1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qëndrime të ndryshme ndaj raportit për zgjerimin

Viron Gjymshana18 Nëntor 2005

Komisioni Europian paraqiti para Parlamentit Europian strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Europian. Disa parlamentarë reagojnë duke kërkuar uljen e ritmit të zgjerimit.

https://p.dw.com/p/ArCj
Fotografi: European Communities

Raporti i Komisionit Europian si dhe fjala që komisioneri Olli Rehn, mbajti para Parlamentit Europian kanë ngjallur reagime të ndryshme deri kundërthënëse ndër parlamentarët europianë. Madje këto qëndrime divergjente janë vënë re edhe brenda të njëjtit grup politik të kësaj asambleje.

Kundërshtime më të ashpra janë vënë re përsa i takon perspektivave të Turqisë për tu integruar një ditë në BE, por po ashtu edhe ndaj ritmit dhe nevojës së zgjerimit të mëtejshëm të BE-së me vendet ballkanike. Nga njëra anë një pjesë e europarlamentarëve ishin të bindur se vendet e Europës juglindore duheshin mbajtur afër duke iu ofruar një perspektivë integrimi, si mjet i pazëvendësueshëm për të qetësuar, demokratizuar dhe reformuar shtetet e këtij rajoni dhe pjesa tjetër që ishte e mendimit se BE-ja duhet që pas zgjerimit të fundit vitin e kaluar me 10 anëtarë të rinj, të konsolidohet tani dhe të pyesë qytetarët e saj para çdo anëtarësimi të ri.

Kështu për shembull, eurodeputeti socialkristian gjerman Markus Ferber ndër të tjera u shpreh se BE-ja duhej ta ngadalësonte ritmin e zgjerimit dhe të aplikonte kritere strikte para çdo anëtarësimi të ri. Duke iu referuar kandidaturës së Maqedonisë ai u shpreh se " Komisioni Europian po e humb gjithmmonë e më shumë sensin e realitetit".

Por ndryshe mendonte shefi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana i cili përgëzoi Komisionin Europian që i njohu Maqedonisë statusin e kandidatit për në BE.

Edhe kryetari i grupit të partive popullore dhe demokrate, kristiandemokrati gjerman Elmar Brok pasi pranoi suksesin e politikës së zgjerimit në forcimin e demokracisë, qëndrueshmërisë dhe përparimit në vendet e Europës Lindore, tërhoqi vërejtjen ndaj çdo anëtarësimi automatik gjatë procesit të zgjerimeve të reja.

Nga ana e tij hollandezi Jan Marinus Wiersma, në emër të grupimit të partive socialiste europiane e mbështeti politikën e Komisionit Europian e njohur si ajo e tri "K"-ve, domethënë e Konsolidimit, Kushtëzimit dhe Komunikimit. Por ai pranoi se në vendet ballkanike korrupsioni, kriminaliteti, mungesa e shtetit të së drejtës dhe prapambetja ekonomike përbënin probleme që duheshin zgjidhur deri në anëtarësimin e tyre në BE.

Eurodeputetja liberale e Britanisë së Madhe Sarah Ludford, nënvizoi se pavarësisht nga problemet e shumta dhe të pamohueshme është e domosdoshme që banorëve të atij rajoni tu premtohet se përpjekjet dhe sakrificat e tyre një ditë do të shpërblehen. I të njëjtit mendim me eurodeputeten britanike ishte edhe eurodeputeti hollandez i grupit të të gjelbërve Joost Lagendajk, si dhe socialisti austriak Johannes Swoboda. Por eurodeputetet e djathta franceze Marzhi Sydr dhe Fransuazë Grostet akuzuan Komisionin Europian se kishte marrë revan në procesin e zgjerimit nën shtysën dhe ndikimin amerikan.

Krejt ndryshe me to mendonte eurodeputetja kristiandemokrate gjermane Doris Pack, e cila kryeson delegacionin e Parlamentit Europian për vendet e Europës Juglindore. Ajo e cilësoi si krejtësisht të drejtë strategjinë e Komisionit Europian për vendet ballkanike, megjithëse Komisioni duhet të verifikojë me kujdes aftësitë e cilitdo vend para se të caktojë data të sakta të anëtarësimit të tyre për në BE- tha ajo.