1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

080211 Tschechien Korruption

9 Shkurt 2011

Vetëm ai që jep ryshfet të majmë ka sukses në Çeki - kjo vlen vërtetë në jetën e përditshme për shumë çekë. Madje edhe në politikën e madhe gati çdo ditë dalin në pah skandale të reja korrupsioni.

https://p.dw.com/p/10DvK
Pamje simbolikeFotografi: picture-alliance/dpa

Shumë më pas Botsvanës dhe Bruneos radhitet Çekia si e 53-ta në listën vjetore të organizatës "Transparency International". Pra deklarimi i kryeministrit çek Necas, se më në fund do të luftohen seriozisht ryshfetet dhe ekonomia e tarafeve, deri më tani nuk është pasuar me vepra. Këtë e tregon edhe rasti i sipërmarrësit Jiri Kubacek.

Kubacek vazhdon të jetë i indinjuar. Në periferi të Pragës sipërmarrësi ka dy dyqane këpucësh. Në fund të vitit të kaluar ai donte të hapte një filial të ri në qendër. Por planet e tij dështuan: "Gjithçka ecën vetëm nëse jep ryshfet. Vetëm për të ndërmjetësuar për ambientet e dyqanit administrata donte 50.000 krona në dorë. Unë nuk e bëra këtë. Korrupsioni tek ne është i pranishëm kudo - nga majat më të larta e deri poshtë fare. "

d1.jpg
Praga. Korrupsioni - një përditshmëriFotografi: DW

Korrupsioni dhe ryshfeti - pjesë e së përditshmes çeke

Me një përvojë të tillë tregtari i këpucëve nuk është i vetëm. Shumë çekë janë të dëshpëruar dhe të zhgënjyer nga politika. Korrupsioni dhe ryshfeti janë pjesë e së përditshmes në vend. Vetëm ai që jep ryshfet si duhet ia arrin qëllimit, konfirmon drejtori i Transparency International David Ondracka: "Njerëzit e thjeshtë kanë në radhë të parë frikë prej problemeve me zyrat. Shpesh korrupsion ka edhe tek mjekët, p.sh. nëse për operacione të caktuara të duhet të presësh gjatë. Atëherë detyrohesh të paguash ryshfet, ndryshe nuk ecën asgjë. Edhe në tenderat publikë procesi nuk është transparent. Vendimtare është se kush njeh kë. Gjithçka funksionon përmes korrupsionit dhe ekonomisë së tarafeve."

Anë e mbanë vendit takon nëpunës të shtetit, që shtrijnë dorën, nëpunës amdinistrate të korruptuar ose policë që pranojnë ryshfete. Korrupsioni është karakteristik për shoqërinë çeke jo vetëm në nivelet e ulëta: Thuajse me një ritëm javor publikohen kryeartikuj mbi skandale korrupsioni dhe afera nga radhët e politikës së madhe.

Deutschland Tschechien Ministerpräsident Petr Necas in Berlin
Kryeministri çek, Petr Necas premtoi fitore në luftën kundër korrupsionitFotografi: AP

Deri më tani premtime: Qeveria nuk e fitoi dot luftën me gjigandin korrupsion

Qeveria konservatore e djathtë në verë shpalli, se do t' i japë fund këtij sistemi. Lufta kundër korrupsionit është në plan të parë, ishte kjo thirrja e kryeministrit në deklaratën qeveritare. Edhe tani që janë zbuluar skandalet e para të korrupsionit të brendshëm, Petr Necas u qëndron besnik premtimeve të tij gjatë fushatës elektorale: "Asgjë nuk duhet fshehur, asgjë nuk duhet futur nën rrogoz dhe asgjë nuk duhet mbuluar prej syve të qytetarëve. Prej kësaj varet besimi në sistemin politik të vendit tonë. Korrupsioni është për ne i papranueshëm. Unë dua, që të gjithë të nxirren para përgjegjësisë."

Por edhe imazhi i vetprojektuar i figurës së pastër të kryeministrit ndërkohë është njollosur dukshëm. Ndonëse në fillim të vitit u miratua nga koalicioni qeverisës strategjia kundër korrupsionit, deri më tani nuk është arritur asnjë sukses domethënës. Përkundrazi, sipas drejtorit të Transparency-Direktor, Ondracka: "Kjo qeveri është duke u mbytur nga skandalet e korrupsionit të brendshëm. Ndaj unë jam skeptik, që strategjia e qeverisë kundër korrupsionit do të ketë sukses. Kjo strategji mund të jetë vetëm fillimi, sepse fjalët e bukura duhet të pasohen nga veprat."

Tschechisches Parlament in Prag
Parlamenti çekFotografi: picture alliance/dpa

Forca vepruese nuk ndihet aspak. Pothuajse një në pesë porosi publike - sipas një vlerësimi - vazhdon të jepet nën dorë. Dëmi për ekonominë është i jashtëzakonshëm. Rreth 3,5 miliardë euro është humbja vjetore. Ai që do të ketë sukses në politikë ose në ekonomi detyrohet të luajë në këtë lojë të pisët. Edhe partitë në pjesën më të madhe financohen përmes kanaleve të errëta. Kontrollet e dobëta kanë mjaft boshllëqe. Sistemi i deritanishëm i vetkontrollit nuk funksionon. Shumë koncerne përmes kësaj mënyre mund të influencojnë vendimet politike. E nevojshme është një kthesë parimore në politikë dhe në shoqëri:

"Policia dhe prokurorët duhet të kenë mundësi të punojnë të pavarur dhe pas hetimeve rrënjësore t' i çojnë të gjitha rastet në gjyq. Përveç kësaj të gjithë çekët duhet ta pranojnë, se ryshfeti nuk është një delikt i parëndësishëm, por një vepër penale. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndryshojë vërtetë diçka."

Autor: Stefan Heinlein/Vilma Filaj- Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi