1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e re gjermane dhe marrëdhëniet Turqi-BE

30 Shtator 2005
https://p.dw.com/p/ArtZ
Dy kandidatët për kancelar: Merkel e Schröder
Dy kandidatët për kancelar: Merkel e SchröderFotografi: AP

Nga shtypi i ditës në Gjermani zgjodhëm temën e negociatave të Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe atë të bisedimeve për formimin e qeverisë së re gjermane.

Në lidhje me koalicionin e gjerë në gazetën berlineze Tageszeitung lexojmë:

A nuk është i dëmshëm për demokracinë koalicioni i gjerë, betabllokues për parlamentin? Përkundrazi. Radikalët për tregun në radhët e Partisë Liberale po armatosen për betejat retorike kundër koalicionit të gjerë të etatistëve duke filluar nga Seehofer deri tek Müntefering. Partia e Majtë do të paraqitet energjikisht si ndërgjegjja që bren Partinë Socialdemokratike. Të gjelbrit do të luajnë rolin e luftëtarëve për të drejtat e njeriut dhe për mjedisin. Koalicioni i gjerë nuk do të jetë lëndë qetësuese për demokracinë, më tepër stimuluese.

Për të njëjtën temë gazeta Frankfurter Rundschau shkruan:

Nga pikëpamja socialpolitike Partia Socialdemokrate po kthehet në ndihmëse të pavullnetshme në rixhustimin e bashkimit kristiandemokrat-kristiansocial. Në rast se do të ndërtohet qeveria e pritur, atëherë socialdemokratët do të kërkojnë ndryshime prej saj, për shembull sa i takon rolit të sindikatave ose interesave të atyre, të cilëve mostatimi i shtesës në pagë për punë në ditë pushimi e në turne nate u përmirëson paksa të ardhurat. Më së miri bashkimi kristiandemokrat-kristiansocial është ripërtërirë gjithnjë gjatë kohës që qeveriste.

Pa u larguar nga tema shfletojmë në gazetën e Mynihut Süddeutsche Zeitung:

Schröder deri më sot nuk lëviz nga pretendimi për të mbetur kancelar. Ajo që të dielën e zgjedhjeve ishte ende dalldi është shndërruar ndërkohë në strategji. Me anë të saj Partia Socialdemokrate synon dy gjëra në bisedimet e afërta për formimin e koalicionit: Sa i takon ndarjes së pushtetit në kabinetin qeveritar ajo si partnere koalicioni thuajse me fuqi të barabartë kërkon gjysmën e numrit të ministrave dhe të sekretarëve të shtetit. Për sa i takon përmbajtjes synohet të arrihet një marrëveshje koalicioni më e afërt me Agjendën 2010 (fjala është për një program reformash të nisura nga socialdemokratët) sesa me vendimet e kongresit të Partisë Kristiandemokrate në Lajpcig në dhjetor 2003. Në çastin që Schröder do të heqë dorë nga pretendimi i tij për tu bërë kancelar do të bëjnë përpara negociatat e vërteta. Ai nuk do ta bëjë këtë më parë, por do ta bëjë.

Ndërrojmë temë. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung komenton negociata për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian:

Në çështjen që po trajtohet tani vazhdon pajtimi në dukje në radhët e anëtarëve të Bashkimit Evropian, megjithëse së paku qeveria franceze dhe ajo holandeze e dinë se popujt e tyre nuk dëshirojnë ta ndjekin me çdo kusht udhën për të cilën qeveritë janë marrë vesh zyrtarisht. Këtu pozicioni i kancelarit austriak është më i guximshëm: Ai është i gatshëm ta marrë përsipër përgjegjësinë, megjithëse në këtë mënyrë e lidh në masë të madhe që tani si Bashkimin Evropian ashtu edhe vendin e vet. Sepse hapja e kuadrit negociues të Brukselit për një marrëdhënie të veçantë me Ankaranë nuk do të thotë gjë tjetër, veçse në fund të negociatave Turqia do të ketë një marrëdhënie intime me Bashkimin Evropian - në qoftë se jo si anëtare, atëherë si partnere jete.

Gazeta e Lüneburgut Landeszeitung po për këtë temë:

Në asnjë vend tjetër nuk mund të zgjosh kaq lehtë më shumë entuziazëm nacionalist me thirrjen e tartarëve "erdhën turqit" sesa në Austri. Në fund të fundit rrethimi i Vjenës i vitit 1683 është pjesë e kanonit identitetformues në republikën e alpeve. Por lehtësia me të cilën i bllokon kancelari Wolfgang Schüssel negociatat e Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian nuk mund të mbulojë pasojat e rënda të përpjekjeve të tij minuese. Është vënë në rrezik besueshmëria e Bashkimit Evropian. Nisma e vetmuar e Schüsselit ka për qëllim të rrisë shancet e partisë së tij ÖVP në zgjedhjet e afërme të tetorit në rrafsh landi.