1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria gjermane miraton ligjin e ri të migracionit

Anila Shuka28 Mars 2007

Aspekti pozitiv i projektligjit të ri, është përçapja për të legalizuar një numër të madh ish-refugjatësh, ku bëjnë pjesë edhe 50.000 kosovarë.

https://p.dw.com/p/Aqx3
Refugjatë me vizën "duldung"
Refugjatë me vizën "duldung"Fotografi: DW

Një pjesë e projektligjit parashikon leje qendrimi për ish-refugjatët me të ashtuquajturin Duldung, që jetojnë prej gjashtë ose tetë vjetësh në Gjermani. Afati gjashtëvjeçar vlen për të martuarit, ai tetëvjeçar për beqarët. Ata do të marrin një leje qëndrimi, me kusht që deri në fund të 2009-ës të kenë gjetur një vend pune, e të mos varen më nga ndihma sociale.

Nga ky ligj përfitojnë kështu 100.000 ish-refugjatë, nga gjithsej 170.000 që janë aktualisht në Gjermani. "Se sa prej tyre i plotësojnë vërtetë të kërkesat e tjera të ligjit, kjo është diçka që nuk mund të parashikohet, varet nga praktikat administrative të secilit land", - sqaroi ministri gjerman i punëve të brendshme, Wolfgang Schäuble, të mërkurën në Berlin, mbas mbledhjes së kabinetit qeveritar.

Rregullimi i lejes së qendrimit të ish-refugjatëve të luftës, afro 50.000 prej të cilëve vijnë nga Kosova, ishte një nga pikat e grindjes shumëvjeçare ndërmjet dy partive qeveritare dhe 16 landeve federale të Gjermanisë. Për ish-refugjatët që nuk e plotësojnë afatin kohor në fjalë, projektligji që të hapur një mundësi tjetër: Ata, të cilët jetojnë prej katër vjetësh në Gjermani, kanë mundësi të hyjnë menjëherë në tregun e punës. "Kjo ishte një nga arritjet e mëdha të këtij projektligji të ri," - vlerësoi më tej ministri i brendshëm kristiandemokrat.

Kritikë kanë ushtruar organizatat për të drejtat e refugjatëve ndaj kompromisit, pasi ai nuk u krijon mundësi refugjatëve të punojnë qysh në javët e para të mbërritjes së tyre në Gjermani. Wolfgang Schäuble shpjegon dilemën në këtë çështje: "Unë vetë jam i prirur për të thënë, se përsa kohë që ata janë këtu, më mirë është të punojnë legalisht, se sa në të zezë. Por kjo do të nxiste edhe më shumë trafikun ilegal të njerzve. Dhe mafia ndërkombëtare e trafikut ilegal është tepër kriminale e ne nuk duam t'ia lehtësojmë punën."

Shkas për ndryshimin e ligjit të migracionit, që kishte hyrë në fuqi dy vjet më parë, u bë përshtatja e 11 direktivave të Bashkimit Evropian. Koalicioni i madh mes socialdemokratëve dhe kristdemokratëve e shfrytëzoi këtë mundësi, për të ngritur barriera edhe më të larta për flukse të reja migrantësh në Gjermani.

Për të parandaluar martesat e rreme, projektligji kërkon nga migrantët njohuri gjuhe paraprake. Këtej e tutje, të huajt që vijnë në Gjermani për shkak martese, duhet të dëshmojnë në ambasadë njohuri të gjuhës gjermane. Kjo vlen për pjesën dërrmuese të tyre: "Përjashtim bëjnë ata njerëz që duket se nuk kanë nevojë për integrim, pra që vijnë nga vendet, për të cilat ne kemi regjim të lehtësuar vizash: SHBA-të, Kanadaja, Japonia, Zelanda e Re, Australia, Korea e Jugut dhe Israeli", sqaron ministri.

Kritikat se jo çdo fshat i Afrikës a Azisë të jep mundësi të mësosh gjuhën, ministri gjerman i punëve të brendshme, Wolfgang Schäuble, i hedh poshtë duke kujtuar kurset e gjuhës që ofron Goethe Institut apo Deutsche Welle.

Me rritjen e moshës së bashkimit familjar tashmë në 18 vjeç, qeveria ka dashur të parandalojë fenomenin e martesave të detyruara. Migrimi i terroristëve të mundshëm parandalohet në projektligj me një vëmendje më të madhe ndaj studentëve dhe financuesve të tyre. Njëri prej atentatorëve të valixheve me bomba, që u gjetën në korrik të vitit të kaluar në dy trena rajonalë në Gjermani, kishte marrë garanci për financimin e studimit prej një personi që kishte hyrë më parë dorzan edhe për disa terroristë.

Projektligji i ri i migrimit këtë radhë bëhet nën moton: integrim në vend të migrimit. Sipas ministrit gjerman, fluksi tejet i madh i migracionit, me të cilin është ndeshur Gjermania në vitet 90-të, ka pasur për rrjedhojë mangësi të mëdha në integrimin e tyre. Projektligji do të kalojë një herë në Bundestag, pastaj në Këshillin Federal. Meqënëse të dyja këto instanca ligjvënëse dominohen nga dy partitë qeveritare, pritet që ai të miratohet pa problem dhe të hyjë në fuqi qysh në korrik të këtij viti.