1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria ruse ndalon komedinë britanike mbi Stalinin

25 Janar 2018

Rusi: Ndalohet komedia mbi Stalinin. Me këtë qytetarët dekurajohen dhe i pritet rruga zbardhjes së të kaluarës, mendon Miodrag Soric.

https://p.dw.com/p/2rT7g
Ausstellung über Stalin-Kult in der frühen DDR
Fotografi: picture-alliance/dpa/L. Ducret

Jo, nuk ka censurë në Rusi! Thotë ministri rus Kulturës Vladimir Medinski. Jo, Moska nuk i druhet përballjes kritike me historinë e vet! Thotë ministri Medinski. E megjithatë ai ndalon pak ditë para premierës në kinematë ruse të komedisë britanike për "Vdekjen e Stalinit". Me pretekstin, se ky film është kundër ligjit. Se kundër cilit ligj, këtë ai nuk e di. Kushtetuta nuk mund të jetë. Sepse ajo nuk e lejon censurën.

Ministri i Kulturës nxjerr në pah, se kemi të bëjmë më shumë me ligje morale. Ai dhe disa deputetë të Dumës me sa duket nuk e gjejnë me vend, që pikërisht në prag të 75 vjetorit të betejës së Stalingradit rusëve t'u ofrohet një pamflet, që përqesh fituesin e Luftës së Dytë Botërore: Josef Stalin. Njëri prej këtyre deputetëve është komunistja Elena Drapeko. Ky film rrezikon harmoninë, që ka arritur shoqëria ruse. Më bukur këtë e pati formuluar Stalini, kur pat deklaruar: "Jetohet më mirë, jetohet më gëzueshëm."

Soric Miodrag Kommentarbild App
Miodrag Soric

Por le ta sqarojmë një herë: se çfarë mund t'u ofrohet dhe çfarë nuk mund t'u ofrohet qytetarëve rusë - për këtë vendos qeveria. E ajo ka vendosur, që rusëve t'u ofrohet më pak se sa qytetarëve të Gjeorgjisë, Polonisë, Gjermanisë apo të SHBA-së. Shtrohet pyetja: përse? Sepse Kremlini nuk ka besim tek rusët, që mund të krijojnë një gjykim të vetin? Kjo është marrëzi. Qytetari rus është po aq i vetëdijshëm sa edhe ai në perëndim. Gazetarët rusë, që e kanë para paraprakisht komendinë për Stalinin, qeshin me batutat po ashtu si edhe kolegët e tyre në Britaninë e Madhe apo diku tjetër.

Frytet e ëmbla të ndaluara

Një shoqëri e fortë civile nuk i trembet diskutimit publik, as debatit për të kaluarën e vet. Shprehja hapur e mendimit ndryshe pranimi i tij me respekt janë pjesë e demokracisë, e madje e forcojnë atë. Një demokraci, nuk është e tillë nëse në të nuk debatohet, nuk ka përballje.

Kush nuk do ta shohë filmin, le të mos e shoh atë. Kaq e thjeshtë është. Por pikërisht ndalimi i filmit do ta bëjë atë edhe më interesant për shumë të rinj. Tek e fundit frutat e ndaluara janë veçanërisht të shijshme, ashtu sikurse edhe librat e ndaluar janë më interesantë - edhe këtë e dinë njerëzit nga koha e Bashkimit të dështuar Sovjetik. Ndryshe nga kohët sovjetike sot qeveria nuk mund të ndalojë, që rusët e rinj ta shohin filmin. Kush do të di më shumë për të, mund të pyesë cilindo rus të ri, se në cilën faqe të internetit e ka parë ai filmin.

Mbrojtja e diktatorit më brutal sovjetik nuk mund të jetë detyrë e shtetit rus. Një kasap, që është përgjegjës për vrasjen e aq shumë miliona rusëve, edhe presidenti Putin e ka quajtur një "figurë komplekse". Ndoshta shefit të Kremlinit nuk i vjen për mbarë një diskutim për rolin e Stalinit në histori tani pak javë para zgjedhjeve presidenciale?  Ai dëshiron që sa më shumë të jetë e mundur të dalin në votime. Askush nuk duhet të qëndrojë në shtëpi për shkak të komedisë.