishnin pamjen e tij të bukur.

Politikanët opozitarë mendojnë se pas aktit të shtyrjes së komunikimit të vendimit kundër Kodorkovskit fshihen arsye politike. Procesi kundër të ashtuquajturit oligark do të marrë fund me sa duket pas 10 Majit. Për Putinin kjo do të thotë vetëm avantazh. Miqve pushtetarë nga e gjithë bota dhe gazetarëve kritikë ai mund t'u përgjigjet, se procesi vazhdon ende dhe ai nuk ka ndërmend të përzihet në procese që vazhdojnë. Mbi të gjitha ai mund t'i këshillojë ata që të dëgjojnë edhe një herë fjalimin e tij drejtuar popullit, ku Putini foli për shtetin e së drejtës, pra ndarjen e plotë të sistemit gjyqësor nga qeveria.

Kush mund t'a kundërshtojë apo kush do t'a kundërshtojë atë? Në fund të fundit është e kufizuar edhe dëshira e të mirëseardhurve për të debatuar mbi Kodorkovskin. Për fat të keq. Sepse pikërisht në këtë rast do të mund të kuptohej hendeku që ndan fjalët dhe veprat e Putinit. Nga njëra anë shefi i Kremlinit kërkon pavarësinë e sistemit juridik nga ana tjetër vetë ndikimi i aparatit shtetëror mbi zhvillimin e procesit gjyqësor kundër Kodorkovskit ka qenë shumë i madh.

Edhe në fusha të tjera ekziston hendeku mes pretendimit dhe realitetit. Kështu Putini kërkon një shtyp të pavarur. Në të njëjtën kohë aparati i Putinit është përpjekur që programet televizive kombëtare të mbajnë ison e tij. Nga njëra presidenti rus kërkon që të ketë më shumë investime të huaja në vend dhe premton një reduktim radikal të burokracisë. Nga ana tjetër burokracia që ka instaluar vetë ai, bllokon përmes pengesave që nxjerr ardhjen e investorëve të huaj. Kush nuk e beson këtë duhet të shohë Kaliningradin. Të huajt që jetojnë aty kanë shumë vështirësi të zgjasin lejen e qëndrimit.

Lista është shumë e gjatë, po të vazhdojmë me Çeçeninë, apo me ndërtimin e shoqërisë civile. Në Rusi lufton Putini kundër Putinit, fjalët e presidentit kudnër veprave të tij. Kush humb dihet që tani: besueshmëria e Putinit.