1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qytetarë të BE-së jo me të gjitha të drejtat

Bernd Riegert1 Nëntor 2006

Anëtarësimi i Bullgarisë dhe i Rumanisë më 1 janar 2007 në BE nuk do të sjellë me vete automatikisht të gjitha të drejtat për qytetarët e këtyre vendeve, sikurse i gëzojnë ato qytetarët e tjerë të vendeve të BE-së.

https://p.dw.com/p/Ar9r
Ky fshatar rumun pas 1 janarit 2007 do të ketë në xhep pasaportën e BE-së, por jo të gjitha të drejtat për tregun e punës
Ky fshatar rumun pas 1 janarit 2007 do të ketë në xhep pasaportën e BE-së, por jo të gjitha të drejtat për tregun e punësFotografi: AP

Si edhe në rastin e zgjerimit të mëparshëm të BE-së ndaj Lindjes, edhe në këtë rast shumica e 25 shteteve anëtare të BE-së do të marrin masa kufizuese në lidhje me të drejtën e punësimit dhe të vendosjes për të jetuar të qytetarëve bullgarë dhe rumunë në vendet e tjera të BE-së.

Ligjet kufizuese për të drejtën e punësimit dhe të vendosjes për të jetuar në vendet e tjera të BE-së do të vlejnë për qytetarët bullgarë dhe rumunë më së voni deri më 1 janar 2012. Deri në këtë kohë Brukseli shpreson se niveli i rrogave në Rumani dhe në Bullgari do të ketë arritur një nivel të tillë, i cili do të bëjë për qytetarët e këtyre vendeve jo joshëse emigrimin drejt Perëndimit.

Qeveria bullgare dhe ajo rumune kritikuan sidomos faktin që edhe Dublini dhe Londra, po i mbyllin tani dyert për qytetarët bullgarë dhe rumunë. Gjatë raundit të parë të zgjerimit në vitin 2004 këto vende, si edhe Suedia, ishin treguar bujare me tregun e tyre të punës duke e hapur atë për qytetarët e tetë vendeve të reja anëtare që dëshironin të punësoheshin në këto vende.

Anëtarët e vjetër mbyllin dyert

Ekspertët britanikë kishin përllogaritur se nga vendet e reja anëtare të BE-së do të vinin për të kërkuar punë në Britaninë e Madhe rreth 20.000 vetë. E meqënëse se kjo shifër shkoi në 300.000 qeveria britanike u detyrua që t'i mbyllë shtigjet, edhe pse sipas studimeve vala e personave që kishin ardhur për t'u punësuar në vend nuk e kishte dëmtuar ekonominë e vendit, përkundrazi e kishte ndihmuar atë.

Gerd Andres, sekretar shteti pranë Ministrisë gjermane të Punës, deklaroi se për shkak të kuotës së lartë të papunësisë Gjermania për momentin nuk do të lejojë punësimin e qytetarëve rumunë apo bullgarë në vend. Një gjë të ngjashme do të bëjnë edhe Austria, Franca si dhe shumica e vendeve të tjera të BE-së. I paqartë është qëndrimi që do të mbajnë tetë shtetet e reja anëtare të BE-së, të cilat në vitin 2004 të gjendura para një problemi të ngjashëm u angazhuan me forcë për hapjen e tregut të punës të të gjitha vendeve anëtare.

Anëtarët e rinj të pavendosur

Qeveria hungareze dhe ajo çeke kanë deklaruar se në rast se vendet më të pasura të BE-së do t'i mbyllin tregjet e tyre të punës për punësimin e qytetarëve rumunë apo bullgarë, këta do të vijnë në vendet e tyre për të kërkuar punë, gjë që ato nuk mund ta përballojnë.

Problem përbën edhe fakti se hapja e kufijve të Evropës dhe ngjizja e ngadaltë e tregjeve të punës nxit për të ardhur për t'u punësuar në vendet e BE-së edhe shumë qytetarë nga vende jo anëtare të BE-së. Në Rumani, Poloni, Bullgari, Hungari e vende të tjera anëtare të BE-së po hyjnë gjithnjë e më tepër qytetarë nga Moldavia, Vietnami, Kina apo Bjellorusia, të cilat janë të gatshëm të punojnë kundrejt pagave të ulta.