1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Sri Lankës zhvillon bisedime me tamilët e LTTE-së në Gjenevë

Christoph Heinzle28 Tetor 2006

Pas përleshjesh të përgjakshme, qeveria e Sri Lankës po zhvillon një takim me rebelët tamilë të lëvizjes LTTE në Gjenevë. Ky armpushim mes dy palëve ishte i domosdoshëm, sepse gjatë 8 muajve të fundit, gjatë luftimeve mes forcave singaleze të rendit dhe rebelëve tamilë, kanë humbur jetën 2000 njerëz, ndërkohë që mbi 300.000 të tjerë kanë marrë arratinë. Por shpresat se këto bisedime do të jenë të frytshme, janë të pakta.

https://p.dw.com/p/AqoH

Duket si një mrekulli që rebelët tamilë pranuan të ulen në tryezën e bisedimeve me qeverinë e Sri Lankës. Muajt e fundit kanë qënë të përgjakshëm. Mbi 2000 njerëz humbën jetën. Armëpushimi i nënshkruar mes dy palëve në vitin 2002, ekziston vetëm në letër, realiteti është krejt ndryshe. Ndërmjetësuesi norvegjez Eric Solheim shpjegon:

"Dhuna duhet të përfundojë menjëherë: Të gjitha aksionet ushtarake, të gjitha aktet terroriste, të gjitha vrasjet dhe pengmarrjet. Ky është mesazhi i qartë i bashkësisë ndërkombëtare, dhe i SHBA-s."

Presioni ndërkombëtar është i domosdoshëm, sepse Sri Lanka i druhet sanksioneve dhe izolimit nga bashkësia ndërkombëtare. Qeveria dhe rebelët kanë deklaruar se kërkojnë të gjejnë një zgjidhje paqësore. Por dhuna do të përfundojë, vetëm në rast se pala kundërshtare do të bëjë hapin e parë drejt kompromisit. Rebelët e LTTE kërkojnë përfundimin e sulmeve ajrore kundër zonave në veri dhe lindje të vendit, ku shumica e banorëve janë tamilë. Qeveria kërkon përfundimin e sulmeve në jug dhe perëndim, ku shumica e banorëve janë singalezë. Kështu shprehet përfaqësuesi i qeverisë së Sri Lankës në bisedimet e Gjenevës, Palita Kohona:

"Ushtria e Sri Lankës nuk do të kryejë më ofensiva ushtarake, në rast se LTTE heq dorë nga dhuna. Eshtë e rëndësishme që kjo lëvzije ta kuptojë që problemet e vendit tonë mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut dhe diskutimeve."

Qeveri e Sri Lankës përfaqësohet nga shumë politikanë të lartë në Gjenevë. Në fillim të javës presidenti Rajapakse nënshkroi një pakt historik me kryetarin e opozitës Vikremesinge. Një ndër qëllimet e këtij pakti është zgjidhja paqësore e konfliktit etnik. Mahinda Rajapakse:

"Duhet të mendojmë së pari për vendin tonë, dhe jo për interesat personale. Vetëm kështu mund ta luftojmë terrorizmin dhe të sjellim paqe në ishullin tonë. Ne duam një vend paqësor dhe përparime për brezat e ardhshëm."

Rebelët po debatojnë në Gjenevë mbi çështje humanitare. Si për shembull fatin e rreth 300.000 njerëzve, që kanë marrë arratinë nga shtëpitë e tyre, për shkak të luftimeve. Një temë tjetër është furnizimi i dobët i rajoneve të tamilëve me ushqime.